Paralajmërimi: Nafta në Shqipëri mund të shkojë 250 lekë litri
Çmimi i naftës në Shqipëri vijon të rritet në mënyrë galopante, duke kërcënuar të thyejë rekordin historik të vitit 2022 dhe duke rënduar ndjeshëm xhepat e qytetarëve.
Kryetari i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku u shpreh se situata nuk është vetëm pasojë e krizave ndërkombëtare, por rezultat i një tregu të karburanteve të kapur prej vitesh nga një grup monopolistësh, të toleruar nga politika.
Sipas tij, pavarësisht se Shqipëria zotëron pasuri nafte, mungesa e industrisë vendore të përpunimit dhe mosndërhyrja e shtetit kanë bërë që qytetarët shqiptarë të paguajnë ndër çmimet më të larta në Europë për karburantet.
Pjesë nga deklarata:
Në fakt, në rastin e Shqipërisë kemi një ndryshim të madh nga shtetet e tjera, për shkakun e thjeshtë sepse shqiptarëve Zoti u ka falur një pasuri të madhe, të cilën ne e kemi keqtrajtuar dhe keqshfrytëzuar, që ka emrin naftë. Pra, shqiptarët nuk duhet të ishin viktima, siç mund të ishin për shembull, nuk e di, gjermanët, kinezët, afrikanët që thatë ju e kështu me radhë. Në qoftë se ne do ta shfrytëzonim atë dhuratë të madhe që Zoti na e ka dhënë, por që ne e kemi grabitur ose kemi lejuar të tjerët të na e grabisin, kuptohet në bashkëpunim.
Dhe kjo është një histori që nuk fillon as sot, nuk fillon as para katër vitesh; kjo ka të paktën 20 vite që është e dukshme për të gjithë. Është një shtrirje barkas e shtetit shqiptar, e të gjitha qeverive, ndaj një grupi monopolistësh të naftës, tregtarësh të naftës, që kanë mbyllur çdo industri vendore, pra që do të na jepnin mundësi neve të shfrytëzonim naftën tonë, pavarësisht se çfarë ndodhte në tregjet ndërkombëtare.
Dhe kjo histori vazhdon dhe ne jemi në këtë gjendje. Paguajmë naftën më të shtrenjtë praktikisht në Europë, goditemi të parët nga çdo rritje e çmimit në tregjet ndërkombëtare, cilësia është dramatike dhe kontrabanda është masive. Domethënë jemi thjesht viktima të vetvetes sonë, një situatë të cilën ne e pranojmë dhe madje e votojmë me kënaqësi.
Shiko, këtu problemi është se njerëzit kanë një veti: janë të pangopur kur vjen fjala për diçka që nuk ka roje. Nafta po arrin me shpejtësi kufirin e 200 lekëve për litër. Në qoftë se lufta zgjat, parashikohet që shumë shpejt, domethënë çdo dy-tre ditë që kalon me situata problematike nga luftimet në Gjirin Persik, ku qarkullon 20% e naftës globale, pra e karburantit global, shumë shpejt do të arrijmë nivelin e 250 lekëve. Pra do të thyejmë edhe rekordin që ishte në vitin 2022, kur filloi lufta në Ukrainë.
Domethënë, zëre se nuk ka asnjë zhvillim të ri në mendjen e vendimmarrjes politike shqiptare. Pavarësisht se ne e pësuam në vitin 2022, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Lihet çdo gjë e lirë dhe, kuptohet, kur thuhet “e lirë” në Shqipëri është e barabartë me grabitje.
Domethënë të gjithë janë në mëshirën e fatit. Kjo është ekonomia liberale shqiptare, ku çmimet rriten lirshëm dhe askush nuk i thotë ndal. Natyrisht, kuptohet që ndahen edhe fitimet, edhe superfitimet nga spekulimet në tregun e naftës midis vendimmarrjes politike dhe tregtarëve monopolistë të naftës.
Shiko, këtu për të bërë diçka në fakt është shumë e thjeshtë: duhen tre gjëra. E para, duhet të duash ta bësh, gjë që ne nuk e kemi nga vendimmarrja politike. Vendimmarrja politike shqiptare nuk dëshiron ta bëjë dhe këtu flas si për pozitën, ashtu edhe për opozitën. E dyta është të dish ta bësh, dhe ju po flisni tani për këtë, duke marrë të mirëqenë që duan ta bëjnë, gjë që është e pamundur.
Por në qoftë se do ta quanin që duam ta bëjmë, këtu është fare e thjeshtë. Numri një është që Shqipëria duhet urgjentisht të fillojë të investojë për të ngritur një rafineri të vogël që të plotësonte të paktën 20-30% të nevojave të saj me naftën tonë, pra që të ishte relativisht e pavarur nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të naftës. Kjo do të na jepte një fuqi të jashtëzakonshme vendore, ekonomike dhe në aspektin e sigurisë kombëtare.
Së dyti, duhet të ngrihet një ent rregullator i karburanteve, siç e kanë shtetet e tjera. E ka Maqedonia, e ka në një farë mënyre edhe Kosova, në mënyrë që nafta, e cila është produkti më kryesor i ekonomisë së çdo vendi dhe për të cilin bëhen edhe luftra, t’i nënshtrohej një rregulli minimal që e ka çdo shtet i qytetëruar, demokratik apo jo demokratik.
E treta, është fakti që ne duhet të fillojmë urgjentisht të çmontojmë monopolizimin në tregun shqiptar. Pra, këto janë tre veprime të menjëhershme që realisht duhet të ishin marrë me kohë, por jeta vazhdon.
Unë nuk shoh ndonjë vullnet politik për të prishur këtë status quo, këtë gjendje të sotme monopoliste, tërësisht negative për qytetarët shqiptarë. Meren me fjalë të përgjithshme, “o ti, o unë në pushtet”, dhe ndërkohë harrojnë faktin që përtej politikës njerëzit kanë nevojë të ushqehen dhe kanë nevojë për ekonomi.