28 Mars, 2026

Përse Kushtetuta nuk na ndihmon më

 Përse Kushtetuta nuk na ndihmon më

Nga Irena Beqiraj

Imagjinoni për një moment një vend ku gjithçka që ndodh shkruhet në dy regjistra. Njëri është trasparent i dukshëm për të gjithë: taksat që  paguhen, ligjet e zbatura apo shkelura, dënimet e vuajtura. Tjetri është i padukshëm, por shumë më i rëndë.

Një burrë vjedh bukë. Regjistri transparent shënon vjedhjen, ndërsa i  padukshmi regjistron një trup të uritur, frikën e një dyqanxhiu, një fëmijë që shikon dhe mëson se si duket mbijetesa.

Një grua “mbyll sytë” për të mbajtur punën e saj. Regjistri transparent ngre supet, asnjë ligj i shkelur. I padukshmi shënon një thyerje të besimit, një gërryerje të qetë që do të dalë në pah më vonë.

Një udhëheqës shfrytëzon pushtetin për të përfituar më shumë pushtet. Regjistri transparent e quan strategji.  Regjistri padukshëm mbushet me emra delinkuetësh që nuk do të shqiptohen kurrë me zë të lartë.

E pra, regjistri i dukshëm është një hartë, një përfaqësim simbolik i një territori ku ndahet e e drejta me të gabuarën,  por ai nuk është territori.

Ndërsa regjistri i padukshëm është thelbi  i karakterit kolektiv  dhe themelor të kombit: fryma e tij publike, mënyra e jetesës dhe kuptimi i përbashkët i autoritetit dhe ligjeve morale të së drejtës dhe të gabuarës. Shkurt ai është  territori simbolik ku operon kombi .

Sipas pikëpamjes tonë  Kushtetuta mbetet një tekst i shenjtë, gati magjik që përcakton të drejtat tona dhe i mbron ato duke kufizuar fuqitë e qeverisë. Fjalët në faqet e saj janë ngritur në një status gjysmë transcendent, sikur të ishin një formë shkrimi i shenjtë i pajisur me autoritetin e tyre sovran. Ky autoritet përcakton rregullat çfarë është e lejueshme e çfarë jo, dhe njerëzit e mençur të veshur me rrobën e gjykatësit interpretojnë, “sola scriptura”, këto parime kombëtare.  Duke e lexuar në germë ata përpiqen të përcaktojnë  nëse ligjet veprimet apo mos veprimet e institucioneve apo individëve përputhen ose e kanë tejkaluar autoritetin që u është dhënë atyre nga Kushtetuta. Në këtë kuptim, Kushtetuta formon themelin për sundimin e ligjit.

Por, Kushtetuta nuk është një garanci se rezultatet do të jenë gjithmonë të drejta ose të kënaqshme. Ajo nuk ekziston për të zgjidhur çdo problem ose për të hequr barrën e zgjedhjeve të vështira, dhe nuk ka pasur kurrë për qëllim të na mbrojë nga mosmarrëveshjet. Ajo është menduar të përdorej nga qytetarët që e kuptojnë qëllimin e saj, që janë të gatshëm të ngadalësojnë gjërat duke u rezistuar zgjidhjeve që duken të drejta, por që e dobësojnë në heshtje sistemin .

Pas gjithë kësaj fshihet një e vërtetë e pakëndshme. Një Kushtetutë nuk mund të shpëtojë një popull që pret që ajo të bëjë punën për ta. Ajo mund të kufizojë pushtetin, të kanalizojë autoritetin dhe të krijojë hapësirë ​​për liri, por ajo nuk mund të prodhojë virtytin.

Por mbi të gjitha ajo nuk mund të funksionojë kur fryma mbi të cilën  është projektuar ndryshon katërcipërisht  nga ajo mbi të cilën një shoqëri operon .

Fryma me të cilën ne qeverisemi, është tërësisht e  ndryshme nga ajo që përshkruhet në çdo Kushtetutë e  një vendi demokratik. Ne e kemi  humbur sensin sesi është projektuar e sesi duhet të funksionojë sistemi demokratik , pasi realiteti i  brendshëm i përshkruar në regjistrin  e padukshëm  tregon se  llogaridhënia, përgjegjësia edhe transparenca të cilat janë thelbësore për demokracinë  edhe për funksionimin e ligjit bazë të saj Kushtetutës, janë braktisur njëherë e mirë . Të pa aftë për ta korrigjuar ketë anomali me veprime politike demokratike na ka mbetur vetëm të gjykojmë  interpretimet , arsyet, shtysat dhe vendimet e gjyqtarëve kushtetues  .

Ndarja e konstitucionalistëve tanë për çështjen ” Balluku”,  është një rast që  përtej çdo skenari tjetër tregon se ndërsa fryma me të cilën qeverisemi edhe drejtohemi nuk ka asnjë lidhje me virtytet edhe territorin moral një shoqërie demokratike  Kushtetuta, dhe të gjitha llojet e ligjmëritë kushtetuese që rrjedhin prej saj, mbeten një dekor juridik që nuk mund dhe nuk do të na shpëtojnë më .

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *