28 Mars, 2026

Ulsi Manja presion gjykatësve: T’i vënë gishtin kokës ose…

 Ulsi Manja presion gjykatësve: T’i vënë gishtin kokës ose…

Debati për rritjen e pagave të magjistratëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve ka marrë hapësirën më të madhe të emisioneve politike të së enjtes. Ranë në sy deklaratat e ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, aktualisht kryetari i Komisionit Kuvendor të Ligjeve në një intervistë për emisionin e Grida Dumës në TCH. Me një gjuhë të ashpër Manja u ka bërë hapur presion gjykatësve që “t’i vënë gishtin kokës” sepse qeveria do të ndërhyjë në ligjet e sistemit të drejtësisë.

“U referohem gjykatave të largohen nga roli i noterit dhe të ngrihen në lartësinë që u ngarkon Kushtetuta. Për gjyqtarët ekziston vetëm prova… Vëreni gishtin mendjes, se do të ndërhyjmë në sistem” – tha Manja që la të kuptohet se presioni nuk kishte të bënte vetëm për pagat, por edhe për çështjet “e nxehta” të hapura me drejtësinë të qeverisë “Rama”.

“A ka ardhur koha, 10 vite nga zbatimi i Reformës në Drejtësi, të ulemi dhe të shohim në sy njëri-tjetrin dhe të themi cilat janë arritjet, cilat janë sfidat? Unë këtë pres sot që të jetë një diskutim. Është i rëndësishëm debati për pagat, por ndihem i keqardhur që nga sistemi nuk ka një debat publik se çfarë do të bëhet me dosjet stok, me shkurtimin e kohës në drejtësi.

Ka mungesë transparence në vendimmarrje. Janë mbyllur këshillat, e konsiderojnë një gjë që ndodh brenda për brenda shtëpisë së tyre. Ka nevojë që këshillat të zgjohen. Ka ardhur koha e një diskutimi real për atë që ka shfaqur drejtësia e re. A e kanë shqiptarët atë drejtësi cilësore që iu premtua në 2016? Edhe publiku, edhe ne kemi rënë në kurthin e një debati te organet e hetimit dhe ndjekjes penale” – tha Manja që sërish “u tërhoqi veshin” gjykatave.

“Prokuroria është palë; drejtësinë e presim nga gjykatat. Kur flasim për drejtësi cilësore, e presim nga peshorja e zonjës së drejtësisë. Edhe prokurori, në ushtrimin e detyrave të veta, ka për detyrë të zbatojë Kushtetutën, por në fund të fundit prokurori kërkon. Ka ardhur koha që sistemi gjyqësor, gjykatësi, të shohë provat dhe t’i bjerë çekiçit të drejtësisë me sytë mbyllur”, – u shpreh Manja.

Manja iu përgjigj edhe akuzave nga opozita se mazhoranca ka bllokuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe hapjes së rrugës për arrestimin e saj.

“Nuk do të shprehem për thelbin dhe përmbajtjen e kërkesës. Por për herë të parë dua t’i them nja dy fjalë. Për ne është shumë e rëndësishëm vendimit të Kushtetueses. Përderisa kryeministri i është drejtuar Kushtetueses, është qëndrim politik. Vendimmarrja nuk ka zvarritje. Kemi thënë që presim këtë vendim, por rregullorja e Kuvendit ia ka përcaktuar limitet kohore Kuvendit për t’u shprehur.

Jo më kot ka thënë Kuvendi që do duhet të shprehet brenda 3 muajsh, dhe nëse nuk shprehet për 3 muaj kërkesa thotë rregullorja konsiderohet e rënë. Këshilli i Mandateve do duhet të shprehet deri nga data 16 mars në mos gaboj, pra jemi brenda afateve procedurialisht.

S’dua të spekuloj me parashikimet për Këshillin e Mandateve, qëndrimin tim do e jap atje, por ama dua të rri pse janë lënë tre muaj, sepse Këshilli i Mandateve, Kuvendi do duhet të sigurohet në të gjitha rastet për kërkesë për autorizim heqje lirie, do duhet të sigurohet për një sërë elementësh që kanë të bëjnë me kërkesën dhe filtri që bën Kuvendi është i natyrës, “kjo kërkesë është strikte proceduriale?”.

Sa i takon heqjes së lirisë që është masë ekstreme, lëreni Kuvendit dhe Këshillin të bëjë detyrën dhe priteni vendimin sepse sot nuk jemi në kushte që të themi që mazhoranca ka bllokuar SPAK. Nuk kemi bllokuar asnjë hetim”, – tha ai.

Sa i takon takimit mes kryeministrit Edi Rama me Belinda Ballukun në Kryeministri, pasi ajo u pezullua nga detyra, që zgjati për disa orë, Manja u shpreh se takimi mes tij dhe Ramës ishte planifikuar një ditë më parë dhe ishte bisedë pune.

“Unë takimet me kryeministrin tim i kam të shpeshta dhe kjo për shkak të funksionit që mbaj. Ndoshta ishte momenti, por asgjë të jashtëzakonshme me përjashtim, të bisedave normale që bëjmë për çështje që e shqetësojnë mazhorancën për mbarëvajtjen në parlament.

Procesit të integrimit, e me radhë. Bisedë e zakonshme, bisedë punë. Të siguroj as e kam ditur që ka pasur kamera. Ishte takim i lënë një ditë më parë. Ishte momentumi, që u bëra person mediatik kur takimi ishte normal”, tha ai.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *