28 Mars, 2026

SHBA dhe Rusia pranë një marrëveshjeje historike bërthamore

 SHBA dhe Rusia pranë një marrëveshjeje historike bërthamore

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po i afrohen një marrëveshjeje për të vazhduar respektimin e paktit bërthamor New START edhe pas skadimit zyrtar të tij këtë të enjte, bëjnë me dije disa burime të njohura me negociatat, sipas Axios.

Marrëveshja ende nuk është formalizuar ligjërisht dhe kërkon miratimin përfundimtar nga presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Sipas burimeve, negociatat intensive janë zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit në Abu Dhabi, në kuadër të bisedimeve më të gjera për Ukrainën. Emisarët e Presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvilluar bisedime direkte me përfaqësues rusë për çështjen e New START, në përpjekje për të shmangur një boshllëk të rrezikshëm në arkitekturën globale të kontrollit të armëve.

Megjithëse traktati do të skadojë formalisht këtë javë, një zyrtar amerikan ka konfirmuar se palët kanë rënë dakord të veprojnë “në mirëbesim” dhe të nisin diskutime për përditësimin e marrëveshjes. Në praktikë, kjo do të thotë që SHBA dhe Rusia do të vazhdojnë të respektojnë kufizimet e New START për të paktën gjashtë muaj, periudhë gjatë së cilës pritet të zhvillohen negociata për një marrëveshje të re.

New START është mekanizmi i fundit madhor që kufizon arsenalet bërthamore të dy superfuqive, të cilat së bashku zotërojnë rreth 85% të kokave bërthamore në botë. Marrëveshja vendos tavane mbi numrin e armëve bërthamore të dislokuara në nëndetëse, raketa balistike dhe bombardues strategjikë, si dhe parashikon mekanizma transparence dhe verifikimi.

Në të njëjtën kohë, Komanda Evropiane e Ushtrisë Amerikane ka njoftuar rifillimin e dialogut ushtarak mes dy vendeve, i cili ishte pezulluar që nga viti 2021, në prag të pushtimit rus të Ukrainës. Edhe ky hap thuhet se ka ardhur si rezultat i bisedimeve të zhvilluara nga Kushner dhe Witkoff me palën ruse.

Nga ana e Moskës, Presidenti Putin kishte sinjalizuar më herët gatishmërinë për një zgjatje afatshkurtër të marrëveshjes. Megjithatë, Ministria e Jashtme ruse kishte shprehur pakënaqësi, duke deklaruar se disa propozime ruse ishin lënë pa përgjigje. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se Rusia është e gatshme për dialog mbi kufizimin e armëve strategjike, nëse Washingtoni tregohet konstruktiv.

Skepticizmi i Shtëpisë së Bardhë ndaj një zgjatjeje afatgjatë lidhet kryesisht me faktin se New START nuk përfshin Kinën, e cila ka një arsenal më të vogël, por në rritje të shpejtë. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përsëritur se kontrolli efektiv i armëve në shekullin XXI është i vështirë pa përfshirjen e Pekinit, ndonëse Kina ka treguar pak interes për t’u bashkuar në një marrëveshje të tillë.

Për momentin, marrëveshja e mundshme mes SHBA-ve dhe Rusisë mbetet informale, një “shtrëngim duarsh”, pasi ligjërisht një zgjatje formale e New START nuk lejohet.

Vëmendja tani është e përqendruar te vendimi përfundimtar i Presidentit Trump dhe Presidentit Putin, të cilët duhet të japin dritën jeshile për vazhdimin e respektimit të paktit dhe nisjen e negociatave për një kuadër të ri të kontrollit bërthamor.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *