28 Mars, 2026

Studimi: Thatësira po nxit rezistencën ndaj antibiotikëve

 Studimi: Thatësira po nxit rezistencën ndaj antibiotikëve

Thatësira mund të jetë duke përkeqësuar në heshtje një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik global: rezistencën ndaj antibiotikëve. Këtë e sugjeron një studim i ri, sipas të cilit kushtet e thata përqendrojnë mikroorganizmat rezistentë ndaj antibiotikëve në tokë dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në përhapjen e këtij problemi në nivel botëror.

Studimi është realizuar nga studiues të California Institute of Technology (Caltech) në Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan të kuptonin nëse ndryshimet në mjediset natyrore ku antibiotikët kanë origjinën mund të nxisin rezistencën ndaj tyre.

Rezistenca antimikrobike, e njohur si AMR, konsiderohet një kërcënim në rritje dhe vetëm në Bashkimin Evropian shkakton më shumë se 35 mijë vdekje çdo vit.

Ky fenomen ndodh kur bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët nuk reagojnë më ndaj ilaçeve antimikrobike. Edhe pse kjo është një dukuri natyrore që zhvillohet me kalimin e kohës përmes ndryshimeve gjenetike te patogjenët, aktiviteti njerëzor — veçanërisht përdorimi i gabuar dhe i tepruar i antibiotikëve e ka përshpejtuar ndjeshëm këtë proces.

Sipas Dianne Newman, profesoreshë e biologjisë dhe gjeobiologjisë në Caltech, thatësira po krijon të njëjtin efekt që sjell edhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve në spitale dhe klinika.

Ajo shtoi se lidhja e fortë e zbuluar në studim nxit nevojën për diagnostikim më të mirë dhe më të shpejtë në mjediset klinike, si dhe për zhvillimin e qasjeve të reja terapeutike.

Autorët e studimit rikujtojnë se antibiotikët u zbuluan për herë të parë në eksperimente që përfshinin mikroorganizma të tokës që në vitet 1940, kur u vu re se produktet natyrore të prodhuara nga një organizëm në tokë mund të pengonin rritjen e një tjetri.

Edhe pse shumë prej këtyre substancave janë modifikuar dhe janë kthyer në ilaçet që përdoren sot, toka mbetet një nga burimet më të mëdha të prodhuesve të rinj të antibiotikëve. Ajo është aq e pasur me mikroorganizma, sa që vlerësohet se rreth 99 për qind e banorëve mikrobikë të saj ende nuk mund të kultivohen në laborator.

Megjithatë, sipas studiuesve, mënyra se si ndryshimet mjedisore në ekosistemet e tokës mund të nxisin rezistencën ndaj antibiotikëve mbetet ende pak e kuptuar.

Për të hetuar këtë lidhje, Xiaoyu Shan, studiues postdoktoral në Caltech dhe autor kryesor i studimit, ndërtoi një program kompjuterik që analizoi të dhëna publike mbi sekuencat mikrobike në mostrat e tokës, duke kërkuar gjenet që mundësojnë prodhimin e antibiotikëve të ndryshëm.

Duke përdorur të dhëna të mbikëqyrjes klinike nga 116 vende, si dhe të dhëna mbi tokën nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Evropa, studiuesit analizuan zona të ndryshme si toka bujqësore, kullota, pyje dhe ligatina.

Rezultatet treguan se frekuenca mesatare e rezistencës ndaj antibiotikëve në spitale lidhet fort me nivelin lokal të thatësisë.

Sipas studimit, një nga mekanizmat kryesorë që nxit rezistencën gjatë thatësirës është efekti i përqendrimit. Me tharjen e tokës, antibiotikët natyrorë të pranishëm në të bëhen më të fuqishëm në lagështinë e mbetur.

Por ndikimi i thatësirës nuk ndalet vetëm aty. Kërkimet tregojnë se stresi fizik që bakteret përjetojnë në kushte të thata mund të ndryshojë mënyrën se si antibiotikët veprojnë kundër tyre.

Po ashtu, periudhat e gjata të thatësisë mund të ndryshojnë ritmin e degradimit të disa antibiotikëve në tokë. Në varësi të llojit të antibiotikut, mungesa e lagështisë mund ta ngadalësojë ose përshpejtojë këtë proces.

Shan theksoi se njerëzit janë në kontakt të vazhdueshëm me tokën, qoftë përmes aktiviteteve rekreative, qoftë thjesht duke thithur pluhur.

Ai paralajmëroi gjithashtu se bakteret kanë aftësinë të transferojnë gjene tek njëra-tjetra, ndërsa gjenet e rezistencës ndaj antibiotikëve njihen për shkallën e lartë të transferimit.

Një studim i publikuar në vitin 2024 në revistën The Lancet vlerëson se mes viteve 2025 dhe 2050, rreth 39 milionë vdekje mund t’i atribuohen drejtpërdrejt rezistencës antimikrobike.

Në të njëjtën kohë, parashikimet për thatësinë sugjerojnë se deri në fund të këtij shekulli, deri në 5 miliardë njerëz mund të jetojnë në zona të thata.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *