28 Mars, 2026

Si u injorua Gjykata Kushtetuese dhe iu dorëzua regjimit të Putinit në “pjatë të artë” banditi Igor Kokunov

 Si u injorua Gjykata Kushtetuese dhe iu dorëzua regjimit të Putinit në “pjatë të artë” banditi Igor Kokunov

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, tregon se si për motive të paqarta dhe në kundërshtim me një urdhër të drejtpërdrejtë të saj, autoritetet shqiptare vijuan me ekstradimin e shtetasit rus Igor Kokunov drejt Rusisë.

Në një kohë kur për qytetarët Gjykata Kushtetuese konsiderohet si “porta e fundit” ku mund të kërkohet mbrojtje nga shteti, ky rast dëshmon një përplasje të fortë mes vendimmarrjes kushtetuese dhe veprimeve të ekzekutivit.

Sipas vendimit të siguruar nga VNA, Kushtetuesja kishte vënë në dukje se autoritetet gjyqësore në vendin tonë nuk kishin kryer një analizë të thelluar mbi rrezikun që Kokunov do të përballej në Rusi.

“Gjykata vlerësoi se gjykatat e zakonshme dështuan të kryenin një vlerësim të pavarur dhe rigoroz të rrezikut real që kërkuesi të keqtrajtohej në Rusi. Ato u mjaftuan me garanci të përgjithshme diplomatike, duke injoruar situatën e përkeqësuar të të drejtave të njeriut në Rusi pas daljes së saj nga KEDNJ-ja”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses e zbardhur për herë të parë nga VNA.

Historia nisi më 28 gusht të vitit 2023, ku Igor Kokunov u prangos në pikën kufitare të Muriqanit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Moska. I njohur ndryshe si “Vasya Bandit”, “bos i krimit” ai ishte dënuar në Rusi me 15 vite burg dhe akuzohej për drejtimin e strukturave kriminale në rajonin e Moskës.

Që prej arrestimit, Kokunov kundërshtoi ekstradimin dhe kërkoi azil politik në Shqipëri, me pretendimin se në Rusi i rrezikohej jeta. Megjithatë, gjykatat shqiptare, nga Shkodra, në Apel e deri në Gjykatën e Lartë, i dhanë “dritën jeshile” ekstradimit të tij, duke rrëzuar argumentat e avokatëve të shtetasit rus.

Por, në tetor të vitit 2024, ky kalvar i gjatë i rusit me drejtësinë shqiptare, mori një tjetër kthesë. Ishte Gjykata Kushtetuese ajo e cila vendosi pezullimin e përkohshëm të procedurave të ekstradimit, duke kërkuar që procesi të ndalej nderi në një shqyrtim të plotë të çështjes.

Pavarësisht këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, autoritetet shqiptare e vijuan procedurën dhe e dorëzuan Kokunov te autoritetet ruse. Ekstradimi i tij u krye në një interval të shkurtër kohor.

Ndërkohë që më pas vetë Gjykata rrëzoi pretendimin e autoriteteve se me dorëzimin fizik kishte humbur juridiksioni, duke arsyetuar se deri në momentin e nisjes së avionit, shtetasi rus ndodhej ende në territorin shqiptar dhe kishte hapësirë për të vënë në zbatim vendimin e pezullimit.

“Gjykata hodhi poshtë argumentin e autoriteteve për “humbje të juridiksionit” në momentin e dorëzimit fizik. Ajo konstatoi se kërkuesi ishte ende në territorin shqiptar deri në orën 18:30 (kur u nis avioni) dhe autoritetet kishin kohë dhe mjete për të ndërprerë ekstradimin pas marrjes së vendimit të pezullimit në orën 17:45. Sjellja e autoriteteve u cilësua si shkelje e parimit të luajalitetit kushtetues”, thuhet më tej në vendimin e Kushtetueses.

Qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën, duke konstatuar shkelje të rënda të të drejtave të kërkuesit:

Cenimi i nenit 25 (Trajtimi çnjerëzor dhe standardi i arsyetimit): Gjykata vlerësoi se gjykatat e zakonshme dështuan të kryenin një vlerësim të pavarur dhe rigoroz të rrezikut real që kërkuesi të keqtrajtohej në Rusi. Ato u mjaftuan me garanci të përgjithshme diplomatike, duke injoruar situatën e përkeqësuar të të drejtave të njeriut në Rusi pas daljes së saj nga KEDNJ-ja.

Cenimi i nenit 39 (Detyrimi për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës): Gjykata hodhi poshtë argumentin e autoriteteve për “humbje të juridiksionit” në momentin e dorëzimit fizik. Ajo konstatoi se kërkuesi ishte ende në territorin shqiptar deri në orën 18:30 (kur u nis avioni) dhe autoritetet kishin kohë dhe mjete për të ndërprerë ekstradimin pas marrjes së vendimit të pezullimit në orën 17:45. Sjellja e autoriteteve u cilësua si shkelje e parimit të luajalitetit kushtetues.

Rrëzimi i pretendimeve të tjera: Gjykata çmoi se interpretimi i gjykatave për identitetin e normave penale nuk ishte arbitrar. Lidhur me azilin, kërkesa u rrëzua sepse kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike administrative për të kundërshtuar refuzimin e regjistrimit të kërkesës së tij.

Përfundimi: Megjithëse konstatoi shkeljet, Gjykata vuri në dukje se shfuqizimi i vendimeve nuk prodhon më rezultat praktik pasi kërkuesi është ekstraduar tashmë, ndaj ajo u mjaftua me konstatimin e cenimit të të drejtave si një mjet për rivendosjen e dinjitetit dhe efektivitetit juridik

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *