Trashëgimia vdekjeprurëse e Ajatollah Khamenei-t
Autoriteti i Ali Khamenei-t mbështetej në një përzierje legjitimiteti fetar, besnikërie ushtarake dhe kontrolli ekonomik, të gjitha të ankoruara brenda mekanizmave kushtetues që përqendrojnë pushtetin duke ruajtur pamjen e jashtme të ligjshmërisë. Ky sistem autoritar ka shumë gjasa të pengojë ndryshime të mirëfillta dhe të qëndrueshme në Iran.
Nga Pegah Banihashemi
Brenda disa orësh pas shpërthimit masiv pranë kompleksit në Teheran të udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në mëngjesin e 28 shkurtit, burime izraelite dhe amerikane njoftuan – dhe më vonë mediat shtetërore iraniane e konfirmuan – se Khamenei ishte vrarë.
Nëpër qytetet iraniane dhe mes komuniteteve të diasporës, shpërthyen festime spontane, një katarsis i zemërimit publik të grumbulluar gjatë dekadave të represionit nën regjimin e Khamenei-t, përfshirë shtypjen e dhunshme në janar të protestave mbarëkombëtare, gjatë të cilave forcat qeveritare raportohet se vranë ose ndaluan dhjetëra mijëra demonstrues. Megjithatë, tronditja nga vdekja e Khamenei-t nuk sinjalizon domosdoshmërish shembjen e aparatit të sigurisë dhe politikës që ai ndërtoi gjatë thuajse katër dekadave. Kjo strukturë institucionale e pushtetit mund të jetë, në fakt, trashëgimia e tij më e qëndrueshme.
Kur themeluesi i Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini, vdiq në vitin 1989, pak figura politike të brendshme e imagjinonin Khamenei-n si një pasardhës dominues apo transformues. Sipas Nenit 109 të kushtetutës së Iranit, udhëheqësi suprem kërkohej fillimisht të mbante statusin e marjaʿ-e taqlid, ose një ajatollah i madh, niveli më i lartë i autoritetit fetar shiit – një kualifikim që Khamenei nuk e posedonte.
Megjithatë, brenda pak muajsh pas vdekjes së Khomeini-t, Neni 109 u ndryshua. Kërkesa për arritjen e rangut më të lartë klerikal të ajatollahut të madh u zëvendësua me kualifikime më të përgjithshme politike dhe fetare. Në të njëjtën kohë, modeli i një udhëheqësi të vetëm suprem të pajisur me kompetenca të gjera u përforcua. Shumë njerëz, përfshirë edhe figura me ndikim të revolucionit, besonin se Khamenei do të luante një rol më simbolik, duke e deleguar autoritetin qeverisës te zyrtarët e zgjedhur si presidenti. U gabuan shumë.
Gjatë dekadave në vijim, Khamenei e transformoi gradualisht pozitën e Udhëheqësit Suprem nga një autoritet mbikëqyrës në strukturën qendrore komanduese të Republikës Islamike. Inovacioni i tij politik me më shumë pasoja ishte rikonfigurimi i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Ndërsa Khomeini theksonte kufizimin e përfshirjes së ushtrisë në çështjet politike, Khamenei u mbështet në Nenin 110 të kushtetutës – i cili i jep Udhëheqësit Suprem komandën mbi të gjitha forcat e armatosura – për të kultivuar një aparat sigurie jashtëzakonisht besnik.
Duke mos qenë më thjesht një institucion ushtarak, nën Khamenei-n, IRGC-ja u shndërrua në një konglomerat politik dhe ekonomik të integruar në pothuajse çdo sektor madhor të ekonomisë iraniane, nga infrastruktura dhe ndërtimi te telekomunikacioni, projektet energjetike dhe tregtia e naftës. Sistemi që krijoi Khamenei ishte i tillë që besnikëria ushtarake, interesat financiare dhe mbijetesa e regjimit përforcoheshin reciprokisht. Autoriteti i tij politik sigurohej po aq nga varësia institucionale sa edhe nga ideologjia.
Për të konsoliduar më tej pushtetin e tij, Khamenei ushtroi kontroll mbi Këshillin e Gardianëve, i cili u krijua sipas Nenit 91 të Kushtetutës me synimin për të ruajtur ekuilibrin institucional. Këshilli i Gardianëve përbëhet nga gjashtë juristë islamikë të emëruar drejtpërdrejt nga udhëheqësi suprem dhe gjashtë ekspertë juridikë të propozuar nga kreu i gjyqësorit dhe të miratuar nga parlamenti. Por sipas Nenit 157, udhëheqësi suprem emëron kreun e gjyqësorit, duke pasur kështu fjalën përfundimtare mbi të 12 anëtarët. Me kalimin e kohës, autoriteti i Këshillit të Gardianëve për të verifikuar kandidatët parlamentarë i lejoi atij në mënyrë efektive të ngushtonte fushën politike vetëm tek ata individë që konsideroheshin të pranueshëm nga regjimi.
Një dinamikë e ngjashme u zhvillua brenda Asamblesë së Ekspertëve. Sipas Neneve 107 dhe 111 të Kushtetutës, Asambleja është përgjegjëse për mbikëqyrjen e udhëheqësit suprem dhe emërimin e pasardhësit të tij. Ky organ supozohet të jetë një nga mekanizmat e pakët kushtetues të kontrollit mbi autoritetin e tij. Por, në praktikë, kandidatët duhet fillimisht të miratohen nga Këshilli i Gardianëve, duke krijuar një qark të mbyllur ku ndikimi i udhëheqësit suprem shtrihet edhe në institucionin e ngarkuar për ta mbikëqyrur atë.
Kushtetuta e Iranit parashikon një mekanizëm ligjor për trashëgiminë e lidershipit. Me vdekjen ose paaftësinë e udhëheqësit suprem, Neni 111 përcakton që autoriteti ekzekutiv transferohet përkohësisht te një këshill i përbërë nga presidenti, kreu i gjyqësorit dhe një jurist i Këshillit të Gardianëve i zgjedhur nga Këshilli i Shqyrtimit të Përshtatshmërisë. Por kjo supozon pavarësi institucionale, të cilën Khamenei e minoi në mënyrë kaq efektive.
Megjithatë, sistemi që Khamenei ndihmoi të krijohej do t’i mbijetojë vdekjes së tij. Rrjetet që qeverisin gjyqësorin, aparatin e sigurisë dhe institucionet klerikale mbeten thellësisht të ndërlidhura. Gjatë sundimit të Khamenei-t, autoriteti varej gjithnjë e më shumë nga një përzierje legjitimiteti fetar, besnikërie ushtarake dhe kontrolli ekonomik, të gjitha të ankoruara brenda mekanizmave kushtetues që përqendrojnë pushtetin duke ruajtur pamjen e jashtme të ligjshmërisë. Pasardhësi i Khamenei-t do të trashëgojë jo vetëm një post politik, por një arkitekturë institucionale të projektuar për të riprodhuar autoritetin e centralizuar.
Irani, për rrjedhojë, përballet me një moment pasigurie të thellë autoritare, pasi as kolapsi i regjimit dhe as një tranzicion i parashikueshëm nuk duken të mundshme. Institucionet qeverisëse do të mbeten të paprekura edhe ndërsa legjitimiteti politik dobësohet dhe trashëgimia bëhet objekt kontestimi, ndoshta edhe të dhunshëm. Pa reforma strukturore, i njëjti përqendrim pushteti mund t’i transferohet një udhëheqësi të ri suprem, duke përjetësuar stanjacionin politik të Iranit.
Ndryshimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm në Iran do të varet më pak nga fakti se kush e pason Khamenei-n sesa nga nëse trashëgimia e tij institucionale do të shkatërrohet. Problemi është se përfituesit e sistemit të vjetër nuk ka gjasa të pranojnë në heshtje një kornizë krejtësisht të re qeverisëse. Por pa një rishikim rrënjësor të pushtetit ekzekutiv, të dominimit ekonomik të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe të mekanizmave që kontrollojnë pjesëmarrjen politike, sistemi autoritar i Iranit thjesht do të rigjejë ekuilibrin e tij.