28 Mars, 2026

Në çastet e fundit…

 Në çastet e fundit…

Nga Enver Robelli

Më 5 mars 1998 forcat serbe rrethuan familjen e Adem Jasharit dhe brenda dy ditëve vranë 58 njerëz, burra, gra, pleq, fëmijë.

28 vjet më vonë, më 5 mars 2026, një klasë politike totalisht e papërgjegjshme e ka rrethuar popullin e Kosovës dhe tallet me të.

Egoja toksike më e rëndësishme se fati i vendit.

Ambiciet personale më të mëdha se demokracia dhe liria e republikës.

Një hendek i madh mes rrenave publike dhe qëndrimeve meskine në takime larg syve të opinionit.

Mungesa e pietetit ndaj viktimave në këtë ditë tregon përbuzjen e sakrificës së tyre. Humbës e fitues – të gjithë bashkë duke e pështyrë një popull.

Më 5 mars 1998 një popull tronditej nga ushtima e armëve dhe qëndresa e një familjeje kundër një makinerie brutale policore.

Më 5 mars 2026 një popull tronditet përballë keqpërdoruesve të demokracisë dhe të institucioneve.

Të tillët së shpejti mund të dalin para qytetarëve dhe pa asnjë turp do të kërkojnë besimin e popullit, i cili jo më larg se para dy muajve, për herë të dytë brenda një viti, doli te kutitë e votimit.

Qe 13 muaj vendi faktikisht nuk qeveriset.

Administrohet.

Në çastet e fundit: improvizime për ndryshime kushtetuese.

(E neveritshme të mendohet se më shumë debat për ndryshime kushtetuese ka pasur në kohëra që nuk duam të kthehen kurrë se sa sonte).

Degradim i parlamentit në një kabinë llafesh.

Që nga Lufta e Dytë Botërore bota nuk ka qenë kurrë më shumë e ballafaquar me luftëra, paparashikueshmëri, volatilitet, rreziqe të mëdha.

Komoditeti me të cilin klasa politike e Kosovës i përgjigjet këtyre sfidave është thjeshtë skandaloz. Por në këtë vend edhe fjala skandal e ka humbur çdo kuptim. Ky nivel i dashakeqësisë mes klasës politike edhe mund të kuptohej, jo të mirëkuptohej, në disa kohëra të tjera, të cilat mos u kthefshin. Por të bëhen kaq shumë lojëra të pista nga të gjithë – kush më shumë e kush më pak – kjo është e paprecedent.

Ka një zgjidhje në çastet e fundit: partitë kthehen në pikën zero, tërhiqen nga manovrat e deritanishme, propozojnë dy kandidatë a kandidate të pavarur, por me përvojë politike, për t’u zgjedhur president. Deputetët e të gjitha partive qëndrojnë në sallë. Kush i merr 61 vota në raundin e tretë, i priftë e mbara. As partia e parë nuk mund të imponojë vullnetin e saj pa konsultim me opozitën, por as partitë opozitare nuk mund të sillen sikur kontrollojnë shumicën. Është në duart e tri partive më të mëdha shqiptare të propozojnë emra.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *