28 Mars, 2026

Për ata që janë revoltuar nga injoranca e “VIP”-ave shqiptarë

 Për ata që janë revoltuar nga injoranca e “VIP”-ave shqiptarë

Nga Sonila Meço

Njerëzia sot, si të mos kish belara plot ky vend, u skandalizua me injorancën e disa personazheve të një shtëpie televizive se nuk dinin emrin e Nënë Terezës, autorin e novelës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lahutës së Malcisë”, “Iliadës”, vendodhjen e Luvrit etj, etj. Keq, shumë keq është.

Por pse kaq habi e trandje, ç’pritej kur në një vend të tërë ka dështuar edukimi, politikat e kulturës, promovimi i artit, në një shtëpi si laborator sociologjik i këtij realiteti të banojë iluminizmi? Publiku po sillet sikur ka zbuluar papritur një skandal kulturor, ndërkohë që për vite të tëra ka jetuar shumë rehat brenda tij.

Sinqerisht, ç’prisnim nga vendi i fundit në Europë për aftësitë në lexim, matematikë e shkencë sipas PISA-s, me atë renditje ndërkombëtare të Universiteteve? Një vend pa Teatër Kombëtar, pa Galeri Kombëtare Arti? Me trashëgimi kulturore sakatuar projektesh investitorësh strategjikë? Me artin në lëngim, librin si dekor instagrami, panairet e librave si ritual me ra në sy në rrjete sociale? Me median në konkurencë me viralitetin e reels-ave e tik-tok-ut? Me Akademi Shkencash të atrofizuar, me Bibliotekë Kombëtare të zhytur në mykun e lagështirës së përmbytjeve. Me studio debatesh të ngjeshura nga njerëz klikimesh dhe qarkullimi parash të dyshimtë. Si mund t’ja lejomë vetes habinë duke ngushëlluar skandalizimin me telendisjen publike të atyre banorëve? Është një akuzë e lehtë, sepse i jep ndërgjegjes një armik të thjeshtë. Por e vërteta është cazë më e pakëndshme.

Programet reality janë pasqyra më flagrante e një kohe që ka vendosur të jetojë pa turp nga padija dhe pa respekt për veten. Ky diskutim bëhet rregullisht e me nerv edhe në Italinë fqinje dhe madje në sezonin e fundit të Grande Fratello-s u hap debati i madh se njerëzit që u skandalizuan nga injoranca e banorëve të atij spektakli ishin më së shumti ata që i kishin dhënë audiencë “kulturës” që e prodhon atë.

Është shumë e lehtë të kryqëzosh një banor të reality show-t për injorancë. Është shumë më e vështirë të pranosh se ai boshllëk është prodhuar nga një klimë e tërë shoqërore: nga politika që e përdor kulturën si dekor, nga media që e sheh dijen si pengesë për audiencën, nga institucionet që kanë hequr dorë nga misioni i tyre formues.

Big Brother nuk e krijoi këtë varfëri kulturore. Ai vetëm e ekspozoi.

Krahasojeni me një akuarium ku shoqëria sheh versionin e saj më të shpeshtë. Dhe nëse ajo që shohim aty na duket e varfër dhe banale në kulturë, ndoshta problemi nuk është tek peshqit në akuarium, por tek uji ku ata janë rritur.

Prandaj indinjata ndaj banorëve është një luks moral që na lehtëson disi të shmangim përgjegjësinë. T’u faturojme edhe frustrimet tona për si u katandisëm. Është më e lehtë të kryqëzosh disa individë në një ekran sesa të pranosh se për vite të tëra kemi toleruar një klimë padijeje e anti kulture.

Në një farë mënyre, Big Brother nuk po na tregon injorancën e disa personave, që sinqerisht nuk është larg portretit të shoqërisë sot. Vëreni me kujdes përreth, vëzhgoni kolegë, fqinjë, njerëz që ju lidh jeta. Injoranca është normë, sepse të tjera kritere kërkon një përkufizim i ri i suksesit.

E në fund, nuk më ngjan tronditëse çfarë nuk dinë ata brenda shtëpisë, por çfarë kemi harruar të mbrojmë ne jashtë saj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *