28 Mars, 2026

Shejtan budallenjtë

 Shejtan budallenjtë

Nga Lutfi Dervishi

Kemi mbërritur në një pikë të çuditshme: nuk mbrohet më ajo që është e drejtë, por ajo që është e pambrojtshme. Jo sepse ka argumente të forta, por sepse dikush ka vendosur ta mbrojë me çdo kusht. Paradoksi është i plotë: sa më të dobëta argumentet, aq më e madhe zhurma.

Një tjetër pikë, sa komike aq edhe cinike, është loja me rolin e budallait. Shumë e luajnë këtë rol në publik, jo nga paaftësia, por me llogari  me lap. Strategjia është e thjeshtë: nëse një absurditet përsëritet mjaftueshëm, njerëzit fillojnë të dyshojnë te logjika e tyre.

Paradoksi i tretë, mbase më i përhapuri, lidhet me debatin. Është krejt normale që secili të ketë opinionin e vet. Problemi nis kur opinioni nuk paraqitet më si opinion, por si fakt.

Kështu po krijohet një realitet i deformuar:

faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet si fakte.

Në këtë mjedis, debati nuk synon më gjetjen e të vërtetës. Synon imponimin e një versioni të saj. Kur kjo ndodh, rrethi mbyllet: jo vetëm që mbrohet e pambrojtshmja, por sulmohet egërsisht edhe e vërteta.

Në fund mbetet vetëm një pyetje:

a është problemi se disa sillen si budallenj, apo se kanë filluar të na marrin të gjithëve për të tillë?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *