Tha se Rama do shkonte me një avokat në SHBA me 20 janar, gazetarja nuk tërhiqet: Shkoi fshehurazi, më përgënjeshtroni po keni fakte
Gazetarja Anduena Llabani, duke folur në Neës24, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një udhëtim që sipas saj nuk është bërë publik zyrtarisht.
Sipas Llabanit, informacioni për udhëtimin e Ramës në SHBA bazohet në burime të sigurta, ndërsa ajo theksoi se kryeministri ka qenë i shoqëruar nga një avokat. Gazetarja sqaroi se nuk ka ende të dhëna të konfirmuara nëse udhëtimi është kryer me avion privat apo me linjë tregtare, por kjo mbetet për t’u verifikuar.
Ajo u shpreh se deklarimi i saj nuk është spekulim, por informacion i mbledhur në mënyrë profesionale, duke shtuar se kushdo që ka prova për ta përgënjeshtruar, mund ta bëjë publikisht.
Llabani e lidhi këtë zhvillim me hetimet që kanë pasur jehonë edhe në Shqipëri pas çështjes McGonigal, duke kujtuar se pas lirimit të tij nga gjykata amerikane në nëntor të vitit të kaluar, ka pasur komunikime zyrtare mes autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane.
“Në studion e emisionit “Oponencë” kam deklaruar se Shqipëria do të vizitohej nga vajza e presidentit Donald Trump. Detyra jonë është të informojmë opinionin publik për ato çështje që kanë interes publik dhe mbaj përgjegjësi të plotë për gjithçka që them.
Me përgjegjësi të plotë e them edhe sot se nuk kam gënjyer në asnjë moment. Mund të mos kem qenë i saktë në datë, por kam qenë i saktë në thelb dhe në fakt. Ka shumë servilë që sillen rreth oborrit të kryeministrit, por kjo nuk ndryshon realitetin.
Sot, me shumë përgjegjësi ndaj opinionit publik, deklaroj se kryeministri Edi Rama ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shoqëruar nga një avokat. Nuk kam informacion të konfirmuar nëse ka udhëtuar me avion privat apo me linjë tregtare; kjo mbetet për t’u verifikuar. Nëse zoti Rama apo këshilltarët e tij mediatikë dëshirojnë ta përgënjeshtrojnë, le ta bëjnë.
Por e them me burime shumë të sakta se Rama ka qenë në SHBA dhe ka dëshmuar për llogari të drejtësisë amerikane. Ne nuk bëjmë thjesht parashikime; ne përcjellim informacion. Edhe nëse ka pasur pasaktësi në data, unë jam mësuar të bëj lajm dhe të raportoj fakte.
Është kërkuar që ai të dëshmonte për llogari të institucioneve amerikane, dhe ky informacion shërben për të orientuar opinionin publik mbi arsyet e udhëtimit të tij në SHBA.
Në nëntor të vitit të kaluar, gjykata amerikane la të lirë Charles McGonigal. Jehona e arrestimit të tij çoi prokurorët shqiptarë drejt një komunikimi zyrtar me autoritetet amerikane përmes letër-porosisë. Nuk është përgënjeshtruar fakti që SPAK ka nisur hetime lidhur me çështjen McGonigal.
Shumë persona janë marrë në pyetje për këtë çështje, ndërsa i vetmi që nuk është marrë në pyetje ka qenë kryeministri Rama. McGonigal ka pranuar një marrëveshje me drejtësinë amerikane: ose të dëshmojë, ose të pranojë fajësinë”, tha ajo.