Një kurth i thjeshtë nxjerr zbuluar dy deputetët Malaj dhe Sina
Nga Orgen Peci
Dy deputetë, Malaj dhe Sina, na u prezantuan së fundmi si “mendjet” pas dy nismave ligjore. Por një emision investigativ ka zbuluar shumë thjesht që këta dy deputetë të listave janë po aq autorë të atyre projektligjeve, sa ç’është një kalimtar në rrugën para Parlamentit.
Mjeti i përdorur nga gazetarët ka qenë i thjeshtë: dy pyetje rreth ligjeve me shifra imagjinare. Ishin kurthe të ngritura për të parë nëse këta deputetë janë autorë vërtetë të ligjeve që kanë paraqitur në Parlament. Rezultati? Një komedi e zezë. As nuk e kanë lexuar atë që kanë firmosur.
Ata i pranuan shifrat e rreme si të vërteta absolute, duke argumentuar me zell “fakte” që nuk ekzistojnë në asnjë rresht të projektligjit “të tyre”.
Çfarë ka ndodhur konkretisht
Pak ditë më parë deputetja Zamira Sinaj, “ka menduar” për një shtesë në ligjin aktual për portet turistike në Shqipëri. Thelbi? Investitorët strategjikë mund të ndërtojnë edhe porte turistike vetëm me një vendim të KM, pa konkurencë dhe pa garë të hapur.
Për më tepër me ndryshimin ligjor që znj.Sinaj propozon, porti turistik do i mbetet si pronë, përjetësisht privatit. Nuk është fort e vështirë të kuptohet se përse po bëhet dhe kush përfiton.
Megjithatë, a është vërtet Sinaj autore dhe dëshirore e këtij projektligji? Shikoni si e ka provokuar gazetari dhe çfarë përgjigje jep deputetja:
Gazetari: Ju keni parashtruar që për sa i përket porteve turistike sipërfaqja e mjaftueshme që mund të shfrytëzohet një investitor strategjik është 15.000m2, mjaftojnë apo…?
“Unë mendoj se janë të mjaftueshme”, u përgjigj znj.Sinaj.
Në fakt, në projektligj nuk ekziston fare shifra 15.000m2, diçka që fare thjeshtë do të ishte e dallueshme për dikë që e ka konceptuar vetë projektligjin.
Rasti tjetër, me deputetin Malaj
Deputeti Erion Malaj, i zgjedhur nga lista e hapur e PS në zgjedhjet e 11 majit për qarkun Vlorë, propozoi këto ditë një projektligj për disa ndryshime e shtesa në ligjin aktual “Për qeverisjen elektronike”. Një nga objektivat është “forcimi i rolit të AKSHI-t si autoritet publik”.
Ky projektligj u propozua në një moment kur AKSHI është nën hetim dhe dyshime për korrupsion në shifra të jashtëzakonshme. A është vërtetl Erion Malaj autor dhe propozues?
Gazetari: Keni garantuar që në projektligj do jetë edhe trajnimi deri në 10.000 punonjës të administratës për sa i përket fushës së Teknologjisë së Informacionit. Do arrihet kjo?
“Unë uroj që po, dua patjetër që të arrihet”, tha ai.
Në fakt, të gjithë do të donim shumë që të arrihej kjo gjë, gjithmonë nëse do ishte e parashikuar në projektligj. Por ja që… nuk është!
Është e qartë që janë dy shkresëmbajtës që u është dhënë ligji në dorë dhe u është thënë: “Dil e thuaj, se këtë e ke shkruar ti!”. Këto projektligje janë hartuar në prapaskenë dhe janë paraqitur formalisht prej këtyre dy bedelëve që i thonë vetes deputetë.
Është e dhimbshme që njerëz që paguhen me taksat tona për të hartuar politika kanë këtë nivel. Por ajo që shqetëson më shumë: Shërbyes të kujt janë? Kush i ka shkruar këto ligje dhe pse?