28 Mars, 2026

Pse po na bien rrugët

 Pse po na bien rrugët

Nga Orgen Peci

Edhe kur nuk kishte fare shifra fiktive si sot të cilat në Shqipëri e kanë çuar çmimin për kilometër mbi 20 milionë euro, shumë më lart se mesatarja kontinentale, prapë kishte vjedhje.

“Vjedhja më e zakonshme te rrugët në Shqipëri është bërë dhe vazhdon të bëhet te trashësia” – është mendimi i një inxhinieri projektues me të cilin u konsultova përpara këtij shkrimi.

Më shpjegoi që nëse projekti parashikon 20 cm stabilizant dhe 10 cm asfalt, në terren shpesh hidhen 12 cm stabilizant dhe 6 cm asfalt. ​Diferenca në kosto shkon në xhepat e kompanisë dhe zyrtarëve, por rruga humbet aftësinë mbajtëse. Pa trashësinë e duhur, asfalti pëson “fadilje” (valëzime) dhe çarje sapo vijnë shirat e parë të rrëmbyer.

Pastaj vjen teatri i “mbikëqyrjes” dhe kolaudimit. ​Ky është një tjetër problem i madh i sistemit. Kompanitë mbikëqyrëse paguhen nga shteti për të kontrolluar cilësinë, por në realitet mbikëqyrësit janë të lidhur me vetë ndërtuesin ose janë nën presion politik.

Ata firmosin ditarët e punimeve pa qenë fare në kantier, duke legalizuar materiale jashtë standardit (si zhavorri i Shkumbinit) si materiale të certifikuara.

Gabimet në projektim dhe në gjeologji janë një tjetër pikë shumë pak e diskutuar në publik. ​Shumë projekte bëhen “copy-paste” ose me studime gjeologjike sipërfaqësore për të kursyer kohë. Nuk llogaritet siç duhet drenazhimi (largimi i ujit). Ndaj shumë shpesh rrugët tona, nuk i shkatërron makina, por uji që mbetet nën asfalt. Kur baza (zhavorri i lumit) laget, ajo kthehet në baltë dhe asfalti “thyhet” si biskotë.

​Përveç kësaj, gërryerja e lumenjve për rrugë, siç ka ndodhur së fundmi me Shkumbinin, krijon një dëm të dyfishtë sepse​shkatërron edhe ekosistemin dhe shtratin e lumit.

Pra rrugët tona nuk shemben nga “terreni i keq” apo nga moti. Fundja këto duhen parashikuar që në projektim. Pastaj është dhe mirëmbajtja. Fondet vjetore për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri janë jashtëzakonisht të larta. Ku shkojnë?

Thënë shkurt, rrugët tona shemben sepse janë projektuar jo si vepra afatgjata, por si skema financiare të maksimalizimit të fitimit. Të jemi të sigurtë që nëse Korridori VIII po ndërtohet me zhavorrin e Shkumbinit, nuk po ndërtojmë një vepër shekullore.

Po shtrojmë një tjetër rrugë që do të ketë nevojë për “mirëmbajtje” (lexo: para të tjera nga buxheti) që në vitin e dytë të punës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *