Kë Ramë të besojmë?
Orët e gjata të mbetjes në trafik të rënduar dhe udhëtimi në rrugë pa rrugë është stërmundim dhe kosto e lartë për mijëra qytetarë që e kanë të pamundur prej disa ditësh për të shkuar drejt Librazhdit, Prrenjasit, Pogradecit dhe Korçës.
Shkak është bërë bllokimi total i aksit kombëtar nga rrëshqitja e trasesë së rrugës dhe më pas dëmtimi i një ure në afërsi të “Arrave të Gurrës” në fshatin Dragostunjë të Librazhdit.
Krahas bllokimit të rrugës, në të njëtën zonë dëmtime pati edhe në një shtyllë të tensionit të lartë e cila u zhvendos dhe po ashtu traseja e hekurudhës buzë Lumit Shkumbin.
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për të zbuluar nëse situata e rëndë ka ardhur nga gërryerja e Lumit Shkumbin.
Për kryeministrin Rama ky është një fenomen gjeologjik dhe situata të tilla me rrëshqitje ndodhin kudo.
Kryeministri mbërriti ditën e djeshme mjaft shpejt në Korçë, nëpërmjet helikopterit të Forcës Ajrore Ushtarake, për të mos humbur takimin për hapjen e “Polit të Dijes”, një projekt për zhvillimin e arsimit të lartë.
“Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare”, shkruan Rama në rrjetin social X.
Kreu i qeverisë e lidhi dëmtimin e rrugës me “fenomenin gjeologjik” duke mohuar akuzat për përgjegjësi të strukturave shtetërore, apo kompanive të ndërtimit të akseve rrugore në këtë zonë.
“Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse”, tha Rama, duke publikuar edhe një fotografi që tregon një fshat në Itali të përfshirë nga erozioni.
“Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë”, shkruan ai
Kur ishte në opozitë, kryeministri mendonte ndryshe: