28 Mars, 2026

Një fuqi e re në Iran: Ahmad Vahidi mund të jetë figura kyçe pas skenës

 Një fuqi e re në Iran: Ahmad Vahidi mund të jetë figura kyçe pas skenës

Teksa konflikti në Lindjen e Mesme hyn në javën e katërt, një nga pyetjet më kritike për politikën perëndimore mbetet: kush po e drejton realisht Iranin?

Ndërsa vëmendja publike është fokusuar te figura të njohura politike, analiza të reja sugjerojnë se fuqia reale mund të jetë përqendruar te një emër më pak i ekspozuar – Ahmad Vahidi.

Pas eliminimit të figurave të larta të regjimit, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei dhe plagosjes së raportuar të pasuesit të tij Mojtaba Khamenei, është krijuar perceptimi i një vakumi pushteti në Teheran.

Megjithatë, pavarësisht goditjeve, strukturat kryesore të regjimit – burokracia shtetërore, Ushtria dhe aparati i Inteligjencës – vazhdojnë të funksionojnë me një nivel të lartë koordinimi.

Kjo ka nxitur spekulime në Perëndim për shfaqjen e një “njeriu të fortë” të ri.

Shumë analiza janë fokusuar te Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetar i Parlamentit dhe ish-komandant i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Por sipas ekspertëve, përgjigjja më e dukshme nuk është domosdoshmërisht e sakta.

Vahidi: figura në hije me ndikim maksimal

Ndryshe nga rivalët më publikë, Vahidi ka qëndruar kryesisht në prapaskenë. Por pikërisht kjo e bën atë potencialisht më të rrezikshëm dhe më të rëndësishëm.

Si komandant i ri i IRGC-së, ai cilësohet një besnik absolut i linjës së Ali Khamenei dhe një nga arkitektët e mundshëm të një faze të re të regjimit: militarizimin e plotë të shtetit iranian.

Karriera e tij shtrihet që nga vitet 1980 në strukturat e Inteligjencës së IRGC-së, ndërsa më vonë u bë komandanti i parë i forcës elitare Quds– krahu i operacioneve jashtë vendit.

Një profil i diskutueshëm ndërkombëtarisht

Vahidi është një figurë thellësisht kontroverse në arenën ndërkombëtare. Ai është shpallur në kërkim nga Interpoli që prej vitit 2007, në lidhje me sulme terroriste, përfshirë bombardimin e vitit 1994 në Argjentinë dhe sulmin ndaj kullave Khobar në Arabinë Saudite.

Në të njëjtën kohë, ai ka luajtur rol kyç në zhvillimin e programeve raketore dhe bërthamore të Iranit gjatë presidencës së Mahmoud Ahmadinejad.

Strategjia: militarizimi i regjimit

Një nga aspektet më pak të njohura të rolit të tij është përfshirja në hartimin e një strategjie për transformimin e regjimit iranian.

Në vitin 2018, Vahidi u vendos në krye të një institucioni strategjik për mbrojtjen kombëtare, ku zhvilloi plane për të rritur ndikimin e ushtrisë në politikë dhe administratë.

Përmes institucioneve si “Shkolla e Qeverisjes Shahid Beheshti”, synimi ishte që elitat e ardhshme politike të formoheshin nga strukturat ushtarake, duke e zhvendosur gradualisht balancën nga klerikët drejt një sistemi më të militarizuar.

Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e Iranit?

Sipas analizës, Vahidi nuk synon të zëvendësojë klerin, por ta forcojë atë përmes një aparati më të disiplinuar dhe të centralizuar ushtarakisht. Kjo do të prodhonte një regjim më të ashpër, më ideologjik dhe potencialisht më agresiv në politikën e jashtme.

Në këtë kontekst, ai mund të jetë figura kyçe që mban të bashkuar sistemin, ndërsa liderë të tjerë mbeten më shumë në plan të parë për publikun.

Ndalimi i parakohshëm i konfliktit mund të ketë pasoja afatgjata, duke i dhënë mundësi një strukture më të fortë dhe më të radikalizuar të konsolidohet në pushtet.

Një Iran i drejtuar nga një tandem si Mojtaba Khamenei dhe Ahmad Vahidi, sipas ekspertëve, nuk do të ishte më pragmatik, por më i ashpër edhe më i rrezikshëm – një model që mund të afrohej me atë të një shteti të tipit “Kore e Veriut” islamiste.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *