28 Mars, 2026

Kush i bëri presion Edi Ramës?

 Kush i bëri presion Edi Ramës?

Analisti politik Ervis Iljazaj ka komentuar ndryshimet në qeveri, duke theksuar se lëvizjet kanë ardhur si pasojë e një presioni të shumëfishtë.

“Mua më bën përshtypje vendimi dhe ndryshimi që ka bërë Rama vetëm 6 muaj pas riformatimit të qeverisë.

Unë mendoj që 7 ndryshimet vijnë si pasojë e një presioni të shumëfishtë që i është bërë qeverisë dhe kjo është e vërteta.

Ka pasur presion ndërkombëtar, presion nga drejtësia, por edhe presion nga opinioni publik për të gjitha historitë,” – tha Iljazaj.

Pas mbledhjes maratonë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka prezantuar 7 ndryshime në kabinetin qeveritar.

Lëvizjet vijnë në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, e cila mbetet e pezulluar nga detyra. Rama ka vendosur largimin e saj nga posti i zëvendëskryeministres dhe nga drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në vend të saj, si numri dy i qeverisë, është emëruar Albana Koçiu, e cila lë postin e ministres së Brendshme. Drejtimi i Ministrisë së Brendshme i është besuar Besfort Lamallarit, i cili deri më tani mbante detyrën e ministrit të Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë do të drejtohet nga Toni Gogu, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i kalon Enea Karakaçit.

Ndryshime ka edhe në diplomaci dhe mbrojtje. Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu largohen nga kabineti. Si ministër i Jashtëm është emëruar ish-ambasadori i Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha, ndërsa Ministria e Mbrojtjes do të drejtohet nga Ermal Nufi.

Gjithashtu, Erjona Ismaili është emëruar ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke zëvendësuar Toni Gogun në këtë detyrë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *