Një shembull që na bën me turp
Inxhinieri dhe eksperti mjedisor Abdulla Diku bën një paralelizëm të situatës së rrugëve në Shqipëri dhe ato që janë ndërtuar në rajon, jo shumë larg nga Tirana, duke nxjerr në pah standardet dhe sigurinë rrugore në Kosovë e Maqedoni.
Ai i referohet autostradës “Arbën Xhaferi” e cila lidh Prishtinën me Shkupin dhe përveç se është cilësuar si një vepër arti për shkak të tipologjisë së ndërtimit, ajo ka një ndër urat më të gjata në rajon.
“Terreni i ashpër, i pjerrët dhe lugina e ngushtë, nuk garantonin aspak hapësirë për ndërtim autostrade aty. Në vend që të coptohej mali dhe të rrezikohej stabiliteti i shpateve, inxhinierët bënë një zgjidhje më të zgjuar: ta “ngrenë” autostradën në ajër.
Kështu u ngrit ura – një varg i gjatë viaduktesh prej afro 6000 metra, që qëndrojnë mbi kolona të larta betoni, duke kaluar mbi lumin, mbi shpatet e paqëndrueshme dhe mbi gjithë pengesat natyrore të zonës. Po ashtu, ndikimi mjedisor i ndërtimit mbi lum ishte minimal”, shkruan inxhinieri.
Abdulla Diku thekson se në këtë mënyrë, autostrada shmang rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve, duke mbetur e sigurt dhe funksionale në çdo kohë.
“Por nuk ishte vetëm çështje sigurie. Autostrada kërkon një rrugë të drejtë, me kthesa të buta dhe pjerrësi të kontrolluar, diçka që terreni i Kaçanikut nuk e ofronte natyrshëm. Duke e ndërtuar në ajër, u bë e mundur krijimi i një rruge moderne, të shpejtë dhe të qetë për udhëtarët”, tregon ai.
Si inxhinier ai vlerëson se kostoja e ndërtimit rezultoi shumë e ulët për vështirësinë e madhe të ndërtimit, 10 milionë euro për 1 kilometër, kurse si ekspert mjedisi vlerëson se lumi dhe mali nuk u cënuan, por “mirëpritën” urën në gjirin e tyre, duke u shndërruar në një rrugë me standarde të mirëfillta europiane.
“Edhe pse ndërtimi i saj ishte i kushtueshëm, kjo zgjidhje shmang ndërhyrje të mëdha në natyrë dhe ul kostot e mirëmbajtjes në të ardhmen. Në fund, ura nuk është vetëm një vepër infrastrukturore, por një shembull se si inxhinieria mund të bashkëjetojë me natyrën, duke mos e sfiduar atë, por duke gjetur mënyrën për ta kapërcyer me mençuri”, përmbyll Adulla Diku.
Ndërtimi i autostradës R6 (Autostrada Prishtinë-Shkup ose Autostrada Arbën Xhaferi) filloi në korrik të vitit 2014.
Më 31 dhjetor 2016 u hapën për qarkullim 23 kilometrat e para nga Prishtina në Babush të Muhaxherëve. Më 22 dhjetor 2017 janë hapur për qarkullim edhe 11 kilometra të tjera nga Babushi i Muhaxherëve deri në Ferizaj. Në qershor të vitit 2018 është hapur për qarkullim një pjesë tjetër nga Ferizaj në Kaçanik. Në maj të vitit 2019 u hap pjesa e fundit e autostradës nga Kaçaniku deri në Han të Elezit.

