Pse kurdët mund të jenë “çizmet në tokë” në Iran
Ndërsa sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj objektivave në Irani vijojnë për të gjashtën ditë radhazi, vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë te mundësia e një ndërhyrjeje në terren.
Por sipas zyrtarëve dhe grupeve opozitare, nëse do të ketë “çizme në tokë” në Iran, ato mund të mos jenë amerikane, por kurde.
Grupet opozitare kurde iraniane, të vendosura në veri të Irakut, kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare se prej dekadash kanë plane për të hyrë në Iran dhe për t’u përballur me regjimin në Teheran.
Megjithatë, ata mohojnë raportimet se luftëtarët e tyre kanë kaluar tashmë kufirin.
“Kemi 47 vjet që përgatitemi për këtë moment, që nga krijimi i Republikës Islamike”, deklaroi Hana Yazdanpana nga Partia e Lirisë së Kurdistanit (PAK), një prej grupeve kryesore të armatosura kurde.
Ajo theksoi se deri tani “asnjë peshmerga nuk ka lëvizur”. Termi peshmerga, në gjuhën kurde, do të thotë “ata që përballen me vdekjen”.
Sipas saj, gjashtë organizata kurde opozitare kanë formuar së fundmi një koalicion dhe po koordinojnë veprimet politike dhe ushtarake.
“Askush nuk lëviz vetëm. Nëse vëllezërit tanë do të lëvizin, ne do ta dimë”, tha ajo, duke shtuar se një ndërhyrje e mundshme nuk pritet të ndodhë menjëherë.
Liderët kurdë thonë se një operacion i tillë do të ishte i pamundur pa mbështetje ajrore nga SHBA-të.
Ata kërkojnë krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi rajonet ku mund të veprojnë luftëtarët kurdë dhe shkatërrimin e depove të armëve të regjimit iranian.
“Në të kundërt do të ishte vetëvrasje”, tha Yazdanpana, duke theksuar se armët më të avancuara që disponojnë janë pushkët automatike.
Ndërkohë, tensionet janë rritur edhe më shumë pasi Irani ka goditur me raketa bazat e disa grupeve kurde në veri të Irakut.
Në një nga sulmet, një raketë balistike goditi një bazë të PAK, duke vrarë një luftëtar dhe duke detyruar disa grupe të zhvendosin forcat për të shmangur sulme të tjera.
Për disa liderë kurdë, dobësimi i strukturave të sigurisë së regjimit, veçanërisht të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), mund të krijojë një mundësi të rrallë për ndryshim politik në Iran.
Mustafa Mauludi nga Partia Demokratike e Kurdistanit të Iranit tha se edhe pse lufta nuk nisi për interesat e kurdëve, ajo mund të hapë një dritare për ta.
“Amerika dhe Izraeli nuk e filluan këtë luftë për ne, por nëse godasin bazat e Gardës Revolucionare, kjo do të na ndihmojë të hyjmë”, deklaroi ai.
Megjithatë, shumë kurdë mbeten skeptikë ndaj aleatëve perëndimorë për shkak të përvojave të kaluara.
Kurdët e kanë parë shpesh veten në koalicion me aleatët perëndimorë – si gjatë luftës kundër ISIS – vetëm për t’u braktisur më pas kur interesat gjeopolitike ndryshojnë.
Për këtë arsye, një shprehje e njohur kurde thotë: “Nuk kemi miq përveç maleve”.
Një ndërhyrje e mundshme e forcave kurde në Iran do të kishte pasoja të mëdha për rajonin. Qeveria e Irakut ka deklaruar se nuk do të lejojë që territori i saj të përdoret për sulme kundër Iranit, nga frika se konflikti mund të përhapet përtej kufijve.
Megjithatë, ndërsa lufta vazhdon dhe presioni mbi regjimin në Teheran rritet, disa liderë kurdë besojnë se momenti për të vepruar mund të jetë më pranë se kurrë.