28 Mars, 2026

Pse Edi Rama nuk është një burrë shteti

 Pse Edi Rama nuk është një burrë shteti

Në politikë përdoret edhe një shprehje e madhe: “burrë shteti”. Por sa shpesh ajo përdoret me të drejtë? Në intervistën që vijon, sociologu dhe ish-ambasadori Fatos Tarifa ndalet pikërisht te ky debat, duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe vendimin për të mos mbështetur kërkesën e SPAK për heqjen e mandatit të deputetes Belinda Balluku.

Në një bisedë me gazetaren Johana Lubonja, shtrohet kjo pyetje më e.gjerë se një episod i vetëm politik. Çfarë e bën një lider të jetë realisht një burrë shteti? Përmes krahasimeve me figura historike të politikës botërore dhe me zhvillimet aktuale në Shqipëri, profesor Tarifa ofron një reflektim kritik mbi pushtetin, përgjegjësinë dhe mënyrën si ndërtohet autoriteti moral në jetën publike.

Bidedoi Johana Lubonja

Partia Socialiste vendosi ta kundërshtojë kërkesën e SPAK për heqjen e mandatit të deputetes Balluku. Ju, me një letër të hapur drejtuar pak ditë më parë deputetëve socialistë, u kërkonit të mos ndjekin verbërisht kryetarin e partisë së tyre në këtë çështje.

Po. Veç një korrigjim i vogël në pyetjen tuaj. Nuk ishte Partia Socialiste ajo që e mori këtë vendim, por kryetari i saj, një individ i vetëm, kryeministri i vendit dhe grupi parlamentar i PS-së, i cili as ka pasur dhe as ka këllqe ta kundërshtojnë atë për asgjë. 83 deputetët e PS në atë parlament janë një masë amorfe që i shkojnë pas kryetarit (me ose pa bindje), por sidoqoftë me frikë.

Nuk mendoni se mes tyre ka edhe deputetë që kanë një mendim ndryshe, të pavarur, dhe që për mandatin e znj. Balluku mund të votojnë ndryshe nga vendimi i marrë prej z. Rama?

Unë besoj se ka disa të tillë. Janë pak, sigurisht, numërohen me gishtat e njërës dorë, dhe besoj se ata do të votojnë ndërgjegjen e tyre, jo urdhrin e kryetarit.

Si e shpjegoni këtë vendim të z. Rama?

Duhet të pyesni atë. Shpjegimet që ai i dha grupit parlamentar nuk më bindin aspak; nuk bindin shumë njerëz dhe unë mendoj se nuk janë bindëse as për një pjesë të deputetëve socialistë. Por shumica e tyre do të bënin, qorrazi, çdo gjë që u thotë dhe u kërkon kryetari, sepse janë pa shtyllë kurrizore, e kanë frikë, ose e venerojnë si perëndinë e tyre, si Skënderbeun e tyre, si Ismail Qemalin e tyre, si liderin e tyre të pagabueshëm.

Dhe çfarë mendoni se do të ndodhë nëse zonjës Balluku nuk i hiqet mandati i deputetes?

Dua të besoj se drejtësia, edhe në ato kushte, do të bëjë punën e saj. Unë nuk dua një qeveri, të cilësdo parti, që ta pengojë drejtësinë. Besoj këtë duan pjesa më e madhe e shqiptarëve. Dua drejtësi për të gjithë, jo një qeveri që kërkon drejtësi selektive.

Do ja arrijë z. Rama ta shpëtojë ish-ministren Balluku nga drejtësia?

Ky është një bast që ai ka vënë me sistemin e drejtësisë, me qytetarët shqiptarë dhe me fatin e tij politik. Uroj që fati i tij të mos ndikojë në fatet e vendit.

Shumë njerëz mendojnë se z. Rama është një burrë shteti.

Një kryeministër po, por nuk mendoj se është një burrë i vërtetë shteti.

Ç’doni të thoni?

Atë çka sapo thashë. Unë nuk mendoj se kryeministri ynë është një burrë i vërtetë shteti.

Përse mendoni kështu?

Ka shumë arsye, prandaj edhe, ndoshta, më duhet t’ju përgjigjem pak gjatë. Një burrë i vërtetë shteti është një njeri me integritet, konsekuent në ato që thotë e bën dhe transparent me publikun për qëllimet e veprimeve të tij. Një burrë shteti e pranon përgjegjësinë për vendimet e gabuara që mund të marrë dhe nuk i përsërit ato. Një burrë shteti e sheh drejtimin e qeverisë si një detyrë dhe përgjegjësi ndaj interesit publik dhe atij kombëtar, jo si një e drejte që i përket vetëm atij. Një burrë shteti e drejton vendin me largpamësi, mbështetur në strategji afatgjata, jo në cikle elektoralë dhe nuk e fut vendin në krizë. Një burrë shteti di se si t’i bashkojë në një të vetme parimet, pragmatizmin dhe përgjegjësinë morale. Një burrë shteti nuk drejton i vetëm, por me të tjerë.

Një burrë shteti e forcon legjitimitetin e qeverisë së tij e të politikave të saj, nuk e rrënon atë. Një burrë shteti e lufton me vendosmëri korrupsionin, armikun më të madh të shoqërisë e të shtetit, në çdo nivel e në çdo hallkë të qeverisjes, pa justifikuar dhe mbrojtur askënd.

Një burrë shteti ndërton ura komunikimi e dialogu demokratik me kundërshtarët e tij politikë për interesa të mëdha të kombit të vet dhe nuk mjaftohet me numrat e kartonëve që ka në parlament.

Më thoni ju, cilat nga këto cilësi të një burri të vërtetë shteti shihni te z. Rama? Një kryeministër që nuk gabon kurrë, në asgjë dhe asnëherë nuk pranon asnjë përgjegjësi nuk është një burrë shteti.

Një kryeministër që 13 vite më parë premtoi të drejtonte në krye të një skuadre socialiste, por përfundoi në trajner të një ekipi basketbolli që i ndërron lojtarët shumë shpesh, sepse nuk di t’i zgjedhë. Me fjalë të tjera, krijon jo një ekip me lojtarë të mirë, që mund të fitojnë në çdo përpjekje, por një ekip me lojtarë të dobët, ose mediokër, që s’mund të mbahen në fushë veçse për disa minuta.

Kjo lloj loje çon në krizë qeverisjeje, ndërsa për shoqërinë në një krizë morale e besimi.

Cilët, sipas jush, kanë qenë burra të vërtetë shteti?

George Washington, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara dhe Thomas Jefferson, të cilët zgjodhën të mos qëndronin në pushtet më shumë se dy mandate, duke krijuar një precedent historik të transferimit paqësor të pushtetit.

Winston Churchill, i cili, me vizionin e tij, me guximin moral dhe shkëlqimin retorik e udhëhoqi Britaninë në ditët e saj më të vështira gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe formësoi rendin demokratik të pas luftës.

Konrad Adenauer, i cili rindërtoi Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore me një vizion për unitetin europian. Nelson Mandela, i cili, gjithashtu, me vullnet të lirë hoqi dorë nga pushteti pas mandatit të parë si president i Afrikës së Jugut dhe në vend të hakmarrjes punoi për paqëtiminin e shoqërisë së tij duke mundësuar të ardhmen demokratike të atij vendi.

Këta janë vetëm disa shembuj që dëshmojnë se burra të vërtetë shteti lënë gjurmë përmes vizionit dhe vendimeve që shkojnë përtej interesave të momentit apo atyre personale.

Po në politikën e jashtme, a nuk mendoni se kryeministri Rama është treguar e po tregohet një burrë shteti?

Kjo është ajo çka thotë ai vetë. Por çfarë e bën atë të tillë? Një burrë shteti i vërtetë e sheh politikën e jashtme të vendit si një politike që i shërben vendit të tij, jo interesave të veta. Ajo unë vë re është se kryeministri ynë është një diplomat ekzibicionist, që më shumë i jep rëndësi dukjes, shfaqjes në publik për të tërhequr vëmendjen e medias, sesa qëndrimeve të matura në emër e në shërbim të interesit publik, shpesh duke thyer protokollin diplomatik, siç bëri disa kohë më parë duke imituar dirigjentin e një “kori” liderësh të vendeve të BE-s sipas ritmit të himnit të Europës! Humor? Spontanitet? Mesazh? Mungesë serioziteti në një kontekst diplomatik formal?

Zgjidhni cilën përgjigje të doni. Kryeministri ynë nuk është Ronald Reagan—The Great Communicator—karizma dhe shakatë e të cilit si një aktor, me një gjuhë të thjeshtë në konferenca për shtyp ose në takime solemne, krijonin një atmosferë njerëzore të këndshme.

Ai nuk është Jacques Chirac, i njohur për sjelljen teatrale dhe shakatë e tij në ceremoni zyrtare. Nuk është as Boris Yeltsin, i cili, në një ngjarje shtetërore mbahet mend të ketë kërcyer spontanisht, ose ka qeshur me lot bashkë me presidentin amerikan Bill Clinton. Nuk është as Barack Obama, i njohur për shakatë me gazetarë ose në takime zyrtare duke treguar ngrohtësi por jo në dëm të seriozitetit të momentit. Kryeministri ynë nuk ngjan me asnjërin prej tyre.

Por ai ka krijuar marrëdhënie shumë të mira me shumë drejtues shtetesh dhe kryetarë qeverish në Europë dhe jashtë saj.

Mos keni parasysh këtu edhe “Bibin”, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu? A nuk është ai në kërkim me një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare qysh nga nëntori i vitit 2024 me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me konfliktin në Gaza.

Por, Presidenti Trump e priti Kryeminsitrin Rama në Uashington. A nuk është kjo një arritje diplomatike për të dhe për qeverinë shqiptare?

E priti? Si? Ku? Përse? Jo në një vizitë shtetërore apo zyrtare. Jo në Zyrën Ovale apo Shtëpinë e Bardhë, por në Institutin amerikan të Paqes, që tani mban emrin “Donald Trump”. Dhe jo në një takim bilateral, ku të diskutoheshin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Sigurisht, këto janë të vërteta. Por u prit në një takim së bashku me anëtarët e tjerë Bordit të Paqes, në mos gaboj përfaqësues nga 22 shtete.

Por ç’është Bordi i Paqes? Një tjetër OKB? Ky Bord s’është veçse një projekt politik i lidhur ngushtë me Presidentin Trump, si kryetar i përjetshëm i tij. Ka shumë pikëpyetje mbi neutralitetin dhe legjitimitetin e atij Bordi, arsye për të cilën asnjë prej vendeve të BE-së (veç Hungarisë), nuk kanë pranuar të bëjnë pjesë në të. Bordi i Paqes nuk është veçse një “One-Man United Nations”. Dhe a mund të më thoni se çfarë përfitojnë Shqipëria dhe shqiptarët nga pjesëmarrja në këtë Bord?

Këtë nuk e di.

As unë. Misioni i deklaruar i këtij Bordi është krijimi i mekanizmave të rinj për zgjidhjen e konflikteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Akti i tij i parë? Sulmi ndaj Iranit dhe një situatë shumë e rrezikshme në Lindjen e Mesme, që nëse përshkallëzohet më tej, kërcënon mbarë njerëzimin me një luftë të përbotshme.

Si gazetare që jeni, mund të më sqaroni, ju lutem: A u pyetën shtetet që përfaqësohen në këtë Bord për këtë vendim të kryeministrit izraelit dhe të presidentit amerikan?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *