28 Mars, 2026

Realiteti shqiptar: Një biznesmen që kthehet në grabitës banke

 Realiteti shqiptar: Një biznesmen që kthehet në grabitës banke

Një ngjarje e rëndë u regjistrua paraditen e kësaj të enjte në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, ku një sipërmarrës në fushën e ndërtimit tentoi të grabisë një bankë të nivelit të dytë.

Autori Bardhyl Fusha, 58 vjeç, me origjinë nga Librazhdi dhe prej vitesh banues në Tiranë ka deklaruar në polici se vështirësitë e tij financiare dhe borxhet e detyruan atë që të shkonte drejt këtij akti ekstrem.

“Kam borxhe”, mësohet të ketë thënë ai në Komisariat.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:15, në një bankë të nivelit të dytë, “Fibank”, e pozicionuar pranë Pallateve Delijorgji, në Rrugën e Kavajës. Sipas informacioneve, 58-vjeçari është futur i armatosur në ambientet e bankës dhe për të frikësuar punonjësit, ka qëlluar një herë me armë zjarri në dysheme. Nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.

Nën kërcënimin e armës, ai ka arritur të marrë nga arka shumën prej rreth 20 milionë lekësh të vjetra, të cilat i ka futur në një çantë shpine. Pamjet e siguruara nga mediat tregojnë çantën e autorit të mbushur me para, si dhe momentin kur efektivi i Policisë, me armën e drejtuar ndaj tij, i bën thirrje të ulë armën dhe të dorëzohet.

Megjithatë, plani i tij për t’u larguar dështoi. Shërbimet e Komisariatit nr. 2 ndërhynë menjëherë pas njoftimit dhe e neutralizuan autorin në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. 58-vjeçari është prangosur në vend, ndërsa Policia ka sekuestruar armën e zjarrit dhe shumën e parave të grabitura. Në media është publikuar edhe fotoja e Fushës, i cili shihet në automjetin e Policisë i prangosur.

“Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Autori është shoqëruar në Komisariat dhe është sekuestruar arma e zjarrit. Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin”, njoftoi Policia më herët për këtë ngjarje.

Sakaq hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa dyshohet se situata e rënduar financiare dhe borxhet e akumuluara kanë qenë motivi kryesor që e shtynë sipërmarrësin e ndërtimit drejt këtij akti të rëndë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *