Patetizmi me “mbrojtjen” e flamurit, që ua shkeli Xhelal Mziu
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka ndarë sot në rrjetet sociale një moment nga protesta e opozitës në Tiranë, ku efektivi i repartit “Shqiponjat”, Edison Mehmetaj, u pa duke ngritur nga toka flamurin kombëtar të hedhur në rrugë.
Lamallari e cilësoi veprimin e tij si një shembull guximi dhe profesionalizmi, duke theksuar se në kushtet e tensionit, efektivi nuk ngurroi të ruante dhe të lartësonte simbolin kombëtar.
Ministri shtoi se ky gjest tregon dallimin mes atyre që shfrytëzojnë ngjarjet për tensione dhe atyre që respektojnë ligjin, rendin dhe simbolet e vendit.
“Respekte për Edison Mehmetajn, efektivin e ‘Shqiponjave’, që na dëshmoi dallimin e vërtetë mes atyre që e përdorin flamurin si mjet tregtie dhe atyre që e lartësojnë këtë vend dhe flamurin më të bukur në botë,” shkroi Lamallari, ndërsa ka postuar një video, ku shihet deputeti Xhelal Mziu, që e ka shkelur flamurin me këmbë, pa e pasur mëndjen fare.
Kaq është dashur, që në mediat pro-qeveritare të shpërndahen lajme për “skandale” me përdhosje flamuri.
Një patetizëm i shëmtuar, po të kesh parasysh se me kë kemi të bëjmë.
Një Qeveri, që ka thyer redorde për korrupsion, që ka një zv.kryeministër në arrati dhe një tjetër nën hetim nga SPAK dhe me mandatin e prerë për t’u arrestuar, por që mbrohet politikisht nga kjo Qeveri, që ka dhjetëra ministra e kryebashkiakë burgjeve apo nën hetim, për afera korruptive.
Një Qeveri që favorizon dhe mendon gjithë kohën si të pasurojë oligarkët dhe ortakët e vet, jo popullin.
Shikoni rastin e fundit të çmimit të karburanteve dhe e kuptoni.
Mos të flasim pastaj për drejtësinë, arsimin apo shëndetësinë, që janë ku thërret qameti dhe që po bëhen shkak për zbrazjen e këtij vëndi.
Flamuri nuk mbrohet me fjalë dhe patetizma, por me vepra.
Dhe këta, ashtu si dhe ata të parët, e kanë bërë copë e çikë atë flamur.