28 Mars, 2026

Shorti i Ligës së Kombeve, Shqipëria me fat: Ja kundërshtarët me të cilët do të ndeshet

 Shorti i Ligës së Kombeve, Shqipëria me fat: Ja kundërshtarët me të cilët do të ndeshet

Shorti i Nations League ka rezultuar me fat për Kombëtaren shqiptare.

Ekipi i drejtuar nga Silvinjo do të ndeshet me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon, në letër kundërshtarë të lehtë.

Shorti, Liga C

C1: SHQIPËRIA, Finlanda, Bjellorusia, San Marino.

C2: Mali i Zi, Armenia, Qipro, Letonia ose Gjibraltar.

C3: Kazakiztan, Sllovakia, Ishujt Faroe, Moldavia.

C4: Islanda, Bullgaria, Estonia, Luksemburg ose Malta.

Shorti, Liga B

B1: Skocia, Zvicra, Slovenia, Maqedonia e Veriut.

B2: Hungaria, Ukraina, Gjeorgjia, Irlanda e Veriut.

B3: Izrael, Austria, Republika e Irlandës, KOSOVA.

B4: Polonia, Bosnja Hercegovine, Rumania, Suedia.

Finlanda, “mace e zezë” historike

Rivali më i fortë i vazos së dytë mbetet Finlanda. Historiku i përballjeve flet në favor të tyre, me kuqezinjtë që kanë arritur vetëm 2 fitore në 7 takime, kundrejt 4 sukseseve të nordikëve. Me një bilanc golash 6-8, Finlanda mbetet pengesa kryesore për vendin e parë, teksa kujtojmë se në ndeshjet tona të fundit zyrtare (kualifikueset e Botërorit 2002), ne nuk arritëm të merrnim asnjë pikë.

Bjellorusia dhe kujtimi i vitit 2020

Me Bjellorusinë, Shqipëria ka një histori krejtësisht të balancuar: 7 ndeshje, 3 fitore për ne, 2 për ata dhe 2 barazime, me një golavarazh perfekt 10-10. Megjithatë, kujtimet më të freskëta janë pozitive. Pikërisht ndaj tyre në vitin 2020, djemtë tanë siguruan ngjitjen në Ligën B pas një fitoreje drithëruese 3-2 në Tiranë dhe një suksesi të pastër 0-2 në transfertë. Bjellorusia mbetet një skuadër fizike, por që Shqipëria e ka treguar se di ta mposhtë.

San Marino, detyrim për pikë maksimale

Nga vazoja e katërt ka ardhur San Marino, kundërshtari “perfekt” për të blinduar 6 pikë në grup. Në 4 përballje historike, Shqipëria ka regjistruar 4 fitore, duke shënuar 13 gola dhe pa pësuar asnjë. Çdo rezultat tjetër përveç fitores në këto dy ndeshje do të konsiderohej një dështim i rëndë për ambiciet e kuqezinjve.

Objektivi është i qartë, vendi i parë në grup. Ky pozicion jo vetëm që na kthen automatikisht në Ligën B, por na hap sërish rrugën për një “biletë sigurie” drejt Play-Off të Europianit 2028.

Ndeshjet do të zhvillohen në një format të ri dhe të ngjeshur. Për herë të parë, UEFA do të aplikojë “dritaren e gjatë”, ku 4 ndeshjet e para do të luhen brenda një blloku midis 24 shtatorit dhe 6 tetorit 2026, ndërsa dy sfidat mbyllëse në nëntor. Ky format kërkon një stol të gjatë dhe përgatitje të lartë fizike, pasi do të luhet çdo tre ditë.

Të mëdhatë përplasen me njëra-tjetrën

Liga A premton spektakël, me Francën e ndodhur në një grup me Italinë dhe Belgjikën. Gjermania ka “peshkuar” Holandën, ndërsa Spanja do të ketë përballë Anglinë. Nga ana tjetër, Portugalia kampione në fuqi do të ndeshet me Danimarkën, Norvegjinë e Uellsin.

Shorti, Liga A

Grupi A1: Franca, Italia, Belgjika, Turqia.

Grupi A2: Gjermania, Holanda, Serbia, Greqia.

Grupi A3: Spanja, Kroacia, Anglia, Çekia.

Grupi A4: Portugalia, Danimarka, Norvegjia, Uellsi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *