Përplasjet në Shtëpinë e Bardhë: JD Vance ishte kundër goditjes ndaj Iranit
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ishte një nga zërat skeptikë brenda Shtëpisë së Bardhë përpara vendimit të presidentit Donald Trump për të ndërmarrë sulme ushtarake ndaj Iranit, sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës që folën për POLITICO.
Megjithëse publikisht ai ka mbrojtur operacionin amerikan kundër Iranit, burimet në administratë thanë se Vance kishte shprehur rezerva gjatë diskutimeve paraprake në Shtëpinë e Bardhë, duke reflektuar skepticizmin e tij të hershëm ndaj ndërhyrjeve ushtarake amerikane jashtë vendit.
Një zyrtar i administratës tha se Vance ishte “skeptik”, “i shqetësuar për suksesin” dhe në thelb “kundërshtonte luftën me Iranin”.
Megjithatë, një zyrtar tjetër theksoi se roli i tij ishte të paraqiste këndvështrime të ndryshme për presidentin dhe se, pasi vendimi u mor, ai u rreshtua plotësisht pas administratës.
Sipas raportimit, skepticizmi i Vance lidhet edhe me përvojën e tij si marins amerikan në Irak, e cila ka ndikuar në qëndrimin e tij kritik ndaj ndërhyrjeve të gjata ushtarake.
Ky nuk është rasti i parë kur Vance duket se ka pasur një qasje më të rezervuar ndaj veprimeve ushtarake të SHBA-ve. Në vitin e kaluar, kur SHBA-të goditën rebelët Houthi në Yemen, ai kishte shkruar në një bisedë private se e konsideronte operacionin një “gabim”.
Megjithatë, pasi sulmet ndaj Iranit nisën në kuadër të operacionit Epic Fury, Vance ka mbajtur një linjë publike mbështetëse për presidentin. Ai ka theksuar se objektivi i operacionit është “shkatërrimi i kapaciteteve bërthamore të Iranit”, duke argumentuar se kjo do të shmangë një konflikt të gjatë si në Afganistan apo Irak.
Edhe vetë Trump pranoi se mes tyre kishte një dallim filozofik në këtë çështje, duke thënë se Vance ishte “pak më pak entuziast” për ndërhyrjen, por gjithsesi mbështeti vendimin përfundimtar.
Zëdhënësja e Vance, Taylor Van Kirk, i hodhi poshtë raportimet për përçarje brenda administratës, duke thënë se shumë nga rrëfimet mbi qëndrimet e zëvendëspresidentit bazohen në rrjedhje informacioni dhe interpretime të pasakta.
Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se përpjekjet për të krijuar një ndarje mes Trump dhe Vance janë të gabuara, duke theksuar se presidenti dëgjon mendimet e ekipit të sigurisë kombëtare përpara se të marrë vendime përfundimtare.