“Ministri më tha që…” – Përfundoi duke fjetur poshtë urave në Francë, historia e drejtorit azilant të Gërdecit
Një nga dëshmitarët që është thirrur për procesin e Gërdecit është edhe Armand Tartari, një ish punonjës i Ministrisë së Mbrojtes.
I cili pas katastrofës, u dënua me një vit burg. Menjëherë pas dënimit ai u largua jashtë vendit së bashku me familjen nga frika se mund t’i ndodhë ndonjë gjë prej “kafshëve që kishin dalë nga kontrolli” siç thoshte Efraim Diveroli, biznesmeni i eksportit të fishekëve kinezë në Afganistan.
Ai për një vit jetoi në situatë të rëndë duke u fshehur e fjetur poshtë urave në Francë. Këtu la të shoqen me 2 vajza, e më pas nisi procedurat për azil. Pas disa vitesh ai dha një intervistë për mediat franceze.
Shkrimi i plotë i “Humanite” (24 shtator 2013), i botuar në 1 tetor 2013
Kjo është një histori komplekse dhe tragjike, e cila duket sikur del nga një roman spiunazhi të Xhon Lë Karre dhe ngjan si një absurd i Franc Kafkës. Por ajo s’është aspak e trilluar. Ky është fati që e ka gjetur Armand Tartarin, funksionar i lartë shqiptar 37-vjeçar, në çështje përtej fuqive të tij.
I ardhur në Francë më 14 shkurt, të nesërmen e një dënimi një vjeçar, të cilin ai e gjykon të padrejtë, jeton që nga fillimi i vitit në një sprovë të dytë. Ajo që Franca u ofron 62.000 personave që kërkojnë çdo vit azil politik. “Pas gjashtë muajsh në Francë, unë s’kam asnjë ndihmë”, tregon ai për gazetën franceze.
Ai ka zbuluar i trullosur “kalvarin e burokracisë franceze”. Hyrja në kabinat e drejtorive të policisë së Parisit për të tërhequr dosjen nga Zyra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve (Ofpra) është me të vërtetë një betejë më vete. “Duhet të zgjohesh shumë herët për të kaluar filtrin e ‘mafiozëve’ që drejtojnë rradhën sipas kombësive”, rrëfen ai. Dhe kur arrin, ata e shtyjnë. “Dukuni pas dy muaj e gjysëm, në korrik, do ketë më pak njerëz”, e urdhëruan atë.
“Eshtë habitëse dhe shokuese”, komentojnë Patrik Boduan dhe Xhean Uorne, avokatët e tij në Federatën Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (Fidh). “Eshtë më keq në Kretej. Nuk ka personel të mjaftueshëm”, shtojnë ata. Me një rritje prej 73% të kërkesave në pesë vjet, Franca është vendi i dytë evropian më i kërkuari. Në dijeni të këtij problem, qeveria ka ndër mend të reformojë procedurat e të drejtës për azil. Por Manuel Voll, Ministri i Brendshëm, ka vendosur që shqyrtojë debatet mbi këtë dosje të ndjeshme pas zgjedhjeve vendore të 2014-s.
Kur Armand Tartari të arrijë të tërheqë formularin e shumë dëshiruar, do ketë 21 ditë në dispozicion për ta mbushur, përpara se të thirret nga një agjent i “Ofpra”, i cili do ta pyesë rreth itinerarit të tij. Atëherë, ai do të ketë mundësinë t’i thotë që gjithçka ka filluar më 15 mars 2008, në fshatin Gërdec, një duzinë kilometrash larg Tiranës.
Eshtë mesditë, kur dëgjohet një shpërthim pranë një depoje armësh të ushtrisë shqiptare. Shpërthimi shkaktoi 26 të vdekur dhe më shumë se 300 të plagosur. Dy javë më vonë, një hetim i “New York Times” zbulon ekzistencën e një trafiku armësh ndërkombëtar në vendngjarjen e kësaj tragjedie, pa e ditur deri më sot nëse ai ka gisht në origjinën e shpërthimeve. Për llogari të Tiranës Zyrtare pritej demontimi i armëve të vjetra kineze, nga një shoqëri amerikane armatimesh AYE, e cila do t’i maskonte si armë shqiptare para Uashingtonit dhe më pas do ja dorëzonte ushtrisë afgane. Në janar 2011, një gjykatë e Majemit dënoi përgjegjësin e saj me katër vjet burgim për këtë mashtrim.
Artikulli i “NeW York Times”-it përmend gjithashtu përfshirjen e mundshme të kastës së lartë shqiptare si Sali Berisha dhe Fatmir Mediu, në atë kohë Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes. Në shtator 2008, Kosta Trebicka, një nën-kontraktues shqiptar i AYE, autor i këtyre deklaratave, bëhet viktimë e një aksidenti misterioz me makinë… Për mungesë dëshmitarësh, gjykimi i trafikut të armëve për çështjen e Gërdecit është braktisur nga drejtësia shqiptare. Por familjet e viktimave kërkojnë fajtorët.
Më 13 shkurt 2013, akuzat e Gjykatës së Apelit të Tiranës ranë, për t’u vërtetuar më vonë në korrik nga Gjykata e Kasacionit: përgjegjësit kryesorë të veprave kanë shpëtuar. Ministri i Mbrojtjes, Komandanti i Ushtrisë (i dënuar me gjashtë vjet nga instanca e parë) dhe zëvendësi i tij, ndërsa disa grada të larta janë paguar. Por funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes si Armand Tartari, drejtor ekonomik, nuk përfitojnë nga kjo mëshirë. Ai dënohet me një vit burgim për “abuzim detyre”, sipas një neni që nuk njihet në Evropë, duke qenë anëtar i komisionit që caktoi çmimin e shitjes së metalit të armëve përpara demontimit!
“Pesë vjet pas shpërthimit të Gërdecit, një drejtësi e korruptuar bën viktima të tjera nga një proces i padrejtë. Jemi pak a shumë 15 funksionarë të ministrisë që po bëhemi ‘koka turku’. Refuzoj ta pranoj, sepse fajtorët e vërtetë nuk janë hetuar”, zemërohet Armand Tartari. “Në shtetet e korruptuara, proceset e stisura janë gjithmonë e më të përhapura”, shpjegon Xhean Uorne.
“Bota m’u shemb para këmbëve. Ministri i Mbrojtjes më kishte siguruar që nuk rrezikoja gjë”, përmend ai. I paralajmëruar nga avokati i tij, ai u arratis menjëherë nga malet, me një pallto të thjeshtë dhe kostum, duke lënë gruan dhe dy vajzat e tij në Tiranë. “Në Shqipëri, burgjet janë në dorë të mafias dhe mund të ndodhë gjithçka”, shton ai për të justifikuar arratisjen.
Ai pohon se i kanë kërkuar 100.000 euro për të anuluar dënimin e tij. Armand Tartari ka refuzuar jo sepse ka fituar jo më shumë se 650 euro në muaj, por sepse nuk ka dashur “të financojë krimet e mafias në një moment që Shqipëria dëshiron të hyjë në Evropë”.
Paratë janë një problem i vërtetë. “Për të qenë refugjat politik në Francë, duhet të jesh gjithë kohën i disponueshëm për të marrë dokumentet. S’ke punë, s’ke vendbanesë. Je i detyruar të mbështetesh tek miqtë.”, shpreh keqardhjen ai. Situata e tij është akoma më dëshpëruese për shkak të avokatit të tij, mbrojtës i të drejtave të njeriut. Ai i ka dhënë një faturë më shumë se 5.000 euro për njëzet e gjashtë orëpunë, ose 200 euro për orë, pa asnjë rezultat pozitiv.
18 korrikun e shkuar, falë një shoqate, ai pati akses në kabint e Drejtorisë së Policisë së Parisit. Ata i kanë caktuar një takim më… 8 tetor 2013! Gjatë kësaj kohe, në pritje të kësaj thirrje, ai duhet t’ja dalë i vetëm.
Drejt një rishqyrtimi të Procesit të Gërdecit? Do shpjerë ndryshimi i pushteteve në një rishqyrtim të procesit mbi shpërthimin e një depoje municionesh në Gërdec në vitin 2008? Kjo është ajo që shpreson Armand Tartari, i cili nuk humbet shpresat të rimarrë pozicionin e tij të funksionarit të Shqipëri. Më 12 shtator, Kryeministri socialist Edi Rama, pasardhës i Sali Berishës, u angazhua përpara autoriteteve evropiane dhe franceze për rivendosje të Shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Nga një trupë gjykuese e caktuar ky ishte vendimi i parë i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, “Fidh” kërkoi për Armand Tartarin “respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe të drejtën për një proces të ndershëm të mbajtur nga një gjykatë e pavarur”. Më kot, për momentin.