Mustafa Nano: Rama është skandaloz. E kam parë në studio, gati shkërmoqet fare
Mustafa Nano thotë se çështja “Balluku” ka krijuar thyerjen më të fortë deri tani mes kryeministrit Rama dhe Europës.
I pyetur në lidhje me reagimin e disa ambasadave të vendeve europiane pak ditë më parë, Nano tha se ato tashmë po e shohin me një sy tjetër.
“Kanë parë që pas këmbënguljes së kryeministrit për ta mbrojtur Ballukun, ka një pikëpyetje. Nuk e ka bërë këtë gjë më herët. E mori në mbrojtje në bazë të një arsyetimi të caktuar. Që në fillim ishte një proces i gjatë. Tha se ka struktura të drejtësisë që duan të vënë shkopinj në rrotat e ekzekutivit.
Kjo mund të jetë thyerja më e rëndësishme që ka ndodhur mes Edi Ramës dhe Europës. Kanë filluar ta shohin jo me sytë që e kanë parë gjithmonë. Sepse deri tani e kanë parë me simpati, kanë parë se nuk po i bëhej pengesë sistemit të drejtësisë. Kjo narrativë tani u prish”, tha ai për MCN.
Nano tha më tej se nuk pret ndonjë zhvillim të ri nga zgjedhjet në dy partitë kryesore.
“Rama fiton sërish. Edhe në PD fiton Berisha. Është si në vitet ‘70, që bëhej kongresi i PP. Do zgjidhej Enver Hoxha prapë? Është e njëjta situatë. Ata kontrollojnë partitë e veta po aq sa Enver Hoxha. Kanë në dorë anën financiare, zgjedhjen e deputetëve të rinj, promovimin e tyre. Këta merren edhe me emërime të parëndësishme. Është një gjë banale, dihet çfarë do të ndodhë dhe kush do bëhet kryetari”, u shpreh Nano.
Në lidhje me incidentin me një gazetare gjatë konferencës së kryeministrit javën e kaluar, Nano tha se shpesh në emër të lirisë së fjalës sjellja e gazetarëve me autoritetet është e papërshtatshme.
“Kam kritikuar dhe më herët një sjellje të shkujdesur nga ana jonë përballë autoriteteve. Rama e kalon vijën e kuqe shpesh por në rastin konkret nuk e di. Unë jam kritik ndaj sjelljes së gazetarëve ndaj autoriteteve. Edhe kur i urrejmë ata kanë diçka më shumë se ne: janë të zgjedhur nga qindra mijëra njerëz. Kjo na obligon të kemi kujdes.
E di që kjo është pak kulturë e huazuar nga Amerika, por në Europë nuk sheh gazetarë që sulmojnë presidentin apo kryeministrin. Shfrytëzohet liria për t’i folur autoritetit me një gjuhë të papërshtatshme.
Nuk është se jam aleat me autoritetet, por ne duhet të themelojmë një etiketë në raport me autoritetet. Rama është pak skandaloz. E kam parë në studio, gati shkërmoqet fare.
Trump edhe nëse e tepron, ka të drejtë ta teprojë. Është president, nuk ke çfarë i bën. Është i zgjedhur nga miliona amerikanë, llogaridhënien e ka me ata. Në marrëdhënien me autoritetin duhet të jesh i kujdesshëm sepse nuk fyen vetëm atë, fyen edhe ata që të shohin. Edhe në këtë rast, kjo vajza kam përshtypjen se ka kaluar vijën e kuqe”.