Pse janë çmimet e larta, pse varfërohet populli?
Nga Artan Fuga
Nuk ka një mijë arsye. Ka vetëm një. E kanë studjuar ekonomistët e mëdhenj të shekullit të 19-të, nuk ka nevojë të shpiket rrota.
Aryseja: Monopoli dhe konkurrenca e shkatërruar. Ndreqen ato dhe gjithçka merr fund.
Atëhere shkurt flasim për tre nivele ekonomike.
Niveli i parë: Biznesi i madh në shërbime, energji, komunikacion, etj. Sundon ose monopoli, ose oligopoli, ose kartelet ku operatorët çakej merren vesh mes tyre madje në mënyrë automatike nëpërmjet Inteligjencës Artificiale. Mbajnë çmime shumë të larta. Mbipasurohen kurse njerëzve litari i varfërisë në fyt!
Niveli i dytë: Marrëdhëniet midis biznesit të vogël, fundor, dhe bizneseve të mëdha. Marrëdhënie konkurrenciale asimetrike. Do të furnizohesh shoku? Do ta marrësh me çmim të lartë te grosisti, pastaj shite sa të duash. Por, shitësi i vogël nuk e rrit dot edhe më shumë çmimin se nuk ja blen njeri. Prandaj ka marzh varfanjak fitimi.
Niveli i tretë: Konkurrenca e shkatërruar midis bizneseve të vogla. Pesë farmaci në një rrugicë, çdo dhjetë metra një fruta perime, çdo dy metra një kafe e kështu me rradhë. Biznese varfanjake pa asnjë dinamikë. Me klientelë të ndarë në një mijë pjesë. Kjo lloj ekonomie është vrastare për ata që e mbajnë.
Sa për një krodhe bukë.
Ja pra si e shkatërron monopoli, oligopoli dhe kartelet e fshehta dhe të hapura ekonominë, varfërojnë miletin, ulin dinamikat ekonomike.
Pse oligopoli dhe monopoli sundon? Sepse monopolisti, nëpunësi i lartë, politikani janë një shtresë e marrë vesh mes vetes! Ku me interesa të përbashkëta, ku me dorovitje, ku me akordim privilegjesh, ku me rryshfet e korrupsion.
Autoriteti i konkurrencës nuk ka autoritet!
Kaq është. Fare e thjeshtë. Kush do më shumë le të lexojë Rikardon, kush nuk do Rikardon të lexojë Adam Smithin, kush nuk do as Adam Smithin, ka Marksin, kush nuk do Marksin, të lexojë nobelistin Stiglitz, kush nuk do as atë të shkojë te vejë lule te busti i Stalinit te ish vila e Mehmet Shehut në bllok!