28 Mars, 2026

Piloti i vetëm përmetar, që u bë dhe komandant i Bazës ajrore të Kuçovës

 Piloti i vetëm përmetar, që u bë dhe komandant i Bazës ajrore të Kuçovës

I formuar që në rini në shkollën e njohur ushtarake Shkolla Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, Fatmir Meçaj hodhi themelet e një jete të ndërtuar mbi disiplinë, përkushtim dhe dashuri për atdheun.

Më pas vazhdoi Shkolla e Aviacionit, duke nisur një rrugëtim të lavdishëm në qiellin shqiptar si pilot në Bazën Ajrore e Kuçovës.

Në hapësirën ajrore të Shqipërisë ai fluturoi me dinjitet e përgjegjësi, duke u rritur në detyrë deri në gradën KOLONEL. Më pas iu besua një nga përgjegjësitë më të larta: KOMANDANT I BAZËS AJRORE TË KUÇOVËS , detyrë që e mbajti me nder deri në vitin 1996.

Ishte një drejtues korrekt, një kuadër me integritet dhe një ushtarak i respektuar nga vartësit e bashkëpunëtorët. Pilot i ditës dhe i natës, ai mishëroi profesionalizmin dhe përkushtimin e aviatorit shqiptar.

Në vitin 1997, fati i hapi një kapitull të ri, ku emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i vendosur në shtetin e Florida’s, së bashku me familjen. Larg vendlindjes, por me zemrën ne vendin e tij, punoi pa u ndalur deri në fund të jetës së tij..

Si shumë emigrantë të ndershëm, ai e ndërtoi jetën me djersë e sakrificë, duke mbetur shembull për familjen dhe komunitetin.

Për kontributin e tij të vyer në aviacionin shqiptar, në vitin 2024, në kuadrin e 73-vjetorit të Aviacionit Luftarak Shqiptar u nderua me certifikatë mirënjohjeje nga Shoqata e Aviatorëve të Shqipërisë: si pilot i ditës dhe i natës, kuadër e drejtues i lartë, koleg i respektuar.

Po në vitin 2024 iu dha titulli i lartë “Qytetar Nderi” i Tepelenës, një vlerësim që kurorëzon jetën dhe kontributin e tij në shërbim të vendit.

Fatmir Meçaj ishte mbi të gjitha një njeri i drejtë, familjar i përkushtuar dhe bir i denjë i Përmetit.

Figura e tij do te kujtohet gjithmone me respekt për uniformën që mbajti, për përgjegjësinë që përballoi dhe për jetën që jetoi me dinjitet.

Meçaj ndërroi jetë tri ditë më pare në SHBA.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *