JD Vance paralajmëron Iranin: Merrini seriozisht kërcënimet e SHBA-ve
Zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, i ka bërë thirrje Iranit të marrë “seriozisht” kërcënimet e Washington-it për veprime ushtarake, një ditë pasi presidenti Donald Trump la të kuptohej se mund të ndërmarrë hapa të fortë ndaj Teheranit.
Në një intervistë për Fox News, Vance deklaroi se Trump do të përpiqet ta zgjidhë çështjen në mënyrë diplomatike, por theksoi se presidenti amerikan ka “të drejtën” të përdorë edhe forcën ushtarake nëse është e nevojshme.
“Nuk mund t’i lejojmë regjimit më të çmendur dhe më të keq në botë të ketë armë bërthamore”, u shpreh Vance.
Ai shtoi se presidenti ka në dispozicion një sërë mjetesh për të siguruar që kjo të mos ndodhë dhe ka treguar gatishmëri për t’i përdorur ato.
Sipas tij, Irani duhet ta marrë seriozisht këtë mesazh në prag të raundit të ri të negociatave, pasi – siç theksoi – diplomacia mbetet opsioni i preferuar i Shtëpisë së Bardhë.