28 Mars, 2026

Lufta e Ramës me SPAK, që mediat e qeverisë po na e shesin si betejë për shtetin shqiptar

 Lufta e Ramës me SPAK, që mediat e qeverisë po na e shesin si betejë për shtetin shqiptar

Nga Blendi Kajsiu

Përballja e kryeministrit Rama me SPAK-un mbi çështjen Balluku po shitet në mediat pranë qeverisë si një betejë për shtetin shqiptar. Analistë dhe gazetarë të shumtë na thonë vazhdimisht se përballja nuk është për Ballukun por për kufinjtë mes drejtësisë dhe ekzekutivit, për kushtetutën dhe për mbrojtjen e shtetit shqiptar nga Republika e Prokurorëve.

Ama e vërteta është se të gjitha betejat e deritanishme të Kryeministrit, qoftë në Gjykatën Kushtetuese, qoftë në Parlamentin shqiptar janë përdorur thjesht si pretekst për të mbrojtur Ballukun.

Dje kryeministri refuzoi pezullimin e saj me pretekstin se po priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sot ai po përdor vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos i hequr imunitetin Ballukut, në mënyrë që ajo të mos arrestohet nga SPAK. Në të dyja rastet thelbi i përplasjes mbetet Balluku si person dhe jo kufinjtë institucionalë.

Në fakt kryeministri nuk ka shprehur një shqetësim kaq të madh për kufinjtë e pushteteve edhe kur është arrestuar kryebashkiaku Veliaj i zgjedhur me votë popullore. Nëse shqetësimi real do ishte se SPAK po shkel territorin e pushtetit ekzekutiv rasti Veliaj do ishte shumë më flagrant se rasti Balluku, sepse i pari është zgjedhur me votë popullore ndërsa e dyta thjesht është emëruar në postin e saj dhe mund të zëvendësohet shumë më lehtë.

Natyrisht që shqetësimi për kufinjtë mes gjygjësorit dhe ekzekutivit është legjitim. Sidomos kur bëhet fjalë për institucione sui generis sic është SPAK. Ndaj kryeministri ishte në të drejtën e tij të kërkonte sqarim për këto kufinj në Gjykatën Kushtetuese.

Problemi është se ky sqarim u lidh në mënyrë direkte me fatin politik të Ballukut. Që në momentin që kryeministri deklaroi se nuk do ta pezullonte Ballukun derisa të shprehej Gjykata Kushtetuese vendimi i kësaj të fundit u transformua nga një gjykim parimor mes kufinjëve të pushteteve, tek një gjykim politik mbi fatin politik të një individi konkret që ish përfshirë në një megaskandal.

Në këtë mënyrë kryeministri lidhi dy beteja politike thelbësisht të ndryshme. Beteja e parë ishte mbajtja në pushtet e Ballukut pas një skandali që e kish dëmtuar rëndë figurën e saj në hapësirën publike. Kjo ishte një betejë e humbur polikisht. Ndaj ai vendoi ta fitonte atë ligjërisht në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar qartësimin e kufinjëve mes pushteteve. Kjo ishte beteja e dytë.

Betja e dytë u vendos në funksion të betejës së parë, dhe jo anasjelltas. Sqarimi i kufinjëve mes pushteteve u përdor publikisht dhe politikisht për të justifikuar mbajtjen në detyrë të Ballukut edhe pas një megaskandali që përfshiu atë dhe të gjithë stafin e saj. Pikërisht këtu filloi kriza kushtetuese.

Nëse Rama ishte vërtet i interesuar për kushtetueshmërinë e ndarjes së pushteteve ai duhet të ruante minimumin e koherencës politike dhe ta ndante skandalin Balluku nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Së pari, ai duhet të pranonte pezullimin e Ballukut sipas parrullës që ka përdorur deri tani se “PS-ja nuk është zyrë avokatie për asnjë zyrtar”. Sidomos po të kemi parasysh se sa serioze ishte evidenca e zbardhur në media që implikonte Ballukun dhe stafin e saj në manipulimin e tenderave.

Në momentin që Balluku ish pezulluar dhe po hetoj nga SPAK, kërkesa ndaj Gjykatës Kushtetuese do ishte shumë më legjitime dhe parimore. Ajo nuk do interpretohej as nga Gjykata Kushtetuese, as nga faktori ndërkombëtar dhe as nga opinioni publik si një pretekst për të mos lëshuar Ballukun apo për të mbrojtur korrupsionin në pushtet, por si një përpjekje për të qartësuar kufinjtë kushtetues mes pushteteve.

Krejt e kundërta ndodhi. Në mënyrë publike dhe të qartë Kryeministri vendosi të përdorë Gjykatën Kushtetuese si një barrikadë ndaj pezullimit të Ballukut prej SPAK-ut. Ky veprim e politizoi në atë farë feje vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese saqë kjo e fundit vendosi të mos marrë asnjë vendim. Në këtë pikë çdo vendim i saj do ishte shumë më tepër politik sesa kushtetues.

Ndërkohë nuk është aspak çudi që një vendimmarrje e Gjykatës Kushtetuese e çliruar nga lidhja direkte me rastin Balluku të ishte në favor të qeverisë duke qartësuar një herë e mirë kufinjtë mes pushteteve. Ama kjo nuk ndodhi sepse interesi kryesor i kryeministrit nuk ishin kufinjtë kushtetues të pushteteve por përdorimi i tyre për të bllokuar pezullimin e Ballukut. Ndaj ai vendosi ta përdorë Gjykatën Kushtetuese si mburojë të Ballukut dhe jo të parimeve politike dhe kushtetuese.

E njëjta praktikë po vazhdon edhe sot. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese po përdoret si pretekst për të mos i hequr imunitetin Ballukut. Pra shqetësimi kryesor i Ramës sot janë efektet që ka vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi imunitetin e Ballukut dhe jo kufinjtë mes ekzekutivit dhe gjygjësorit. Në fakt e gjithë PS-ja është bërë sot mburojë e Ballukut.

Ndaj tingëllojnë bosh deklaratat e qeverisë dhe të zëdhënësve të saj se përplasja mes SPAK dhe Kryeministrit nuk është për Ballukun por për parimet kushtetuese dhe për shtetin. Ajo që kemi parë deri tani është se kryeministri Rama ishte gati ta fusë vendin në një krizë kushtetuese, të shkelë çdo parim apo koherencë politike që ka propoganduar deri tani, të përplaset edhe me BE-në, vetëm e vetëm që Balluku të mos hetohet, pezullohet apo arrestohet nga SPAK.

Është e qartë se kryeministrit i dhëmb më tepër Balluku se Shteti Shqiptar. Në ndryshim nga të gjitha rastet e mëparëshme skandali Balluku e implikon atë dhe qeverisjen e tij në mënyrë direkte. Dhënia e tenderave me gisht dhe sipas interesave të ngushta politike (dhe me shumë gjasa korruptive) nuk mund të shitet si një kaprico e Ballukut. Ai është vetë modeli i qeverisjes, ndaj kryeministri nuk mund të lejojë hetimin dhe zbardhjen e tij.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *