Ka plas gjigandomania patriotike
Nga Artan Fuga
Ajo që është dhe që nuk është kombëtarja e futbollit
Mbrëmë skuadra e futbollit e Polonisë e rrahu skuadrën e futbollit që ka logon e Shqipërisë.
Si gjithmonë u dhanë intervista, trishtim, lotë, skena, falje, si edhe kënaquni se deri këtu s’kemi arritur ndonjëherë, etj, etj.
Edhe ne si qytetarë na ngushëlluan. Po nuk ka përse! Nuk është se polakët na mundën ne shqiptarët.
As që Polonia mundi Shqipërinë ta zemë në bujqësi, teknologji, qendrueshmëri sociale, paga, shërbime shëndetësore, apo në fusha të tjera.
Një lojë topi është, nuk u bë qameti! Mos i jepni karakterin e një humbjeje kombëtare! Nuk është beteja kur ushtritë shqiptare u thyen nga turqit pas vdekjes së Skënderbeut, nuk është dorëzimi i Kështjellës së Krujës, as rënia e piramidave financiare, as pushtimi italian i Shqipërisë, as prishja e Marrëveshjesh së Mukjes!
Humbëm raste – thonë. Se do ishim bërë 2 me 0. Po pse polakët pak humbën! Lërini këto se kemi dekada që i dëgjojmë.
Futbollistët me uniformën shqiptare u përpoqën, bënë sa mundën. Bravo iu qoftë! Por, rezultatet mesatare të këtyre viteve dëshmojnë se aq është ai ekip, merr trajner anglez, italian, spanjoll, çek, portugez…
Nuk shkon dot më tutje se niveli i një futbolli ballkanik. Mirë edhe aq.
Nuk ka lidhje fare se me çfarë skuadrash klubesh luajnë lojtarët.
Tjetër klas kishte loja e skuadrës përballë asaj që përfaqësoi logon shqiptare! Duhet ta pranojmë. Ne edhe komentet për futbollin i bëjmë në studio ku flitet për politikë!
Cfarë amalgame propagandistike naive midis futbollit dhe politikës. Asnjë lidhje midis të dyjave. Kur identitetin e kombit e fokusojnë te ekipi i futbollit ndjej trishtim për ata gazetarë që bëjnë patriotin në ekran. Tifozlliku nuk është patriotizëm! Nuk ka lidhje midis çeshtjes kombëtare dhe një loje me top!
Po qe se ndodh ku identifikim, atëhere të gjitha simbolet e tjera që na bashkojnë si komb kanë rënë!
Gati na bënë me zemër kur e shihnin kombëtaren e futbollit në kampionatin botëror në Amerikë. Ëndrra amerikanë – tha dikush prej tyre! Mirë që nuk tha na presin në senatin amerikan, a në OKB.
Ne midis të mëdhenjve të botës! Ka plas gjigandomania patriotike. Evropa ka nevojë për ne në gjeopolitikë! Ne jemi fuqi energjitike ballkanike. Kemi për frymë fluturimet e avionëve më të shpeshtë në botë. Plazhet tona janë nga tetë bukuritë qiellore të Tokës!
Pastaj pasi fryhemi na fut dy gola të mirë Levandovki dhe ai tjetri, dhe na shfryjnë në mes të propagandës, të emisionit, të lajmeve!
I kam thënë trajnerit! Pas kampionatit evropian. Ik o burrë, mbaroi koha! Por, ai e vazhdoi kontratën. Punën e tij. Vetëm një lutje : Nuk mundi Polonia Shqipërinë!
Nuk presim ngushëllime!
Një lojë me top ishte, bjeri t’i biem, që komentohej në emisionet e prime time, të politikës, fryrje, pastaj shfryrje!