28 Mars, 2026

Për analistët që u entuziasmuan se Rama në SHBA “hoqi brekët dhe tregoi bolet”

 Për analistët që u entuziasmuan se Rama në SHBA “hoqi brekët dhe tregoi bolet”

Nga Adrian Thano

Takimi në Uashington dhe fjala e mbajtur nga Kryeministri Edi Rama po përshëndeten me entuziazëm si një akt i fortë diplomatik. Deri këtu, normale, politika ushqehet edhe me simbolikë.

Por nuk ka arsye pse një fjalim në vetvete të shihet si ndonjë akt i lartë epik, apo një lloj “zbritje hyjnore” në arenën ndërkombëtare.

U arrit deri aty sa një analist i zellshëm, emri i të cilit nis me B. në gjendje ekstaze na njoftoi se Rama në SHBA “hoqi brekët dhe tregoi bolet”! Citim literal.

Kur “analiza” zbret kaq poshtë në këto nivele pelvike, kuptojmë se argumenti ka mbetur atje lart në kokë, pa u zhvilluar fare. Lexuesi trajtohet si dikush pa tru, që duhet të mahnitet nga përmasat e organeve dhe jo nga pesha e mendjes.

Por le ta veshim prapë politikën me kostum. Ta fusim analizën në frigorifer të ftohet pak, të shohim rezultatet, jo organet, qofshin ato edhe figurative.

Pjesëmarrja në këtë Bord deri tani, është përdorur kryesisht si oksigjen imazhi për Ramën, në një kohë kur qeveria noton mes akuzave dhe skandaleve të korrupsionit. Efekt komunikimi në këto rrethana ka boll. Por efekti konkret për qytetarët është ende në draft.

Pyetja “tokësore”, nëse na lejojnë entuziastët dhe adhuruesit e anatomisë, është çfarë do fitojnë realisht qytetarët shqiptarë nga kjo “afërsi” e papritur dhe rol i ri ndërkombëtar.

Për shembull, a nuk do ishte mirë të kërkohej ashtu si fillim heqja e Shqipërisë nga ajo lista e zezë e vizave amerikane, e ardhur pak para ftesës së Trump? Ky do ishte një rezultat i matshëm, jo metaforik, i vlefshëm për mijëra qytetarë shqiptarë.

Edhe ngritja e çështjes së UÇK-së dhe gjykimit në Hagë është temë legjitime dhe e rëndësishme. Mesazhi i Ramës drejtuar presidentit amerikan “duhet të bëjmë diçka” vjen në një moment të ndjeshëm. Në rregull, megjithëse kushdo që njeh ABC-në e marrëdhënieve ndërkombëtare e di se çështje kaq delikate sa ato në Hagë, ku luhen balanca fuqish dhe drejtësie ndërkombëtare, nuk zgjidhen me fjalime në podiume. As me aktrime në disa sekonda të vjedhura nga koha e mbretit.

Zakonisht diplomacia e vërtetë, ajo që sjell rezultat në situata të tilla, ndodh në heshtje, në korridore të mbyllura dhe në prapaskena ku nuk ka kamera.

Të flasësh me zë të lartë për gjyqin e UÇK-së është “e padëgjuar” për gjenitalistët e diplomacisë. Por a ka ndikim real? Kjo do ndihet te vendimi i gjykatës, jo te decibelët e mikrofonit. Pikërisht për këtë arsye fjalimi i Ramës vlen si test. Një test praktik edhe për vetë Bordin e sapokrijuar dhe peshën reale të ndikimit të tij.

T’i lëmë mënjanë për një çast kontestimet dhe kostot dhe ta pranojmë hipotezën më optimiste, që u bë gjëja e duhur me pranimin e kësaj ftese. Shumë mirë. Tani kemi rastin ideal për matje. Me efekte, me rezultat, jo me foto, as me video-bomba, as me qafën dhe xhepat e fryrë të boletarëve.

Nëse ky Bord dhe afrimi me administratën amerikane kanë peshë reale për shqiptarët, atëherë çështja e gjyqit të katërshes së UÇK-së le të bëhet prova e parë e dukshme e ndikimit.

Aktualisht kemi një deklaratë të fortë, një skenë të madhe dhe një pritshmëri të nënkuptuar ndikimi. Shumë shpejt vjen vendimi i Hagës. A do lëviz gjë realisht? A do reagojë pushteti i atjeshëm vendimmarrës?

Nëse po, kemi një instrument ndikimi në favor të interesave shqiptare. Por nëse në Hagë, nuk ndryshon asgjë, atëherë fjalimi “historik” ishte thjesht një tullumbace që plasi në Uashington për t’u dëgjuar në Tiranë. Të akuzuarit do mbeten po aty, të vetmuar në qeli përballë padrejtësisë, larg dritave të skenës që Rama dashuron.

Ama në këtë rast, sajuesit e epopesë, që çdo lëvizje sot e kthejnë në heroizëm mitik, nesër duhet të japin llogari mbi bazë rezultati real. Meqë sot ulërijnë për forcën dhe suksesin, nesër do duhet të na shpjegojnë pse kjo “forcë” nuk vlejti për asgjë.

Efekti matet nga pasoja, jo nga amplituda e zërit apo e mikrofonit. Aq më pak nga madhësia e “boleve” që analisti B pretendon se i njeh mirë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *