28 Mars, 2026

Kur teshtin njësia nr 2 në Tiranë!

 Kur teshtin njësia nr 2 në Tiranë!

Nga Lutfi Dervishi

Nga gjithë lajmet e ditës, vetëm njëri i tronditi tregjet globale.

Bëhet fjalë për ndryshimin e drejtuesve të PS-së në njësinë nr. 2 në Tiranë.

Pas këtij zhvillimi dramatik, bursat reaguan menjëherë. Çmimi naftës arriti kuotën që kishte para nisjes së luftës me Iranin. Investitorët morën frymë të lehtësuar. OPEC po mban një mbledhje urgjente për të kuptuar më mirë situatën.

Thuhet se Këshilli i Sigurisë Kombëtare në SHBA ka ndërprerë darkën zyrtare. “Nuk na intereson as Ukraina, as Irani dhe as Tajvani,” citohet  të ketë thënë  një zyrtar i lartë,  në kushtet e anonimatit “na tregoni çfarë po ndodh te rruga ‘Elbasanit’ se na iku dollari për l…!”

Ndërkohë Elon Musk sapo njoftoi se do të shtyjë udhëtimin për në Mars. Ai tha se nuk mund të rrezikojë projektin  ndërkohë që njësia 2 po riorganizon strukturat e bazës.

Por goditjen më të madhe e morën kriptomonedhat. Bitcoin ra me 15% brenda 5 minutave. Tregtarët e kriptove po presin me ankth nëse kryetari i ri do të ketë qasje bashkëpunuese me patronazhistët e lagjes apo do të krijojë lobin e tij në strukturat e PS .

Banka  Botërore ndërkohë ka punësuar urgjentisht pesë përkthyes të gjuhës shqipe për të deshifruar statuset në Facebook të kryetarit të ri. Çdo “like”, “share” dhe  “koment” në postimet e tij po analizohet si një sinjal për normat e interesit në Bashkimin Evropian.

Nga muret e ftohta të Kremlinit, zëdhënësi Dmitry Peskov u shfaq në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, me një fytyrë që herë dukej e zverdhur dhe herë  e skuqur:

“Shërbimet tona po analizojnë me imtësi çdo lëvizje në Njësinë Nr. 2. Ky ndryshim drastik i balancave te qyteti Studentit është një provokim i pastër ndaj rendit shumëpolar. Nuk mund të rrimë duarkryq.”

Ndërsa Franca është shprehur e indinjuar pse nuk u vu paraprakisht në dijeni të këtij procesi kaq jetik e delikat për fatet e njerëzimit.

Kancelari Merz deklaroi se “stabiliteti i Eurozonës varet drejtpërdrejt nga rregullsia e procesverbaleve në Njësinë 2, ndaj Berlini do të monitorojë me lupë çdo gjë si kusht për mbarëvajtjen e tregut të përbashkët dhe miratimin e IBAR për Shqipërinë.

Mark Rutte, nga selia e tij në NATO, paralajmeroi  se: “neni 5 është gati; nëse dikush guxon të cenojë stabilitetin e strukturave të reja te Njësia 2, aleanca do të reagojë me të gjithë forcën e saj, sepse siguria e lagjes Ali Demi  është sot siguria e mbarë botës demokratike.

Nga dritarja e sheshit Shën Pjetër, Papa Leoni ndërpreu lutjen e mesditës për një njoftim të jashtëzakonshëm: “vëllezër dhe motra, sot lutemi për shpirtrat e trazuar të njësisë Nr. 2. Ky ndryshim në kupolën e tyre është një shenjë hyjnore që tregon se asgjë në këtë botë nuk është e përjetshme.

Në prapaskenë, thashethemet thonë se Konklava e Kardinalëve ra në heshtje totale. Tymi i bardhë që doli nga oxhaku i Vatikanit nuk ishte për një Papë të ri, por një sinjal se Vatikani njeh zyrtarisht legjitimitetin e koordinatorëve,  patronazhistëve dhe strukturave të reja të lagjes.

Burime pranë tregjeve thonë se pasiguria politike në njësinë nr. 2 ishte një faktor i nënvlerësuar prej kohësh. Gabimisht analistët kishin menduar se tregjet u tronditën nga lufta me Iranin.

Tani që  u zgjidh drejtuesi i njësisë dy u stabilizua edhe çmimi i naftës.

Në një botë që quhet “fshat global”, ka patur gjithmonë një qendër kontrolli. Tani kjo qendër nuk është as në Washington, as në Pekin, por te njësia 2 . Nëse aty teshtijnë, në Pekin kolliten, në Washington marrin antibiotik dhe në Moskë marrin respiratorët e oksigjenit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *