28 Mars, 2026

Kina përshpejton arsenalin bërthamor, zbulohen baza sekrete

 Kina përshpejton arsenalin bërthamor, zbulohen baza sekrete

Imazhe satelitore të publikuara nga The New York Times tregojnë se Kina po zgjeron kapacitetet e saj bërthamore në luginat Zitong dhe Pingtong, në provincën Sichuan.

Objektet, të ndërtuara rreth 60 vite më parë në kuadër të projektit “Fronti i Tretë” të Mao Zedong, ishin konceptuar për të mbrojtur laboratorët dhe impiantet e armëve bërthamore nga sulme të mundshme të SHBA-ve apo Bashkimit Sovjetik.

Sipas ekspertëve amerikanë, këto struktura tashmë po përdoren për prodhimin e bërthamave të plutoniumit për koka luftarake bërthamore.

Eksperti i inteligjencës gjeohapësinore, Renny Babiarz, i cituar nga gazeta, thekson se ndryshimet në këto objekte janë përshpejtuar ndjeshëm që nga viti 2019.

Ai vëren se kompleksi në Pingtong ka arkitekturë të krahasueshme me Laboratorin Kombëtar Los Alamos në SHBA.

Ndërkohë, në Zitong janë ndërtuar bunkerë të rinj dhe mure të fortifikuara, të cilat besohet se përdoren për testimin e përbërjeve kimike që krijojnë kushtet për reaksion zinxhir në materialet bërthamore.

Sipas vlerësimit vjetor më të fundit të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, deri në fund të vitit 2024 Kina zotëronte mbi 600 koka bërthamore, ndërsa numri pritet të arrijë në 1 mijë deri në vitin 2030.

Washingtoni shpreh shqetësim se një arsenal më i madh dhe më modern mund të ndikojë në sjelljen e Pekinit, veçanërisht në raport me Tajvanin, në një kohë kur barrierat globale që kufizojnë armët bërthamore po dobësohen.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *