21 Maj, 2026

170 mijë bunkerë dikur – sot 170 mijë apartamente bosh!

 170 mijë bunkerë dikur – sot 170 mijë apartamente bosh!

Nga Lindita Begolli

Enver Hoxha bunkerizoi Shqipërinë nga frika. Nga paranoja ndërtoi mbi 170 mijë bunkerë, duke izoluar një popull të tërë nga bota. Ndërkohë që njerëzit jetonin në mungesë të tmerrshme, në radhë për bukë, shteti investonte në beton. Ishte një regjim që nuk ndërtoi të ardhme, por mbijetesë. Shqipëria u kthye në një vend të mbyllur, ku varfëria dhe uria nuk u krijuan rastësisht, por pasojë e drejtpërdrejtë e një mendësie të sëmurë pushteti për ta degraduar përjetësisht.

Sot, në një të vërtetë krejt tjetër në dukje, por me pasoja të ngjashme nga e kaluar kemi një kryeministër shqiptar që po ecën në të njëjtën linjë: Jo më bunkerë, por kulla. Jo më izolim fizik, por zbrazje e vendit. Shqipëria nuk po mbyllet fizikisht, është boshatisur.

Në vend të bunkerëve që nuk u përdorën kurrë, sot kemi mijëra apartamente që nuk banohen. Vetëm në Tiranë numërohen rreth 170 000 apartamente bosh, ndërkohë që qytetarët nuk kanë mundësi t’i blejnë për shkak të çmimeve jashtë çdo logjike. Ndërtimi është kthyer i vetmi biznes fitim prurës vetëm për oligarkët, por jo për qytetarët që po varfërohen çdo ditë.

Ndërkohë:

1.Arsimi është dobësuar dhe ka humbur cilësinë.

2.Shëndetësia mbetet e paarritshme për shumë njerëz, ndërkohë si shërbim falas ka mungesa të jashtëzakonshme bazike.

3.Bujqësia dhe ekonomia prodhuese janë lënë pas dore.

4.Turizmi zhvillohet pa standard dhe pa strategji afatgjatë.

Rezultati? Një vend që nuk i mban më njerëzit e vet. Një shpopullim i heshtur, por i vazhdueshëm.

Në kohën e Enver Hoxhës njerëzit nuk largoheshin dot se i vrisnin në kufi ose i internon e burgosnin.

Sot, në kohën e Edi Ramës, njerëzit largohen, sepse nuk kanë mundësi pune e jetese të qendrojnë.

Dikur ndërtoheshin bunkerë nga frika e armikut të jashtëm.

Sot ndërtohen kulla që të largojnë shqiptarët.

Forma ka ndryshuar, por thelbi mbetet i njëjtë: Pushtet vetëm për shtetarët, ndërsa rrënim, varfëri e largim për popullin.

Historia na ka treguar se një vend nuk rrënohet thjesht nga varfëria, por nga mënyra si drejtohet/qeveriset.

I dashur popull shqiptar, ngrihu dhe dili zot vetes e vendit. Askush nuk do vijë të të shpëtojë nga jashtë. Merr shembullin e hungarezëve, hallet e vendit i zgjidhën vetë. Të bashkuar, me votë, e rrëzuan atë që quhej i paprekshëm.

Në këtë botë nuk ka patur, nuk ka, e nuk do të ketë njerëz të paprekshëm.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *