Krahu i djathtë i Ibrahim Licit, kush është Barush Bregu, miku i “Fantazmës”, që i iku Policisë?
Policia e Shkodrës ka arritur të zbardhë ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në kryeqendrën e Veriut, në lagjen “Kiras” një zonë e njohur si bastion i grupit të lidhur me Ibrahim Licin, të cilin në Shkodër shpesh e quajnë si “Fantazma”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, u bë i mundur arrestimi i Ervis Bebës, 43 vjeç, i cili dyshohet se drejtonte automjetin me të cilin lëviznin personat e përfshirë në incidentin që përfshiu edhe kanosjen me armë zjarri ndaj punonjësve të Policisë. Së bashku me të është ndaluar edhe një i mitur 17-vjeçar, që ndodhej si pasagjer në të njëjtin automjet.
Nga hetimet rezulton se në automjet ndodhej edhe Barush Bregu, 40 vjeç, i konsideruar si një nga personat e afërt dhe krahu i djathtë i Ibrahim Licit. Ai është identifikuar si personi që gjatë ndjekjes nga Policia dyshohet se ka zbritur nga automjeti dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim kanosjen e efektivëve dhe për të mundësuar largimin nga vendi i ngjarjes. Bregu është shpallur në kërkim dhe ndaj tij vijojnë kërkimet intensive.
Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës, rreth orës 15:10, kur shërbimet e Policisë që patrullonin në zonën e lagjes “Kiras” i bënë shenjë ndalimi një automjeti. Drejtuesi i mjetit Ervis Beba nuk iu bind urdhrit të efektivëve dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi, duke kryer edhe manovra të rrezikshme në rrugë.
Për këtë arsye, forcat e Policisë u vunë në ndjekje të mjetit, mirëpo gjatë ndjekjes, Barush Bregu ka zbritur nga automjeti dhe ka qëlluar me pistoletë në ajër në drejtim të efektivëve, duke tentuar t’i frikësojë ata dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.
Skeda e Bajram alias Barush Bregut
Bajram Bregu (Barush Bregu) nuk është emër i panjohur për policisë, mbi të gjitha ai njihet si krahu i djathë i Ibrahim Licit. Ky i fundit i njohur ndryshe si “fantazma” është armik i përbetuar i fisit Bajri apo Bajroviç.
Barush Bregu është dënuar në vitin 2016 me 4 vite burgim i akuzuar për kultivim të lëndëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018 gjatë një aksioni policor të zhvilluar pas vrasjes së Fatbardh Licit, në banesat e fisit Lici u gjetën armë zjarri automatike, ku në njërën prej tyre u konstatuan gjurmë gishtërinjsh të Barush Bregut.
Në mars të vitit 2019 kur në lagjen Kiras u ekzekutuan vëllezërit Ibrahim dhe Astrit Bilali, i dyshuari kryesor ishte Ibrahim Lici, ndërsa Barush Bregu akuzohej si përkrahësi kryesor i atentatorit. Ky i fundit u arresua në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë pas një operacioni policor.
Barjam Bregu është i dyshuar për përfshirjen e tij në një sërë ngjarjesh kriminale të regjistruara në Shkodër përkrah Ibrahim Licit, i cili sot e kësaj dite vijon të jetë në arrati.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e rastit të pasdites së djeshme, në lagjen “Guerrile”, ku u kanosën me armë zjarri, punonjës të Policisë, gjatë ndjekjes së një automjeti.
Arrestohen drejtuesi dhe pasagjeri (i mitur) në automjetin me të cilin lëvizte 40-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, në ajër, për të kanosur punonjësit e Policisë.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim 40-vjeçari, shtetas me precedent të theksuar për disa veprimtari kriminale.
Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë) me municion, e përdorur në këtë rast.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, të kryera per sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e autorësisë së rastit të datës 09.03.2026, kur rreth orës 15:10, në lagjen “Guerrile”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policise Shkoder zhvilluan operacionin e koduar “Risku”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi E. B., 43 vjeç dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. B., 40 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje.
Dje, gjatë patrullimit në këtë zonë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari dhe kishte pasagjerë të miturin dhe shtetasin e shpallur në kërkim.
43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit.
Gjatë ndjekjes, shtetasi B. B. dyshohet se ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë), ne ajer me qëllim kanosjen e punonjësve të Policisë.
Arma e zjarrit me municion e dyshuar e përdorur nga shtetasi B. B., u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volkswagen Seat” me të cilin leviznin këta shtetas.
Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit B. B..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.