28 Mars, 2026

Si po shuhet fshati më i madh i Përmetit

 Si po shuhet fshati më i madh i Përmetit

Katundishta, dikur ndër fshatrat më të mëdhenj të Përmetit me 400 shtëpi e qindra nxënës në shkollë, sot numëron vetëm 100-200 banorë. Një fshat që po zbrazet, ndërsa banorët thonë se po lihen në harresë.

Linjat elektrike janë të vitit 1969. Me një erë të lehtë mbetemi pa drita”, thonë ata. Rruga e shtruar vite më parë nuk mirëmbahet. Rëra bituminoze e hedhur së fundmi, sipas tyre, është sa për të harxhuar lekët. Dy protesta para Bashkisë Këlcyrë nuk kanë marrë përgjigje.

Ura prej 170 milionë lekësh është në gjendje mjerane dhe shërben njëkohësisht si digë vaditëse për 20 hektarë tokë. 

Banorët kalojnë me mjete në shtratin e lumit, duke rrezikuar jetën. “Po të prishet ura, jemi të mbaruar”, paralajmërojnë fermerët, duke folur për emisionin “Fol” në MCN TV.

Blegtoria po tkurret. Nga mijëra krerë dikur, sot kanë mbetur pak kope. “Importi na shkatërron”, thonë ata, ndërsa subvencionet i krahasojnë me vendet e rajonit ku mbështetja është më e lartë. Të ardhurat mezi mbulojnë kostot.

Shkolla është mbyllur, qendra shëndetësore mungon, të rinjtë kanë ikur. “Fshatrat i kanë lënë si pyjet pa zogj”, shprehen banorët.

Katundishta sot proteston jo për luks, por për mbijetesë. Për rrugë, drita, ujë dhe për të drejtën për të jetuar në tokën e vet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *