28 Mars, 2026

Tritan Shehu jep alarmin: Dhjetëra qytetarë nga Qarku i Gjirokastrës kanë mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme

 Tritan Shehu jep alarmin: Dhjetëra qytetarë nga Qarku i Gjirokastrës kanë mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka ngritur alarmin në seancën plenare duke bërë të ditur se disa qytetarë shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në zonat e luftës, në Lindjen e Mesme.

Në një kohë ku prej tre ditësh Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me Izraeli kanë ndërmarrë sulme ndaj Iranit, ndërsa ky i fundit po kundërpërgjigjet me bombardime ndaj bazave ushtarake amerikane në vendet përreth, disa shtetas shqiptarë raportohet se ndodhen të izoluar dhe pa mundësi largimi.

Shehu kërkoi angazhim të menjëhershëm të institucioneve shqiptare për identifikimin dhe evakuimin e tyre. Ai vuri në dukje se parlamentet e vendeve të Bashkimi Evropian janë mbledhur për situatën, përfshirë edhe Senati italian, ndërsa kërkoi që edhe Kuvendi shqiptar të mbajë një qëndrim të qartë.

Në fjalën e tij, deputeti bëri thirrje për mbështetje ndaj veprimeve të SHBA-së dhe për dënimin e sulmeve iraniane, si dhe për ndërhyrje të shpejtë të qeverisë shqiptare për të nxjerrë nga zona e konfliktit qytetarët shqiptarë që ndodhen atje.

“Do ngre një çështje që i takon të gjithëve dhe kërkoj mbështetjen e të gjithëve. Shtysën e kam marrë nga disa telefona që kam marrë sot nga Qarku i Gjirokastrës për disa qytetarë që janë bllokuar në zonën e luftës në Lindjen e Mesme. Janë bllokuar pa mundësi udhëtimi, të izoluar në kushte të vështira. Dua të kërkoj involvimin e plotë të qeverisë shqiptare, të Ministrisë së Jashtme, në disa aspekte me atë që po ndodh në Lindjen e Mesme.

Jo vetëm me identifikimin e shqiptarëve që janë atje dhe kanë ngelur në mëshirë të fatit dhe askush nuk po i kontakton, ndërsa qeveritë e tjera janë në komunikim me qytetarët e tyre. Parlamentet e vendeve të BE janë mbledhur, është mbledhur dhe Senati italian që po flet për këto probleme. Sot duhet të vinte ministrja e Jashtme që të jepte përgjigje. Së pari unë kërkoj nga të gjithë të dalim me një deklaratë si Parlament shqiptar, ku të deklarojmë qartësisht që ne jemi në mbështetje të SHBA në këtë veprim që ka marrë kundër një regjimi gjakatar, i cili jo vetëm që ka vrarë e ka prerë, por ka krijuar një zonë destabiliteti dhe është bërë shkak për rreziqe të mëdha dhe të paparashikueshme në të gjithë rruzullin.

Parlamenti të dalë me një deklarim të tillë dhe të marrë një pozicion të qartë në krah të SHBA në këtë moment të vështirë, por dhe shprese jo vetëm për atë zonë. Parlamenti shqiptar të dënojë sulmet iraniane që ka ndërmarrë në vendet përreth. Duhet të marrim një qëndrim, të dënojmë me forcë këto sulme që po dëmtojnë qytetarë të pafajshëm, mes tyre dhe shqiptarë që janë në ato vende. Ne duhet të bëjmë që qeveria shqiptare të lëvizë në mbështetje të qytetarëve shqiptarë që janë të bllokuar në atë zonë dhe t’i evakuojmë sa më shpejt”, tha Shehu ndër të tjera.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *