28 Mars, 2026

‘Ka kryer 11 akte penale’, PD dorëzon raportin për heqjen e imunitetit të Ballukut

 ‘Ka kryer 11 akte penale’, PD dorëzon raportin për heqjen e imunitetit të Ballukut

Pesë përfaqësues të Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit të Mandateve, i rekomandojnë deputetëve të Kuvendit që të votojnë ‘pro’ dhënies së autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku, pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme për shkelje të barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi të hënën në një konferencë për shtyp se raporti bazohet në provat e sjella nga SPAK në Kuvend, jurispudencën kushtetuese, opinionet e Komisionit të Venecias si dhe frymën e luftës antikorrupsion.

“Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliardë euro,”- tha Bardhi.

Sipas tij, masa e re e sigurisë ndaj saj është argumentuar nga prokurorët e SPAK me sjelljen e Ballukut pas marrjes si e pandehur me tentativat për të prishur provat dhe kërcënimit të dëshmitarëve, ‘përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj’.

Në argumentimin ligjor të anëtarëve të Këshillit vihet theksi tek roli që ka Kuvendi për të verifikuar vetëm nëse kërkesa e prokurorisë ka apo jo motiv politik dhe jo për të marrë rolin e gjykatës që shqyrton masën e sigurisë në themel.

“Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pika 2 e nenit 73 synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (jo të deputetëve të veçantë) për aq sa ajo mund të cenohet si rezultat i procedimeve penale me sfond politik ndaj deputetëve të veçantë. Në këtë kuptim vlen të theksohet edhe qëndrimi i Komisionit të Venecias, sipas të cilit imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij (imunitetit parlamentar) është mbrojtja e vetë parlamentit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij,” arsyetohet ndër të tjera në raport.

Mazhoranca ende nuk ka një qëndrim publik për kërkesën e SPAK-ut, ndërsa anëtarët socialistë të Këshillit nuk kanë dorëzuar në Kuvend raportin e tyre.

Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vendosur të mbrojë Ballukun nga drejtësia dhe lajmëroi protestë para Kuvendit ditën e votimit në seancë plenare.

Në rast të mospranimit të kërkesës së SPAK, sipas opozitës, “cenohet interesi publik; dekurajohet lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin; dëmtohet reputacioni i Parlamentit; pengohet drejtësia dhe Kuvendi shndërrohet në mburojë politike në mbrojtje të zyrtarëve të lartë të korruptuar; ndërhyhet në kompetencat e sistemit të drejtësisë; si dhe cenohet parimi i barazisë përpara ligjit”.

Kuvendi nuk ka ende një datë zyrtare se kur do të përfshihet për t’u votuar në seancë plenare ndërsa rregullorja parashikon një afat 3-mujor për t’u shprehur, në të kundërt kërkesa konsiderohet e rrëzuar.

Sipas Bardhit, afati i fundit ligjor kur duhet të votohet është seanca e datës 12 mars, ndërsa akuzoi mazhorancën për zvarritje e qëllimshme në kundërshtim me praktikën e mëparshme parlamentare.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *