Turpi në Rrjoll: Shteti rreh popullin për të majmur oligarkun e Berishës dhe Ramës
Nga Migena Aleksi
Skenat që vijnë nga Rrjolli nuk janë më një kronikë përplasjesh për prona. Kur shikon gra, pleq e fëmijë që goditen nuk të vjen më të pyesësh se “kush i ka letrat” e asaj cope toke.
Pyetja ime si nënë dhe si qytetare është: Kush ka mbetur NJERI në këtë nivel arrogance që nuk njeh turp? Nuk skuqet polici që godet gruan, nuk skuqet ministrja nën hetim që firmosi lejen, dhe as oligarku që planifikon pishinat mbi lotët e fëmijëve të zonës.
Për shtetin shqiptar, buldozeri i oligarkut peshon më shumë se kockat e një plaku që ka kaluar jetën në atë truall?!
Turpi i parë është përdorimi i uniformës së shtetit si roje private e rezorteve. Policia duhet të ishte garant i paqes në përplasjen mes banorëve dhe oligarkut, por ajo po sillet si forcë ekzekutuese e një projekti privat.
Shteti përdor si alibi faktin që shumë banorë nuk kanë dokumentacion të plotë. Po ky është një krim i dyfishtë. Është po ky shtet që për 30 vite e ka lënë qëllimisht procesin e certifikimit të pronave në një kaos total.
Me sa duket kjo ka ndodhur pikërisht që sot ta ketë më lehtë t’i shpallë banorët “zaptues” në tokën e tyre.
Ata banorë, edhe nëse nuk kanë letra (si t’i kenë nëse s’ua jep kush?!) po mbrojnë rrënjët e tyre në atë tokë. Mungesa e një letre nuk e fshin faktin që ata njerëz kanë lindur dhe janë rritur aty.
E dyta, Rrjolli nxjerr zbuluar teatrin e shpifur politik të Tiranës. Në ekrane shahen e zihen, në tavolinat e lejeve të ndërtimit, “Rilindja” dhe “Opozita” janë në harmoni të plotë.
Qeveria siguron vulat, lejet strategjike dhe forcën e policisë. Oligarkia e lidhur me Berishën siguron kapitalin dhe përfiton nga trualli i “pastruar” me dhunë.
Ky bashkëpunim tregon se kur vjen puna te paratë nuk ka ngjyra partiake, ka vetëm një kastë, në emër të interesave të sa cilës, populli po gjakoset.
Kujdes! Ngjarjet në Rrjoll janë një këmbanë alarmi për të gjithë. Sot është Rrjolli, nesër është çdo cep tjetër i Shqipërisë ku një “investitor strategjik” do të hedhë sytë.