28 Mars, 2026

Nga Mao Ce Dun te IA, zgjidhjet e Ramës për krizën infrastrukturore të drejtësisë

 Nga Mao Ce Dun te IA, zgjidhjet e Ramës për krizën infrastrukturore të drejtësisë

Nga Vladimir Karaj

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj me një anektodë të kohës së komunizmit shqetësimit të ngritur nga kryeprokurori Olsian Çela për krizën e infrastrukturës në Prokurorinë e Tiranës dhe Gjykatën e Apelit.

“Përsa u përket këtyre problematikave tani aktuale që ju keni, se 5 vjet nuk janë pak, do bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë siç themi, se nuk kemi se çfarë bëjmë tjetër, se është si historia e vdekjes së Mao Ce Dunit,” tha Rama, duke iu referuar një ngjarjeje të supozuar të ndodhur në Kombinatin Metalurgik me punonjësit nga Kina.

Shkëmbimi ndodhi të enjten, kur qeveria mblodhi në një takim drejtues të institucioneve të drejtësisë të vendosura në Tiranë dhe prezantoi një plan paraprak për të ashtuquajturin kampus të drejtësisë, në të cilin sipas prezantimit do të vendosen 8 institucione, përfshi Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Ndërtimi i këtij kampusi, siç prezantoi kryeministri, do marrë në rastin më të mirë 5 vjet dhe do të kushtojë 100 milionë euro.

Projekti, ende në faza paraprake, u prezantua nga drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), Adelina Greca, dhe parashikohet të zërë një sipërfaqe rreth 7 hektarë aty ku ndodhet tashmë Poli i Drejtësisë, ku janë zyrat e Këshillit të Lartë Gjyqësor, atij të Prokurorisë dhe Shkolla e Magjistraturës. Sipas prezantimit, në këtë korpus do të vendosen Gjykata e Tiranës, Prokuroria e Tiranës, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Prokuroria e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykatat e Posaçme të Apelit dhe Shkallës së Parë, Gjykata Administrative dhe Gjykata Administrative e Apelit, si dhe Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë.

Rama e cilësoi atë si një prej investimeve dhe projekteve më të mëdha administrative në vend. “Këtu flasim për një shifër afër 100 milionë euro, kështu që është një operacion që nuk është bërë asnjëherë në Shqipëri”, tha ai. Rama premtoi se kampusi apo “Qendra e Drejtësisë” do ishte “një vend ku çdo prokuror dhe çdo gjykatës kur të hyjë të ndjehet njeriu më i nderuar i kësaj Republike edhe kur sheh muret”.

Nga ana e tyre, drejtues të institucioneve të drejtësisë lanë të kuptohej se ajo nuk zgjidhte problemet emergjente të gjyqësorit dhe po ashtu linte jashtë planet e vjetra të dakordësuara.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, tha në takim se prej tre vjetësh ishte rënë dakord që godina e kësaj gjykate të vendosej në zonën e Bulevardit të Ri. Sadushi tha se për këtë kishte dakordësi të Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë. Ai po ashtu theksoi se për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese ishte mirë të mos ishin pjesë e kampusit dhe të funksiononin si godina më vete. Rama pranoi planin e vjetër, por tha se ky plan i ri ishte një alternativë. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që kjo të ndryshohej.

Rama u përgjigj po ashtu me batutë kërkesave për më shumë staf, duke thënë se në 5 vjet ndihmësi ligjor do të zëvendësohej nga Inteligjenca Artificiale. Ai u kërkoi institucioneve të kurseheshin në staf dhe tha se asnjë ministri nuk kishte organigramë të plotësuar.

Prezantimi i planit në dukje luksoz për godina gjykate e prokurorie vjen në një kohë kur një pjesë e mirë e këtyre institucioneve janë në situatë krize për hapësira dhe personel. Mungesa e hapësirave dhe sallave të gjyqit dhe sigurisë është një prej shqetësimeve të ngritura prej vitesh nga vetë institucionet, por edhe KLGJ e KLP që i përfaqësojnë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *