Një gazetar që le profesionin për të punuar në qeveri nuk ka qënë kurrë gazetar!
Nga Irena Beqiraj
Për kë punon një gazetar? Punon për redaktorin , sigurisht, punon edhe për punëdhënësin , por më shumë se kaq, punon për publikun. Punon në shërbim të bindjes se të gjithë meritojnë të dinë për gjërat që ndikojnë në jetën e tyre. Çdo punë që supozohet t’u shërbejë interesave të publikut kërkon domosdoshmërisht një sërë gjykimesh morale dhe politike rreth asaj se cilat janë interesat e publikut.
Për gazetarin, këto gjykime shpesh përbëhen nga përcaktimi se ku qëndron pushteti, si përdoret ai dhe si abuzohet ai. Gazetari raporton mbi njerëz dhe institucione të fuqishme, sepse ushtrimi i pushtetit i të gjitha llojeve është një akt që ndikon në jetën e publikut, dhe publiku meriton të dijë se çfarë po ndikon në jetën e tyre.
Orientimi i gazetarit duhet të jetë “të prekësh të pushtetshmit dhe të rehatosh të vuajturit”. Gazetaria NUK ka për qëllim shkatërrimin e të fuqishmëve, por gazetaria është e detyruar t’u tregojë të gjithëve saktësisht se çfarë po bëjnë të fuqishmit, dhe kjo është gjë pushtetit nuk u pëlqen.
Hendeku midis asaj që po bëjnë të pushtetshmit dhe asaj që të pushtetshmit do të donin që të gjithë të mendonin se po bëjnë është baza ku lindi fusha e marrëdhënieve me publikun.
Duke pasur parasysh këtë, është e lehtë të përmendësh një institucion të cilit gazetarët absolutisht, po absolutisht nuk mund t’i shërbejnë kurrë: Qeverisë.
E pra nuk ke nevojë për diplomë për t’u bërë gazetar. Nuk ke nevojë as për leje nga një redaktor, as për një galeri shtypi apo një konglomerat mediatik. Ajo që të duhet është një shtyllë kurrizore, një tru që punon dhe gatishmëria për të thënë të vërtetën, edhe kur është e pakëndshme. Sidomos kur është e pakëndshme. Sepse të thuash të vërtetën dhe ti kërkosh llogari pushtetit nuk janë gjëra që mësohen në një klasë. Ato janë instinkte. Janë vlera. Ato janë produkt i përvojës së jetuar dhe qartësisë morale, jo një certifikatë e varur në mur.
Një gazetar apo një gazetare që le profesionin për të punuar në qeveri , pavarësisht çertifikatës së varur në mur, nuk ka qenë asnjëherë gazetar , ndoshta rrjedha e jetës e ka çuar në drejtimin e gabuar!