28 Mars, 2026

Përplasja Buzhala – Rexhaj: Denigrimi është bërë normë mediatike në Shqipëri

 Përplasja Buzhala – Rexhaj: Denigrimi është bërë normë mediatike në Shqipëri

Nga Sonila Meço

Pajtimi i shpejtë mes debatuesve është i kuptueshëm në plan personal. Dhe mëse njerëzor. Por simbolikisht nuk e anullon momentin paraprirës. S’të fal rrjeti, platformat sociale.

Por mbi të gjitha, sepse s’të fal as ironia e fatit, që në studion ku po diskutohej një çështje me peshë historike dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme për drejtësinë e një lufte çlirimtare, një gazetar e një shkrimtar nga i njëjti front i asaj lufte nuk mbajnë dot nervat me sho-shoqin dhe reduktojnë logjikën në nivel instiktikesh.

Vetë tema kërkon kthjelltësi dhe disiplinë intelektuale për të rikthyer dinjitetshëm në historinë botërore rezistencën e një lufte për liri, që shpagoi padrejtësi shekujsh ndaj shqiptarëve.

Si mundet biseda që trajton çmendurinë e kërkesës për 45 vite burg për secilin komandant të UÇK-së të degradojë mes intelektualësh shqiptarë aq lehtësisht deri në banalitet?

Vetë tema është e papërpunuar kolektivisht. Dhe mundet të shkaktojë “refluks” emocional në komunikimin publik.

Por ka kohë që valvula e vetkontrollit psikologjik të shoqërisë është amortizuar. Po e rraskapit ankthi kolektiv, pasiguria, tensioni social, polarizimi, lodhja kronike nga një degradim i frikshëm kuturor.

Nervoziteti, denigrimi, përdhosja janë bërë gjuhë publike, normë mediatike.

E nëse mes Beratit e Albatrosit qe veç një incident kalimtar nga nerva çasti, të prish qetësinë fakti se një shoqëri e tërë e njeh veten në atë shpërthim.

Po ndoshta problemi nuk është as konflikti në vetvete, por fakti se madhësia e temës dhe vogëlsia e reagimit bashkëjetuan për disa sekonda në ekran, por fatkeqësisht përgjithmonë në kujtesën e pamëshirshme të rrjetit si dëshmi edhe per brezat e profecisë së Fishtës pas një shekulli: “Si janë shqiptarët? Njashtu si i don hasmi”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *