Pse ka rëndësi Groenlanda
Një çështje dominoi Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos: kërcënimet e presidentit Donald Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës nga SHBA-ja. Shpallja e një marrëveshjeje të shkurtër midis presidentit Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ishte një lajm i mirë – edhe nëse rezulton të jetë vetëm një mbulesë për një tentativë të dështuar për shfrytëzim tokësor – sepse z hurma e shkaktuar nga retorika e Trump-it po errësonte një shqetësim gjeostrategjik real dhe serioz..
Pa një prani të fortë amerikane në ishull, argumenton Trump, Kina dhe Rusia mund të shfrytëzojnë dobësinë e tij. Siguria e Arktikut dhe mbrojtja nga raketat balistike do të minoheshin të dyja.
Por sugjerimi se Rusia apo Kina kanë plane për të sulmuar, pushtuar apo në ndonjë mënyrë komprometuar ishullin në dëm të SHBA-së është i ekzagjeruar. Groenlanda është një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, jo një bazë operacionale e fuqive armiqësore. Mund të nevojitet të bëhet më shumë për të forcuar mbrojtjen e Groenlandës, por të pretendosh se ajo është për t’u marrë nga SHBA-ja ose nga rivalët e saj të mëdhenj është të injorosh NATO-n dhe Nenin V të saj, mekanizmin e mbrojtjes kolektive të Aleancës.
Vlera e vërtetë strategjike e Groenlandës qëndron kryesisht te siguria e Arktikut. Ishulli shtrihet në skajin perëndimor të korridorit Groenlandë-Islandë-Mbretëri e Bashkuar, një rrugë detare kritike përmes së cilës nëndetëset dhe anijet e sipërfaqes së Flotës Veriore të Rusisë duhet të kalojnë për të arritur Atlantikun e Veriut. Kjo e bën ishullin, më të madhin në botë, qendror për aftësinë e NATO-s për të monitoruar dhe, në rast nevoje, për të kufizuar forcat detare ruse.
Për më tepër, me shkrirjen e akullit arktik, afërsia e Groenlandës me rrugët e mundshme transpolare dhe në latitudë të lartë rrit edhe më shumë rëndësinë e saj si pikë e avancuar për të ruajtur linjat e hapura të komunikimit detar. Ajo gjithashtu ka një pozicion unik për paralajmërimin e hershëm të raketave balistike dhe për mbrojtjen balistike të tokës amerikane.
Megjithatë, kontrolli mbi ishullin nuk është një kusht paraprak për të realizuar potencialin e tij strategjik. Sipas marrëveshjes ekzistuese të mbrojtjes së vitit 1951 midis SHBA-së dhe Danimarkës, Amerika tashmë ka autoritet të gjerë për të vendosur forca, ndërtuar dhe përmirësuar baza, si dhe për të operuar sisteme paralajmërimi për raketa nga Groenlanda. Në një periudhë gjatë viteve të hershme të Luftës së Ftohtë, SHBA-ja kishte 17 baza në Groenlandë.
Sot, SHBA-ja ka vetëm një bazë në Groenlandë që operon e vetme, jo sepse danezët i ndaluan amerikanët, por sepse SHBA-ja i mbylli dhe i la vetë. Liderët politikë të Groenlandës dhe Danimarkës kanë bërë të qartë se do të ishin të lumtur të kishin përsëri praninë ushtarake amerikane, por jo në kurriz të sovranitetit të tyre kombëtar. E vetmja gjë që SHBA-ja duhet të bëjë është ta kërkojë këtë.
E vërtetë, marrja e Groenlandës do të rriste ndjeshëm madhësinë e Amerikës. Edhe pse Groenlanda duket shumë më e madhe në hartën tradicionale të Mercator-it, gjë që mund të jetë pjesë e atraktivitetit të saj, me rreth 2.2 milion kilometra katrorë, ajo është sa rreth 22% e madhësisë së Shteteve të Bashkuara aktuale, duke shtuar një sipërfaqe toke të ngjashme me zgjerimet territoriale të mëdha të shekullit të 19-të.
Por Groenlanda, 80% e së cilës është e mbuluar përherë nga akulli, ka pak gjasa të sigurojë pasuri të mëdha. Megjithëse pati entuziazëm të hershëm për potencialin e saj minerar, Trump duket se e kupton se klima e ashpër dhe infrastruktura e kufizuar e ishullit e bëjnë të pamundur që ai të jetë një prioritet për prodhimin e mineraleve kritike.
Megjithatë, Trump gjithashtu sheh kontrollin e SHBA-së si një formë shpërblimi për rolin amerikan në çlirimin e Evropës nga nazistët dhe në mbrojtjen e saj që atëherë përmes NATO-s, të cilën ai e sheh vetëm si në shërbim të interesave evropiane. Por rrjeti i aleancave të Amerikës, kryesisht NATO-ja, është një avantazh themelor ushtarak. As Kina, as Rusia nuk kanë asgjë të ngjashme.
Trump nuk e vlerëson shumë këtë asimetri. Dhe në Davos, ai shkoi edhe më tej duke vënë në dyshim vendosmërinë e aleatëve të NATO-s për të mbrojtur SHBA-në në rast sulmi.
Por këtu ekziston një e dhënë historike. Kur për herë të parë dhe të vetme në histori u përdor Neni V pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, mijëra trupa aleate të NATO-s u vendosën në Afganistan. Danimarka, me një popullsi më të vogël se Los Anxhelesi, vetë vendosi mbi 18,000 ushtarë për të luftuar krah amerikanëve, duke pësuar një nga normat më të larta të humbjeve për frymë midis forcave aleate në luftë. Shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë Danimarkën, luftuan gjithashtu krah forcave amerikane në Irak.
Dhe ndërsa më parë mund të kishte bazë për pakënaqësinë e Trumpit ndaj angazhimit të shumicës së vendeve të NATO-s për shpenzimet për mbrojtje, barra tani po rishpërndahet. Në bazë për frymë, SHBA-ja nuk është më shpenzuesi më i madh i aleancës (Norvegjia është). Për më tepër, të gjithë aleatët e NATO-s shpenzojnë tani të paktën 2% të PBB-së së tyre për mbrojtje, dhe verën e kaluar ata, me përjashtim të Spanjës, ranë dakord për një objektiv të ri prej 5% deri në vitin 2035, me 3.5% të shpenzuar për mbrojtjen bazë.
Dyshimet e Trump për vlerën e NATO-s injorojnë gjithashtu se si aleanca e lejon SHBA-në të shfrytëzojë burimet e vendeve të tjera për t’i shërbyer interesave amerikane. Integrimi ushtarak me NATO-n e lejon SHBA-në të vendosë kapacitete të interoperueshme ushtarake në shkallë globale. Trump mund të ketë qenë kundër luftërave në Irak dhe Afganistan, por për rastin e mundshëm që Amerika të duhet të shkojë në luftë në të ardhmen, do të ishte mirë që ajo të kishte aleatë.
Kur vjen puna te zgjidhja e mosmarrëveshjes për Groenlandën, një marrëveshje mund të marrë forma të ndryshme. Për shembull, Shtetet e Bashkuara kanë një marrëveshje të përhershme qiraje me Kubën për Gjirin e Guantanamos që nga viti 1903. Dhe pavarësisht kërkesave të Kubës për t’ia rikthyer tokën, ajo mund të përfundojë vetëm me marrëveshje të përbashkët, ndryshe nga bazat e tjera ku forcat amerikane janë tërhequr me kërkesë të qeverisë pritëse.
Zona e Kanalit të Panamasë mund të ofrojë një model alternativ. Për shumicën e shekullit të 20-të, Panamaja e lejoi SHBA-në të kontrollonte kanalin dhe pesë milje nga të dyja anët e tij. Një shembull tjetër që vjen në mendje janë bazat britanike në Qipro, të cilat konsiderohen territor sovran britanik.
Një aset në Groenlandë merr pak ose aspak vëmendje: ishulli ka disa nga fushat më veriore të golfit në botë. Një e tillë ndodhet në skajin e një ish-baze amerikane në Kangerlussuaq që mundo të kishte nevojë për ca investime. Çdo propozim që përfshin edhe sportin e preferuar të Trump-it mund ta bëjë marrëveshjen më të këndshme.