28 Mars, 2026

Mamaja moderne apo mëma tradicionale?

 Mamaja moderne apo mëma tradicionale?

Nga Çapajev Gjokutaj

Nuk i rezistoj dot tundimit për ta parë këtë foto si metaforë të mëmësisë: përkujdesje, intimitet, harmoni deri në kufijtë e ideales, por edhe sakrificë deri në vetmohim. Afërsia trupore është e dukshme: fëmija mbahet ngjitur, pa asnjë barrierë mes trupit të tij dhe kraharorit e duarve të nënës.

Ky kontakt i plotë deri në njësim është garanci sigurie dhe dashurie. Duart e hapura në shpinën e fëmijës janë metaforë e mbështetjes së përhershme, një gjest që thotë “të mbaj që të mos biesh, të mbështes që të rritesh”. Intimiteti del më në pah nga trupi i zhveshur i fëmijës, derdhur në linja të ëmbla.

Por kur silueta e fëmijës mbizotëron dhe nëna është e pranishme por e tretur në brendësi, leximi merr një tjetër drejtim: mëmësia shfaqet edhe si sakrificë dhe vetmohim. Nëna nuk është në qendër, por në sfond, si një hije që mban dhe mbron.

Kjo sugjeron se mëmësia shpesh nënkupton zhdukjen e vetvetes për t’i lënë hapësirë jetës së re. Dashuria e saj nuk kërkon lavdi, por vepron në heshtje, duke mbajtur barrën e jetës pa u dukur. Ky imazh është metaforë universale: mëmësia si akt i vazhdueshëm dhurimi, ku vetja bëhet sfond dhe mbështetje për fëmijën.

Një lexim tjetër është ai në rrafsh social. Ky e bën edhe më të qartë dimensionin e sakrificës. Në shoqëritë patriarkale, gruaja shpesh reduktohet në rolin e nënës. Figura e saj si individ  (si shoqe, kolege, eksperte, qytetare  etj.) zbehet, ashtu si në këtë foto ku tretet në hije.

Sa më i fortë patriarkati, aq më shumë shoqëria kërkon nga gruaja të jetë “nënë” absolute: kujdestare, sakrifikuese, e padukshme. Kjo e bën mëmësinë jo zgjedhje, por detyrim. Gruaja si profesioniste apo krijuese mbetet në hije, ndërsa drita është tek fëmija.

Ky imazh bëhet kritikë e heshtur ndaj patriarkatit: mëmësia e ngritur në piedestal shpesh është rezultat i një vetmohimi të imponuar. Tabloja nuk është vetëm ikonë e dashurisë, por edhe ikonë e mungesës së lirisë së gruas për t’u realizuar si individ.

Po ta vendosim narrativën e mëmësisë në rrjedhën e kohës, mund të nxitohemi e të themi se nëna tradicionale sakrifikonte më shumë për fëmijën, ndërsa mamaja moderne nuk mbetet vetëm nënë, por realizohet edhe në role të tjera sociale: shoqe, kolege, eksperte.

A do të thotë kjo se mëma tradicionale e donte më shumë fëmijën sesa mamaja moderne? Mos vallë mamaja moderne, duke mos u vetmohuar si dikur, e jeton mëmësinë në një formë më të lirë e më të ndërgjegjshme? Mbase vetrealizimi i saj është edhe një dhuratë për fëmijën, që rritet pranë një njeriu të lirë e jo një skllaveje?

Për të mos shtuar se kalimi i saj edhe në role të tjera ka hapur vend për praninë shumë më të madhe të babait. Në shoqërinë tradicionale babai ishte zakonisht figurë autoritare, që siguronte jetesën e familjes dhe shumicën e kohës ishte jashtë, i munguar dhe hijerëndë.

Fakti që sot baballarët e rinj janë shumë më të pranishëm në jetën e fëmijës a mund të interpretohet se vetrealizimi i nënës, edhe si grua e si njeri, po i fal fëmijës një model tjetër babai, të pranishëm e intim? Të gjitha këto ndryshime a shënojnë një pasurim të mëmësisë apo shfaqen si rrezik për ta relativizuar atë dhe, sadokudo, për ta larguar nga fëmija?

Shumë hamendje mund të bëjmë, por në fund do të vijmë tek konkluzioni se jeta është e larmishme dhe nuk hyn dot tërësisht në kallëpet e mendimit tonë, sado burra të zotë ta mbajmë veten?

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *