28 Mars, 2026

Mustafa Nano: Në PS, askush nuk është asgjë pa mbështetjen e Ramës. Spiropali ndoshta mund t’i kundërvihet

 Mustafa Nano: Në PS, askush nuk është asgjë pa mbështetjen e Ramës. Spiropali ndoshta mund t’i kundërvihet

Analisti politik Mustafa Nano komentoi zhvillimet e fundit në politikë, duke i cilësuar ndryshimet e fundit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama si pjesë të një loje për të justifikuar largimin e Belinda Ballukut.

“Nuk i prisja, mu dukën pak të çuditshme. Nja dy ministra sapo ishin emëruar. U futa në ChatGPT për të mësuar datën precize të emërimit të Spiropalit, dhe roboti më i famshëm në botë nuk e kishte regjistruar ende atë si ministre e Jashtme. Por lëvizja ka logjikën e vet. Është bërë besoj për të justifikuar largimin e Ballukut”, tha ai.

Nano komentoi gjithashtu largimin e ministres Elisa Spiropali, duke e parë si shenjë të një konflikti të mundshëm me kreun e qeverisë:.

“Reagimi i Spiropalit tregon se ka një problem me kryeministrin, dhe kam frikë se ajo do ta vajtojë publikisht këtë konflikt me KM-në, të cilin ne e morëm vesh veç nga reagimi i Spiropalit. Ishte një reagim që synonte të informonte publikun se marrëdhënia e saj me KM-në ka marrë një të krisur. Fliste si rivale e tij, e jo si vartëse”.

Kur u pyet për rolin aktual të Spiropalit në Partinë Socialiste, Nano ishte i qartë: “Askush nuk përfaqëson asgjë. Pa vullnetin e Ramës, Spiropali nuk e di çfarë do të ishte sot. Nuk e shoh më deputete në zgjedhjet e ardhshme, nëse problemi mes saj dhe Ramës është i vërtetë”.

Nano komentoi edhe presionin që mund të ketë kryeministri brenda grupit parlamentar për reformën në drejtësi:

“Drejtësinë e kanë votuar të gjithë socialistët dhe e kanë mbrojtur me zell. Rama ka qenë ai që e reformën e ka mbrojtur më shumë se kushdo në publik, por të gjithë kanë qenë dakord. Asnjë zë socialist nuk është ngritur për të bërë ndonjë ibjeksion ndaj kësaj reforme.

Por reforma ka prodhuar ca institucione që u janë qepur socialistëve me bukë në trastë. Akuzat e SPAK-ut e do ësojnë Ramën e në këto rrethana mund të dalë ndonjë zë kritik. Ndoshta Spiropalit i shkon mendja ta bëjë këtë gjë”.

Sa i përket imunitetit të Ballukut, Nano tha se Rama po gabon:

“Ai nuk duhet ta vendosë partinë apo maxhorancën në funksion të nevojës që njëri apo tjetri mund të kenë për t’u mbrojtur. Të akuzuarit duhet të mbrohen në gjyq, e jo të përdorin partinë si bunker. Kryeministri do bënte mirë t’i rikthehej qasjes që ka patur: kush akuzohet, t’i dalë zot vetes. Por kam frikë se ka hequr dorë nga kjo qasje”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *