Mbyllet pjesërisht Ngushtica e Hormuzit, pas stërvitjes iraniane
Irani ka nisur një stërvitje ushtarake me zjarr real drejt Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës, njoftojnë agjencitë gjysmëzyrtare iraniane.
Agjencia Tasnim, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike, raportoi se raketat e lëshuara nga brendësia e Iranit, zona bregdetare dhe ishujt e Hormuzit goditën objektivat e tyre në zonë. Stërvitja, e quajtur “Smart Control of the Strait of Hormuz”, do të çojë në mbylljen e pjesshme të disa segmenteve të ngushticës për disa orë të martën.
Sipas njoftimeve zyrtare, operacioni përfshin Ngushticën e Hormuzit, Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit, të gjitha rrugë detare strategjike për eksportin global të naftës – përmes të cilave kalon rreth 20% e tregtisë botërore të këtij produkti.
Ky zhvillim ndodh në një moment tensioni rajonal, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Teherani po zhvillojnë raundin e dytë të negociatave indirekte mbi programin bërthamor iranian, në përpjekje për të shmangur përshkallëzime ushtarake më të gjera.