PD deklaratë për arrestimin e gazetarit: Shantazhonte Belind Këlliçin prej dy vitesh, paguhej nga Veliaj
Partia Demokratike e Shqipërisë ka dalë me një deklaratë për shtyp për arrestimin e gazetarit Elio Laze, i cili sipas Policisë së Shtetit, dyshohet se i ka vënë “gjobë” një personi për t’i marrë një sasi të konsiderueshme parash, për një artikull në median e tij online.
Sipas partisë kryesore opozitare, Elio Laze ishte drejtuesi i një portali që përdorej si mjet shantazhi publik ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe Erion Veliaj. Partia Demokratike thekson se gazetari i arrestuar ishte angazhuar prej 2 vitesh në shantazhe, shpifje e linçim ndaj deputetit Belind Këlliçi.
“Ne dënojmë me forcë çdo akt kërcënimi që ka shoqëruar arrestimin e gjobaxhiut në fjalë nga elementë të lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, që kërkojnë të hakmerren dhe t’i bëjnë presion policisë për një arrest të kryer mbi prova të siguruara në mënyrë operative.
Një rrjet portalesh me emra të çuditshëm, që shpjegojnë edhe pronarët dhe qëllimet e tyre, kanë formuar një orkestër sulmi kundër deputetit Këlliçi dhe ish-anëtarëve apo zyrtarëve tanë”, thuhet në deklaratën e shëprndarë dhe nga vetë deputeti.
Partia Demokratike u kërkon gazetarëve profesionistë të distancohen nga personazhe që fyejnë emrin e tyre dhe të profesionit, dhe të rreshtohen me raportimin e së vërtetës, edhe kur ajo dëmton pushtetin.
Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë
Një rrjet shantazhuesish dhe gjobvënësish, që pozojnë si gazetarë dhe drejtojnë portale nën urdhrat dhe me paratë e qeverisë dhe krimit të organizuar, ka marrë një goditje të merituar sot. Pas një operacioni ku janë përfshirë disa institucione ligjzbatuese, Elio Laze, drejtuesi i një portali që përdorej si mjet shantazhi publik ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe Erion Veliajt, ka rënë në prangat e policisë.
Laze, në shërbim të kryebashkiakut të arrestuar dhe një rrjeti ‘të fortësh’ mediatikë, të lidhur me të, që e bëjnë natën ditë e ditën natë, vetëm për të mbrojtur sponsorët e tyre, herë Edin e herë Lalin, ishte i angazhuar prej 2 vitesh në shantazhe, shpifje e linçim ndaj deputetit demokrat Belind Këlliçi dhe një ish-anëtari të Këshillit Kombëtar të PD.
Partia Demokratike përshëndet çdo veprim të ligjit që shkon kundër mashave të krimit të organizuar, të lidhura me qarqet e pushtetit.
Ne dënojmë me forcë çdo akt kërcënimi që ka shoqëruar arrestimin e gjobaxhiut në fjalë nga elementë të lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, që kërkojnë të hakmerren dhe t’i bëjnë presion policisë për një arrest të kryer mbi prova të siguruara në mënyrë operative.
Një rrjet portalesh me emra të çuditshëm, që shpjegojnë edhe pronarët dhe qëllimet e tyre, kanë formuar një orkestër sulmi kundër deputetit Këlliçi dhe ish-anëtarëve apo zyrtarëve tanë.
Çdo sulm, çdo shantazh, çdo shkelje e ligjit, të shënohet dhe do të marrë përgjigjen sipas të gjitha prerogativave që lejon ligji.
Partia Demokratike u kërkon gazetarëve profesionistë të distancohen nga personazhe që fyejnë emrin e tyre dhe të profesionit, dhe të rreshtohen me raportimin e së vërtetës, edhe kur ajo dëmton pushtetin.