28 Mars, 2026

Po nuk u distancua Rama nga Kastrati asgjë nuk do të ndodh në tregun e hidrokarbureve

 Po nuk u distancua Rama nga Kastrati asgjë nuk do të ndodh në tregun e hidrokarbureve

Nga Irena Beqiraj

Ishte mbledhur qeveria të enjte deri në darkë vonë edhe Ministrja e Ekonomisë na dha sihariqin – “Qeveria do të ulë akcizën me 20% edhe do të krijojnë rezervën e sigurisë …..”

U mbars sërisht mali i politikave të qeverisë e polli një mi !

Po le ti marrim me rradhë:

– Ulja e akcizës .

Masa e parë ulja e akcizës me 20 % nuk është gjë tjetër veçse një ndryshim në aplikimin e tvsh . Pra, THJESHT  një manovër matematikore. Nëse me parë tek  baza e tatueshme tatimore shtohej akciza 37 lek e më pas mbi të  aplikohej  TVSH-ja në masën  20% , qeveria ka vendosur të aplikojë si fillim  TVSH-në e pastaj të shtojë akcizën 37 lek !

– Rezerva e sigurisë !

Deri më sot, që nga krijimi i sektorit, janë kompanitë që duhet të mbajnë rezervën e sigurisë.  Fillimisht  rezerva që kompanitë e naftës mbanin ishte 30 ditë mesatare shitjeje dhe më pas u bë 90 ditë. Çdo fillim viti, Ministria e Energjisë, në bazë të shitjes që ka pasur çdo kompani një vit më parë, përcakton kuotën sa duhet të jetë rezerva e sigurisë.

Nëse dikush mendon se rezerva mbahet diku në ruajtje, edhe është shtesë mbi sasitë që gjenden në magazina apo pika shitje , e ka gabim. Kjo rezervë llogaritet duke marrë në konsideratë edhe sasitë që ndodhen në pikat e karburantit, sasinë në depozitë bregdetare ( magazinat e lira si Portoromano ) dhe sasinë në udhëtim. Pra, paradoksalisht  kompanitë e shumicës përmbushin kushtet ligjore të rezervës me sasinë që kanë gjendje në  pikat e karburantit, në magazinën e lire , apo në anije  .

Nuk kanë munguar kritikat e vazhdueshme të Sekretariatit të Energjisë për mënyrën e ruajtjes , llogaritjes  edhe mbikqyrjes së rezërvës së sigurisë por,  qeveria nuk ka qënë në gjendje ta krijojë atë, me gjithë premtimet për të ngritur një agjensi të rezervës hidrokarbure që prej 2019 .

Sa herë që çmimi i naftës kërcen në bursë, na shpjegohet taksat, edhe   Rama nxjerr nga sirtari i premtimeve  të  njëjtin premtim, si gratë e vjetra erashkën nga çanta . Përshëmbull 4 vite më parë na premtoi:

“Ne si qeveri, ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës sot angazhohet për të krijuar rezervën e vet të naftës duke përdorur Albpertol për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija”.

Luftërat vazhdojnë por mënyra sesi në  llogarisim, ruajmë edhe mbikqyrim rezervën vlerësohet se na siguron  rreth 15 ditë rezerva strategjike kundrejt standardit të detyrueshëm të Bashkimit Europian prej 90 ditësh importe neto.

Ky deficit kritik e bën vendin jashtëzakonisht vulnerabël ndaj çdo ndërprerjeje në zinxhirin global të furnizimit, qoftë nga kriza gjeopolitike, luhatje ekstreme çmimesh apo probleme teknike në rafineri dhe porte fqinje.

Aktualisht nuk ekziston as kuadër ligjor operacional efektiv, as kapacitet fizik i mjaftueshëm depozitimi, as mekanizëm financiar i qëndrueshëm për të mbajtur rezervat e nevojshme.

Në kushtet kur rezerva mbahet kompanitë edhe kur  tregu i naftës është  oligopol ku  62% të gjithë zinxhirit të tregut ( që nga administrimi i zonave të lira )  e mbajnë 2 kompani janë po këto 2 kompani që përcaktojnë të pa shqetësuara çmimet me të cilën kjo rezervë  shitet në treg . Pra rezerva në këtë rast nuk mund të përdoret si mekanizëm për stabilizimin e çmimit .

Megjithëse qeveria me kast e ka futur edhe opozitën në debatin e nivelit të taksave që aplikohen mbi karburantin, edhe bën sikur i ul ato ,  problemi është tregu oligopol edhe mungesa e plotë e mekanizmave për të stabilizuar çmimet  si në afat të shkurtër  edhe në afat të gjatë .

Pra shkurt për të stabilizuar goditjet që vijnë nga bursat në afat të shkurtër duhet ngritur rezerva shtetërore e sigurisë,  për të ulur çmimet në treg në afat të gjatë DUHET prishur oligopoli,  edhe më pas padyshim mund të diskutohet edhe ulja e nivelit të taksave .

Pa këtë rradhë pune, çdo qeveri do të  mbarsë në mbledhje të gjata politika  që pjellin “një mi”. Por ,  kjo rradhë pune kërkon që Kryeministri ( pavarësisht emrit ) edhe rrjedhimisht qeveria( pavarësisht kahut ) të distancohet nga Kastrati . Deri atëherë asgjë nuk do të ndodh në tregun e hidrokarbureve!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *