28 Mars, 2026

Islami, krishtërimi, mizogjinia dhe skllavëria: Një replikë me Mustafa Nanon

 Islami, krishtërimi, mizogjinia dhe skllavëria: Një replikë me Mustafa Nanon

Nga Kaon Serjani

Publicisti Mustafa Nano, përmes disa postimeve në Facebook, ndërsa krahasonte Islamin me Krishterimin (dhe Judaizmin), mes të tjerash bëri edhe dy pohime që më tërhoqën vëmendjen. Njëri prej këtyre pohimeve kishte të bënte me idenë se Islami është një religjion i ngritur për t’iu kundërvënë Krishterimit. Ja çfarë shkroi ai konkretisht:

“Për ata që nuk e dinë, Islami i bën sulmin më të egër Krishtërimit. Islami ka lindur si një fe anti kristiane. Në Kuran refuzohet e përqeshet ideja se Jezu Krishti është bir i Zotit, se ai u kryqëzua dhe se ai u ringjall në të tretën ditë. E shihni? Islami godet brinjë më brinjë thelbin e Krishtërimit. Sepse ky është thelbi: Së pari, Jezui është bir i Zotit, së dyti Jezui u kryqëzua si sakrificë për njerëzimin, e së treti Jezui u ringjall si shenjë se fuqinë në këtë botë nuk e ka vdekja, por ringjallja. …”

Ky është një konstatim që në diskursin publik shqiptar dëgjohet rrallë, por mendoj se z. Nano ka të drejtë. Duke pasur si synim ruajtjen e harmonisë fetare, shpesh fokusi përqendrohet te të përbashkëtat e besimeve. Edhe pse të dyja religjionet kanë elemente të përbashkëta (si p.sh., të dyja predikojnë monoteizmin, pretendojnë traditë abrahamike, mësojnë për jetën pas vdekjes dhe gjykimin përfundimtar, si dhe theksojnë rëndësinë e lutjes, pendimit dhe bamirësisë), ato në thelb kanë mësime qendrore të kundërta.

Ashtu siç vëren Nano, Islami e mohon mësimin e krishterë se Jezusi është Zoti i bërë njeri, duke e konsideruar atë një profet dhe shërbëtor të Allahut (Kurani 4:171; 5:72–75; 19:30–35). Po ashtu, Kurani deklaron se Jezusi nuk u kryqëzua, por se kështu iu duk atyre që ishin të pranishëm (Kurani 4:157–158). Duke mos pranuar vdekjen e Jezusit në kryq, për rrjedhojë Islami nuk pranon as ringjalljen e tij fizike nga të vdekurit.

Mohimi i këtyre doktrinave e minon drejtpërdrejt Ungjillin, sepse besimi i krishterë e bazon shpengimin e njeriut nga mëkati pikërisht në faktin që Jezusi vdiq për mëkatet tona dhe u ringjall ( 1 Korintasve 15:3–4). Po ashtu, hyjnia e Krishtit, përveçse është një doktrinë themelore e krishterë ( Gjoni 1:1, 14; Gjoni 20:28; Kol. 2:9), është pikërisht ajo që e bën Jezusin Qengjin e përsosur, i cili ofroi sakrificën shlyese për mëkatet e gjithë njerëzimit ( Gjoni 1:29; He.9:26–28; 1 Pjetrit 2:24). Për këtë arsye, nëse mohohen hyjnia, vdekja dhe ringjallja e Krishtit, mesazhi i krishterë humbet thelbin e vet.

Nga ana tjetër, sipas Kuranit, t’i bësh shok Allahut është mëkati më i rëndë dhe i pafalshëm që mund të bëjë dikush – i njohur si shirk (Kurani 4:48; 4:116; 5:72). Në këtë kontekst, brenda kornizës së teologjisë islame, ai që do ta pranonte Jezusin si Zot do të konsiderohej jashtë mëshirës së Allahut dhe do të meritonte dënimin.

Me pak fjalë, mund të thuhet se ajo që në Krishterim është e domosdoshme të rrëfehet për shpëtim, në Islam të çon në dënim. Po ashtu, ajo që kërkohet të mohohet në Islam, në Krishterim do ta mbante njeriun të ndarë nga Perëndia. Në këtë kuptim, Nano i bie në kokë kur thotë se Islami, si doktrinë (jo myslimani si individ), është në thelb kundër Krishterimit.

Për pohimin e dytë të Nano-s – se “Islami origjinal është një ideologji primitive dhe barbare, ashtu si edhe Judaizmi dhe Krishterimi i origjinës” – do të ndalem pak më gjatë.

Pas këtij pohimi, Nano shton:

“Nuk është Krishtërimi që është një fe moderne. Janë të krishterët që kanë vendosur t’ia përshtasin fenë e tyre kohës, në të cilën jetojnë. Vetë Krishtërimi është po aq “modern” sa edhe koha, kur ai lindi, dmth shekulli një. Pse e them këtë? Sepse edhe Krishtërimi është mizogjinik (Testamenti i Vjetër është më i mbrapshtë se Kurani kur vjen puna te gruaja). Krishtërimi i origjinës legjitimon skllavërinë. E kështu me radhë. Fajin pra nuk e kanë fetë që, edhe në qençin për faqe të zezë, siç janë, kanë si alibi kohën kur kanë lindur. Shkurt, fajin e kanë besimtarët.”

Qëndrimi kryesor që dua të adresoj këtu është pyetja nëse të krishterët e kanë përshtatur krishterimin me kohën. Nano përmend dy shembuj (mbase, po ta kishte pasur në fokus krishterimin në shkrim, mund të kishte dhënë edhe më shumë):

(1) se krishterimi i origjinës ka qenë mizogjinik dhe tani nuk është më;

(2) se krishterimi i origjinës ka legjitimuar skllavërinë, ndërsa sot nuk e bën më.

Për të parë nëse krishterimi mund të kategorizohet në këtë mënyrë, duhet të shqyrtohet mbështetja doktrinore biblike.

Le të adresojmë çështjen e parë: a ka qenë krishterimi i origjinës mizogjinik?

Me fjalën origjinë, besoj se Nano nënkupton se ekzistojnë mësime kyçe në krishterimin biblik – pra të bazuara në në Shkrimin e Shenjtë (Bibël) – dhe jo thjesht interpretime apo mësime të mëvonshme të kishës.

Mund të thuhet se, përveç disa pasazheve të Dhjatës së Vjetër që kërkojnë një interpretim më të kujdesshëm (për shkak të lidhjes së tyre me ligjin e Moisiut dhe kontekstin kulturor të Lindjes së Afërt të Lashtë), që argumenti i Nanos të jetë bindës, ai duhet të mbështetet në shembuj nga mësimet e Dhiatës së Re.

Në fakt, jo vetëm që nuk gjejmë mësime mizogjinike në Dhiatën e Re, por gjejmë mësime që sfidojnë drejtpërdrejt mizogjininë tradicionale.

P.sh.:

Jezusi flet publikisht me gruan samaritane (Gjoni 4:7–27), duke thyer tabu të forta kulturore.

Jezusi i del në mbrojtje gruas së akuzuar për tradhti bashkëshortore, duke mos lejuar që ajo të vritej, ndonëse i bën thirrje të mos mëkatojë më (Gjoni 8:1–11).

Jezusi lavdëron besimin e gruas me fluks gjaku, duke i dhënë dinjitet publik (Marku 5:25–34).

Jezusi mbron të drejtën e Marisë për të qenë nxënëse në këmbët e tij, përtej rolit tradicional që kishin gratë. Në atë kulturë, shkollimi u lejohej kryesisht meshkujve (Luka 10:38–42).

Gratë janë dëshmitaret e para të ringjalljes (Mateu 28:1–10), një fakt i jashtëzakonshëm në një kulturë ku dëshmia e grave kishte peshë të ulët juridike.

Jezusi përfshin gra në rrethin e dishepujve që e ndiqnin dhe e mbështesnin shërbesën e tij (Luka 8:1–3).

Mësime të tjera nga autorë të Dhiatës së Re përfshijnë:

Apostulli Pal shpall barazinë shpirtërore në Krishtin: “nuk ka mashkull as femër; sepse të gjithë jeni një në Krishtin Jezus” (Galatasve 3:28).

Pali përmend dhe vlerëson bashkëpunëtore gra në shërbesë (p.sh., Priskila, Febe, Junia) si punëtore të respektuara në kishën e hershme (Romakëve 16:1–7).

Siç duket nga këto tekste biblike, trajtimi me dinjitet i gruas në krishterim nuk është një përshtatje e mëvonshme, por pjesë organike e vetë narrativës së Dhiatës së Re. Ndaj, Nano nuk ka bazë të fortë për të pohuar se krishterimi ishte mizogjinik në origjinën e tij.

Nëse do të silleshin si shembuj mizogjinie dy rastet e ndalimit të grave për të folur apo mësuar në kishë në Dhjatën e Re, duhet pasur parasysh se ato shpjegohen nga konteksti kulturor i mësimeve të rreme në kishën e Efesit (1 Timoteut 2), si dhe nga nevoja për ruajtjen e rregullsisë së të folurit në shërbesën publike në kishën e Korintit (1 Korintasve 14). Të kuptuara brenda këtij konteksti kulturor, ato nuk përbëjnë aspak një çështje mizogjinie.

Tani le të trajtojmë në çështjen e dytë: a e ka legjitimuar krishterimi i origjinës skllavërinë.

Për të qenë të saktë në analizë, kjo çështje kërkon një dallim midis përshkrimit të një realiteti shoqëror dhe legjitimimit moral të tij. Është e vërtetë se Dhiata e Re nuk shpall një program të menjëhershëm politik për shfuqizimin institucional të skllavërisë. Por nga kjo nuk rrjedh automatikisht se ajo e legjitimon moralisht skllavërinë si një institucion të drejtë.

Në fakt, një lexim i kujdesshëm i teksteve biblike që adresojnë skllavërinë tregon se ishin pikërisht këto parime biblike ato që e gërryen gradualisht nga brenda dhe kontribuan në shuarjen e këtij institucioni.

Por fillimisht, le ta vendosim çështjen në kontekst, duke bërë dallimin midis skllavërisë së botës greko-romake – në të cilën lindi krishterimi – dhe tregtisë transatlantike të skllevërve afrikanë në shekujt XVII–XIX, e cila, duke qenë kronologjikisht më e vonshme, është ajo që zakonisht kemi më shumë parasysh kur mendojmë për skllavërinë.

Një studiues i njohur i Dhiatës së Re, Craig Blomberg, shkrimet e të cilit i konsultoj shpesh, paraqet disa dallime të rëndësishme, të cilat po i rendis më poshtë në mënyrë të përmbledhur.

-Nuk duhet ta imagjinojmë skllavërinë në Romën e lashtë si identike me skllavërinë e afrikanëve në Jugun e Amerikës dhe gjetkë deri pas Luftës Civile në SHBA (1861–1865). Kjo nuk do të thotë se skllavëria romake ishte e butë apo humane; padyshim që kishte keqtrajtime dhe abuzime. Megjithatë, duhet theksuar se, në kontekstin antik, skllevërit që kishin zotërinj të drejtë ndonjëherë jetonin në kushte më të mira se shumë njerëz të lirë të varfër.

-Skllavëria në botën greko-romake nuk bazohej në racizëm, por kryesisht në nënshtrimin e popujve të mundur. Nuk kishte dallime të dukshme fizike që e ndanin një skllav nga një i lirë; njerëz nga shumë popuj dhe etni mund të bëheshin skllevër ose të çliroheshin. Në disa raste, individët madje shisnin veten në skllavëri për të shlyer borxhet.

-Nuk ekzistonte një precedent i fortë ideologjik për shfuqizimin e skllavërisë. Kryengritjet e skllevërve në periudhën para Krishtit zakonisht përfundonin me dështim dhe me represione të përgjakshme. Mjafton të kujtojmë kryengritjen e Spartakut (73–71 p.K.), e cila përfundoi tragjikisht. Nxitja e një revolucioni të tillë – aq më tepër nëse do të kishte mbështetje fetare – mund të kishte pasoja edhe më të rënda, jo vetëm për skllevërit, por në atë rast edhe për kishën e krishterë.

-Ndryshe nga skllavëria moderne transatlantike, lirimi i skllevërve ishte relativisht i zakonshëm në Perandorinë Romake. Shumë skllevër shtëpiakë liroheshin rreth moshës tridhjetë vjeç.

-Edhe pas lirimit, ish-skllevërit shpesh mbeteshin ekonomikisht të varur nga zotërinjtë e tyre. Në shumë raste, liria sillte pasiguri më të madhe materiale, pasi personi duhej të siguronte vetë jetesën. E parë në këtë kontekst pasigurie financiare, skllavëria ndonjëherë është perceptuar si një mënyrë për t’i shpëtuar varfërisë ekstreme apo edhe vdekjes.

-Një aspekt tjetër që duhet pasur parasysh është se krishterimi biblik, apo ai i origjinës, siç e quan Nano, nuk kishte si synim kryesor transformimin shoqëror, por transformimin shpirtëror të individëve. Ai u përqendrua në pajtimin e njeriut me Perëndinë dhe në shpresën e jetës së përjetshme, pa u përpjekur të përmbyste drejtpërdrejt strukturat shoqërore të kohës (1 Korintasve 7:17–24). Kjo nuk nënkupton mbështetje morale për skllavërinë, por tregon prioritetin teologjik të Dhiatës së Re.

Le të shohim tani se si mësimet e Dhiatës së Re krijuan kushtet që skllavëria, në plan afatgjatë, të “vdiste”, siç kam pretenduar më sipër.

Së pari, Dhiata e Re afirmon barazinë ontologjike në Krishtin kur thotë se “nuk ka as skllav as të lirë… sepse të gjithë jeni një në Krishtin Jezus” (Galatasve 3:28). Në kontekstin e botës greko-romake, ky ishte një pohim thellësisht radikal. Ai nuk e shemb menjëherë strukturën juridike të Perandorisë Romake, por minon themelin moral që e justifikonte skllavërinë si rend natyror.

Krishterimi i origjinës, pra, ndryshe nga sa pretendon Nano, hedh një themel të ri për dinjitetin njerëzor të skllavit. Një formulim i tillë i barazisë morale dhe shpirtërore do të ushtronte më vonë një ndikim të thellë në zhvillimin e mendimit perëndimor mbi dinjitetin njerëzor dhe lirinë.

Së dyti, Dhiata e Re vendos një kufizim moral mbi pushtetin e atyre që kishin skllevër. Ndryshe nga kodi shoqëror pagan, Dhiata e Re nuk u flet vetëm skllevërve për bindje, por edhe zotërinjve për përgjegjësi–diçka e pazakontë për kohën. Pali shkruan: “Edhe ju, zotërinj, veproni po kështu ndaj tyre, duke hequr dorë nga kërcënimi…” (Efesianëve 6:9). Kjo është teologjikisht domethënëse, pasi zotëria nuk paraqitet më si autoritet absolut, por si një person nën gjykimin e të njëjtit Zot. Kjo e relativizon strukturën e pushtetit që mbante gjallë skllavërinë në atë periudhë.

Së treti, Dhiata e Re përmban raste konkrete që ilustron transformimin e marrëdhënies zotëri–skllav nga brenda. Letra drejtuar Filemonit është ndoshta teksti më i rëndësishëm në këtë debat. Onesimi ishte një skllav, ndërsa zotëria i tij ishte Filemoni. Pali i shkruan Filemonit që ta presë Onesimin “jo më si skllav, por më shumë se skllav–si vëlla i dashur” (Filemoni 16). Edhe kjo ishte thellësisht radikale për botën antike. Nëse një skllav është vëlla në Krishtin, baza morale e skllavërisë si marrëdhënie thelbësisht hierarkike fillon të shembet nga brenda.

Ajo që synojnë të tregojnë këto parime është se strategjia e Dhiatës së Re ishte kryesisht kjo: hedhja e bazës së dinjitetit njerëzor të skllavit, relativizimi i hierarkive shoqërore midis zotërisë dhe skllavit dhe transformimi i zemrës së zotërisë përmes mesazhit të krishterë.

Historiani britanik Tom Holland, në librin e tij Dominion (2019), argumenton se kjo strategji biblike rezultoi historikisht efektive.

Me përhapjen e krishterimit në Europë, institucioni i skllavërisë gradualisht u dobësua. Barazia e skllavit dhe e zotërisë brenda kishës kontribuoi që kjo barazi të reflektohej, me kalimin e kohës, edhe në ligj; në shumë pjesë të Europës veriore, skllavëria në formën e saj klasike ishte zhdukur deri rreth shekullit XI.

Për fat të keq, me ekspansionin kolonial europian pas shekullit XVI, skllavëria u rikthye në një formë të re, tashmë edhe raciste dhe shumë më çnjerëzore – veçanërisht në tregtinë transatlantike të skllevërve. Megjithatë, sërish, në mënyrë domethënëse, ishte pikërisht Bibla dhe etika e krishterë që frymëzuan lëvizjen moderne abolicioniste, e cila çoi në shfuqizimin ligjor të skllavërisë, fillimisht në Britaninë e Madhe dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë prej figurave kyçe të lëvizjes abolicioniste në shekujt XVIII–XIX ( njerez si si William Wilberforce në Angli, John Newton dhe komuniteti i Quaker-ëve) u mbështetën drejtpërdrejt në bindjet e tyre të krishtera për të sfiduar dhe delegjitimuar moralisht skllavërinë.

Duke marrë parasysh sa më sipër, pretendimi se krishterimi në origjinën e tij e legjitimoi skllavërinë si të drejtë morale përbën një thjeshtim të tepruar të dëshmisë biblike dhe historike.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *