Rusia është fituesja më e madhe e luftës me Iranin
Ndërsa arsyet që presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë për luftën kundër Republikës Islamike nuk qëndrojnë, tashmë është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin pritet të përfitojë më së shumti prej saj. Me rritjen e çmimeve të naftës, Rusia është në prag të përfitimeve të mëdha financiare, para të cilat do ta ndihmojnë të mbajë në këmbë luftën e saj kundër Ukrainës.
Nga Chris Patten
Ndërsa arsyetimi për luftën e presidentit amerikan Donald Trump kundër Iranit është i vështirë për t’u deshifruar, përfituesi kryesor i saj është shumë më i lehtë për t’u identifikuar: presidenti rus Vladimir Putin.
Në përpjekjen për të justifikuar veprimin ushtarak kundër Republikës Islamike, Trump dhe këshilltarët e tij janë mbështetur fort tek indinjata morale, duke i portretizuar liderët e saj si “të këqij”, duke përmendur “shtypjen brutale të popullit të vet” nga regjimi dhe duke këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol të drejtpërdrejtë në përcaktimin se kush e qeveris vendin.
Asnjë nga këto nuk i reziston shqyrtimit kritik. Shumë liderë në mbarë botën i shtypin popujt e tyre pa shkaktuar luftëra për ndryshim regjimi nga SHBA-ja. Vladimir Putin është famëkeq për vrasjen e kundërshtarëve të tij politikë brenda dhe jashtë vendit, megjithatë Trump ka bërë vazhdimisht përpjekje për ta qetësuar atë. Nëse “ligësia” do të ishte arsye e mjaftueshme për luftë, peizazhi gjeopolitik do të dukej shumë ndryshe.
Për më tepër, Republika Islamike e ka shtypur popullin e vet për dekada. Vetëm dy muaj para luftës, regjimi vrau mijëra protestues, megjithatë SHBA-ja nuk bëri asgjë. Cilado qofshin motivet e Trump-it, shqetësimi për popullin iranian nuk është mes tyre.
Po rreziku bërthamor? A mund të jetë kërcënimi që Irani të zhvillojë dhe të lëshojë armë bërthamore kundër SHBA-së aq urgjent sa të justifikojë një luftë të plotë tani? Edhe kjo duket jo bindëse. Steve Witkoff, i dërguari special amerikan për Lindjen e Mesme, ka pretenduar se Irani ishte “një javë larg” nga përvetësimi i kapaciteteve për armë bërthamore, por kjo bie ndesh me pretendimet e vetë Trump se Amerika i kishte “asgjësuar” objektet bërthamore të Iranit.
Një shpjegim më i besueshëm erdhi nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Më herët këtë muaj, Rubio u tha gazetarëve se SHBA-ja ndërmori sulme parandaluese kundër Iranit sepse inteligjenca tregonte se Izraeli ishte gati të vepronte, gjë që do të kishte shkaktuar një hakmarrje iraniane ndaj forcave amerikane.
Kjo ngre mundësinë shqetësuese që politika e jashtme e SHBA-së nuk përcaktohet më vetëm nga presidenti i zgjedhur, por edhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Për ata që e njohin historinë, ideja që Izraeli mund të ndikojë në politikën e jashtme të SHBA-së mund të sjellë ndërmend mënyrën se si nacionalizmi serb ndihmoi në tërheqjen e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë në atë që më vonë u bë Lufta e Parë Botërore.
Për të kuptuar se si marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Iranit janë bërë kaq armiqësore, duhet të kthehemi pas në vitin 1953, kur SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar organizuan përmbysjen e kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Iranit, Mohammad Mossadegh, dhe rikthyen në pushtet Shahun Mohammad Reza Pahlavi. Motivi, edhe pse i fshehur në atë kohë, ishte i thjeshtë: qeveria e Mossadegh-ut kishte ndërmarrë hapa për të nacionalizuar industrinë e naftës së vendit, e cila dominohej nga kompania Anglo-Iranian Oil Company e kontrolluar nga Britania.
Sundimi gjithnjë e më brutal dhe i korruptuar i Shahut e bëri atë thellësisht jopopullor, me opozitën që përfshinte edhe lëvizje islamiste, liderët e të cilave – më i njohuri ndër ta, udhëheqësi i ardhshëm suprem Ruhollah Khomeini – kishin kaluar vite në mërgim. Deri në vitin 1979, demonstratat masive dhe grevat mbarëkombëtare përfshinë miliona iranianë, duke detyruar Pahlavi-n të largohej dhe duke hapur rrugën për Revolucionin Islamik, gjatë të cilit forcat e Khomeini-t vranë, burgosën ose detyruan të shkonin në mërgim liberalët dhe të majtët që kishin ndihmuar në rrëzimin e Shahut.
Ajo që pasoi ishte një përkeqësim i shpejtë dhe i ashpër i marrëdhënieve midis Iranit dhe SHBA-së, i nxitur nga pushtimi i ambasadës amerikane në Teheran dhe kriza e pengjeve që përcaktoi presidencën e Jimmy Carter. Megjithatë, në dekadat që pasuan, pati momente afrimi të kujdesshëm, ndërsa liderë më moderuar iranianë si ish-presidenti Mohammad Khatami kërkuan një angazhim më të madh me Perëndimin.
Megjithatë, këto përpjekje nuk sollën reagimin pozitiv që liderët më të mederuar iranianë kishin shpresuar. Përparimi i dukshëm do të kishte forcuar pozitat e tyre, duke u mundësuar t’u tregonin radikalëve se kufizimi i ambicieve bërthamore të Iranit mund të sillte përfitime konkrete.
Në vend të kësaj, SHBA-ja dhe fuqitë e tjera perëndimore kanë humbur vazhdimisht mundësinë për një kompromis të negociuar. Marrëveshja e vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), që vendoste kufizime mbi programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, përfaqësonte mundësinë më të mirë për këtë, por Donald Trump u tërhoq prej tij në vitin 2018. Si rezultat, SHBA-ja tani e gjen veten duke u përpjekur ta detyrojë Iranin me bombardime të pranojë kushte që i kishte siguruar përmes negociatave më shumë se një dekadë më parë.
Cilado qofshin arsyet pas luftës, tashmë është e qartë se kush po fiton. Ekonomia e Rusisë, e dobësuar rëndë nga vite sanksione dhe kostot e luftës së saj në Ukrainë, tani është në prag të përfitimeve të mëdha nga rritja e çmimeve të naftës. Me furnizimin global të ndërprerë nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, administrata e Donald Trump ka hequr përkohësisht sanksionet ndaj dërgesave të naftës ruse, duke forcuar regjimin e Vladimir Putin.
Në të njëjtën kohë, Rusia raportohet se po e këshillon Iranin për taktikat e dronëve, duke u bazuar në përvojën e saj në fushëbetejën në Ukrainë. Ky koordinim më i ngushtë mund të rrisë aftësitë më të gjera të Rusisë, përfshirë kapacitetin për të destabilizuar vendet evropiane të NATO-s përmes sulmeve kibernetike dhe për të kryer operacione të fshehta duke përdorur forca të ndërmjetme.
Ndërsa lufta e pamenduar mirë e Trump po forcon pozitën e Putinit, përpjekjet e Bashkimit Evropian për të mbështetur Ukrainën po minohen nga brenda. Së fundmi, kryeministri hungarez Viktor Orban ka kërcënuar të bllokojë një paketë të re ndihme financiare për Ukrainën. Mungesa e një mbështetjeje të unifikuar perëndimore për luftën SHBA-Izrael kundër Iranit ka thelluar gjithashtu përçarjet brenda NATO-s, duke dobësuar më tej kohezionin e aleancës.
Duke pasur parasysh mospëlqimin e Trump-it për diplomacinë, është e vështirë të shihet se si kjo spirale në rënie mund të përmbyset ndërsa ai është në pushtet. Për ata prej nesh jashtë SHBA-së, zgjedhjet e mesmandatit në nëntor mund të ofrojnë të vetmen shpresë reale për ndryshim.